GRAFIKËT/ Sigurimi i makinave, rriten të ARDHURAT nga primet, por jo DËMSHPËRBLIMET për aksidentet, AMF hesht. Kompanitë problematike

Kur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, organi rregullator i tregut të sigurimeve në Shqipëri, ndryshoi faktorët e riskut për caktimin e çmimit të policave të sigurimit motorik, u tha shqiptarëve se kjo bëhej në të mirën e tyre, në mënyrë që secili të paguante atë që i takon me argumentin se shoferët e këqinj duhej të ndëshkoheshin dhe të mirët, të shpërbleheshin.

Në fakt, tani që kanë dalë edhe të dhënat e periudhës janar-maj 2025 mbi tregun e sigurimeve, deklarata e AMF rezulton e pavërtetë.

Skyweb.al, ka analizuar treguesit e primeve të arkëtuara nga tregu i sigurimeve dhe dëmeve të paguara, duke arritur në përfundimin se të paktën deri më tani, ndryshimi i faktorëve të riskut ka rezultuar mjaft i frytshëm për disa kompani sigurimesh, të cilat kanë rritur të ardhurat nga primet, por kanë ulur pagesat e dëmeve për MTPL-të.

Sipas AMF, përgjatë periudhës janar-maj 2025, kompanitë e sigurimeve arkëtuan rreth 70.5 milionë euro prime për segmentin e sigurimit motorik, i cili përbën edhe pjesën më të madhe të tregut të sigurimeve në Shqipëri, ndërkohë që kanë paguar 25.5 milionë euro dëme për këtë segment.

 


Primet nga MTPL dhe demet e paguara nga kompanite e sigurimeve gjate janar-maj 2025. Burimi: AMF. Perpunimi grafik: Skyweb.al

Rezulton që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kompanitë e sigurimeve në tërësi i rritën të ardhurat nga primet me rreth 12.4 për qind, ndërkohë që pagesat e dëmeve janë rritur me vetëm 2.2 për qind!

Pra, kompanitë kanë arritur të ardhurat, kryesisht për shkak të rregullores së re të AMF-së si edhe faktorëve të tjerë që do ti shtjellojmë më poshtë, por nuk kanë rritur me të njëjtin ritëm edhe pagesat e dëmeve ndaj të siguruarve.

 


Ecuria ne % e primeve dhe demeve gjate janar-maj 2025. Burimi: AMF. Perpunimi grafik: Skyweb.al

Madje, ka nga ato kompani që kanë rritur ndjeshëm të ardhurat dhe kanë ulur çuditërisht pagesat e dëmeve gjatë kësaj periudhe, duke mos mbajtur kështu përgjegjësi edhe pse kanë blerë rrezikun e të siguruarit!

Sa për referencë, gjatë periudhës janar-maj 2024, kompanitë e sigurimeve rriten me më shumë se 25% pagesat e dëmeve ndaj të siguruarve krahasuar me janar-maj 2023, gjë që konfirmon se diçka nuk shkon për periudhën tonë referencë.

Skyweb.al, iu drejtua AMF-së me një kërkesë për koment në lidhje me treguesit në fjalë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm asnjë përgjigje, duke shtuar dyshimet se kemi të bëjmë me një skemë të organizuar nga aktorë të fuqishëm të këtij tregu me bekimin e rregullatorit.

Megjithatë, për të marrë një këndvështrim tjetër, redaksia iu drejtua një burimi që e njeh mirë tregun duke kërkuar prej tij një analizë të pavarur të treguesve të mësipërm.

Ky i fundit, i shpjegoi redaksisë se si faktor kryesor në rritjen e primeve gjatë periudhave të krahasuara, duhet marrë në konsideratë edhe shtimi i numrit të makinave në Shqipëri.

