Presidenti Begaj përshëndet miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë: Mbështetje për procesin e reformave

Në një postim zyrtar në platformat X dhe Facebook, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian për miratimin e rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë, për vitet 2023–2024.

Presidenti Begaj, e ka cilësuar këtë rezolutë si një sinjal të qartë mbështetjeje për rrugën e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruan Presidenti.

Kreu i shtetit theksoi se kjo mirënjohje duhet të përkthehet në punë konkrete dhe në një frymë bashkëpunimi parlamentar për zbatimin e rekomandimeve të rezolutës:

Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës”.

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian, reflekton progresin e bërë nga Shqipëria në disa fusha kyçe, duke shënuar një hap tjetër në procesin e integrimit evropian të vendit.