“Bëhet fjalë për rreth 34 mijë makina më shumë, pra janë 34 mijë polica sigurimi MTPL më shumë gjatë janar-maj 2025 krahasuar me janar-maj 2024, të cilat sigurisht që kanë rritur primet për kompanitë. Për të patur një panoramë të qartë duhet bërë një analizë e plotë e profilit të makinave që janë regjistruar për herë të parë, gjë e cila do të na tregonte më shumë mbi peshën që ka secila kategori”, tha ai.

“Duhet të kini parasysh se rritja e primeve për sigurimet motorike lidhet edhe me zgjerimin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit. Kjo po ndodh në mënyrë konstante gjatë viteve të fundit, pra nuk është ndonjë risi. Ka edhe mjaft raste ku pagesat e dëmëve mbeten pezull pasi i dëmtuari nuk bie dakord me shumën e ofruar dhe çështja zvarritet duke sjellë edhe treguesit, të cilëve ju i referoheni”.

Skyweb.al, bëri analizën e vetë të dhënave pas këtij shpjegimi duke konstatuar se po, ka një rritje të numrit të makinave, rrjedhimisht edhe të policave të sigurimit gjatë periudhave në fjalë, por kjo rritje është rreth 9%, ndërkohë që të ardhurat e kompanive janë rritur me 12.4% dhe për më tepër, pagesat e dëmshpërblimeve janë rritur në tregues minimalë.

Në janar-maj 2024 janë shënuar 378 181 kontrata MTPL, ndërkohë që në janar-maj 2025 u lidhën 412 248 të tilla.

Kompani që blejnë rrezikun, por nuk dëmshpërblejnë

Tregu i sigurimeve të jo-jetës, ka njohur ndryshime të forta gjatë dekadës së fundit ku futja e aktorëve të rinj ka rritur edhe ofertën për qytetarët, pavarësisht mungesave të përgjithshme, dhe problemeve me kapjen e segmenteve të caktuar të rinj nga aktorë të caktuar.

Skyweb.al, bëri një krahasim të primeve dhe dëmeve të paguara nga secila kompani në treg gjatë periudhës janar-maj 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në konstatimin se kompania SIGAL, e cila ka pjesën më të madhe të kontratave në treg për momentin, renditet gjithashtu në krye të listës së kompanive më rënie të dëmshpërblimeve, në vlerë.

 


Krahasimi Rritja e primeve dhe DEMEVE te paguara nga SIGAL. Të dhënat: AMF. Përpunimi grafik: Skyweb.al

Kështu, në periudhën janar-maj 2024, SIGAL arkëtoi rreth 13 milionë euro prime MTPL dhe pagoi rreth 5.2 milionë euro dëme.

Ndërkohë, për të njëjtën periudhë të vitit 2025 arkëtoi 14.8 milionë euro prime dhe pagoi rreth 4.9 milionë euro dëme.

Kompania rriti në janar-maj 2025 të ardhurat nga primet me rreth 12.9 për qind, por uli pagesat e dëmeve me rreth 4.8 për qind (shih grafikun).

INTERSIG ndërkohë renditet në krye të listës për rritje në përqindje të të ardhurave nga primet po ashtu në krye të listës për rënien drastike të dëmshpërblimeve, në përqindje.

Kështu, në janar-maj 2024, INTERSIG arkëtoi rreth 6.2 milionë euro nga primet, kurse në janar-maj 2025, të ardhurat u rriten në rreth 7 milionë euro ose rreth 13.2% më shumë.

Krahasimi Rritja e primeve dhe DEMEVE te paguara nga INTERSIG. Të dhënat: AMF. Përpunimi grafik: Skyweb.al

Nga ana tjetër, në periudhën janar-maj 2024 pagoi 3.9 milionë euro dëme, ndërsa në janar-maj 2025, shuma e dëmeve të paguara ra me rreth 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 2.4 milionë euro.

Skyweb.al, konstatoi gjithashtu nga të dhënat e AMF se SIGAL, është kompania e parë për numrin e dëmeve të lëna pezull për periudhën në fjalë. 1 në 3 dëme pezull janë të SIGAL, gjë që tregon se qytetarët e siguruar janë duke u sorollatur pa marrë dëmshpërlimet e tyre, gjë që normalisht ka dhënë kontributin në treguesit e mësipërm.

Treguesit e demeve pezull per secilen kompani per periudhen janar-maj 2025. Burimi: AMF

Kompanitë SIGAL dhe INTERSIG, nuk iu përgjigjen pyetjeve të redaksisë në lidhje me shkaktarët e treguesve në fjalë.

Më shumë ndëshkim dhe pak shpërblim, çfarë solli rregullorja e re e AMF

Skyweb.al, ka raportuar që në nisje të zbatimit të sistemit të ri të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Sipas rregullores së miratuar nga Bordi i AMF në shtator 2024, e cila nisi të zbatohej në janar 2025, një shofer që nuk ka shkaktuar asnjë aksident përgjatë vitit, përfiton një ulje modeste të policës nga 2 deri në 5%.

Në të kundërt, një shofer që ka shkaktuar një aksident paguan 25% më shumë, ndërsa për dy aksidente rritja arrin në 50%. Në skenarin maksimal, kur kombinohen edhe faktorë të tjerë risku (mosha e mjetit, qarku i regjistrimit, fuqia motorike, etj.), primi i sigurimit mund të rritet deri në 125%.

Nëse çmimi bazë i një police sigurimi është 17,000 lekë, një shofer i penalizuar me një aksident do të paguajë 21,250 lekë, ndërsa me dy aksidente, 25,500 lekë.

Nga ana tjetër, një shofer i rregullt në Shqipëri dhe që përmbush të gjitha kushtet e riskut të ulët sipas faktorëve të riskut të miratuar nga bordi i AMF, paguan jo më pak se 13,940 lekë në vit.

Të dhënat tregojnë se 95% e shoferëve të siguruar klasifikohen në kategorinë “bonus”, por përfitimi për ta është pothuaj simbolik: 2 deri në 5% ulje, një shifër e papërfillshme për konsumatorët, sidomos në raport me përqindjen e lartë të rritjes së primit për ata që kanë një rekord negativ.

Rregullorja në fuqi penalizon veçanërisht drejtuesit e automjeteve të vjetra dhe me motorë më të fuqishëm, të cilat janë më të përhapura në Tiranë dhe qytetet e mëdha.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, flota kombëtare ka një moshë mesatare prej 17–18 vitesh dhe shumica e mjeteve janë me motor mbi 1400 kubikë, çka i përjashton automatikisht nga përfitimi i lehtësirave.

Kjo do të thotë se edhe nëse një shofer është i rregullt, në praktikë ai vazhdon të paguajë më shumë për shkak të karakteristikave të mjetit apo vendbanimit, një mekanizëm që më shumë ndëshkon se shpërblen.

Për krahasim, Kosova ka zbatuar po të njëjtin sistem “bonus-malus” që nga viti 2020, por në një mënyrë më të ekuilibruar.

Banka Qendrore e Kosovës, ka ndarë 19 shkallë primi, ku shoferët e rregullt mund të përfitojnë ulje deri në 55%, ndërsa shkelësit e rregullt penalizohen deri në 250%.

Edhe pse sistemi kosovar ndëshkon më fort, ai shpërblen realisht dhe në mënyrë të ndjeshme ata që respektojnë rregullat, duke rritur ndërgjegjësimin dhe disiplinën rrugore.

Për më tepër, analiza e mësipërme e të dhënave nga Skyweb.al konfirmoi se kjo rregullore po i shërben aktorëve të caktuar në treg që të rrisin të ardhurat duke mos dëmshpërblyer të siguruarit.

Koeficientët e rriskut sipas Rregullores së AMF që solli treguesit e mësipërm

 


Shtuar 9.07.2025 10:49