Miq dhe bashkëpunëtorë homazhe në nderim të Artan Lames

Ditën e sotme, në mjediset e Akademisë së Shkencave, kanë nisur sot homazhet e lamtumirës së fundit për Artan Lamen, i ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare.

Të shumtë kanë qenë njerëzit që kanë shkuar për t’i bërë nderimet e fundit, mes tyre kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, si edhe përfaqësues të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, ku Lame ishte një prej themeluesve të saj, si dhe miq e bashkëpunëtorë të shumtë.

Homazhe kreu edhe ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Të pranishmit, pasi ngushëlluan familjarët e afërt të Artan Lames, kanë lënë mesazhet e tyre në librin e ngushëllimeve.

Artan Lame ndërroi jetë në Mynih, ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.

Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

Ai la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile por edhe si funksionar publik.

I pyetur nga mediet se si do ta kujtonte Artan Lamen, ministri i MEKI, Blendi Gonxhe, tha se e kishte njohur që prej ministrisë së parë të Kulturës.

“Në Ministrinë e Kulturës ku e thirra vetë të bashkëpunonte, në bashkinë e parë, e më pas në shumë institucione ku jeta na ka bashkuar”.

“Sot, jo vetëm shoqëria por vendi ka humbur një kujdestar të rrallë, unik, të trashëgimisë kulturore e historike”, u shpreh ministri MEKI-t pas homazheve.

“Shumë detyra që mori përsipër, i kreu me sukses, si një i apasionuar i trashëgimisë kulturore e si autor librash të çmuar që rrallëkush do t’u kthehet për t’i bërë edhe një herë”, u shpreh botuesi Fatmir Toçi.

Auron Tare, një mik i të ndjerit Lame, u shpreh pas homazheve se, njerëz si Lamja janë të rrallë.

“Ata kërkojnë të përmirësojnë kulturën shqiptare, shoqërinë shqiptare, kur e gjejnë me gabime e hipokrizi. Por ne i përkasim kësaj kulture dhe do donim të ishte më e mirë, më e arrirë e më e ndriçuar.

Këtu qëndronte dhe dyzimi i Artan Lames, që një pjesë e panë si funksionar publik, por ai ishte i dashuruar me kulturën e trashëgiminë shqiptare. Ne që ishim pranë, e kuptonin pasionin e tij”, u shpreh Auron Tare.


Shtuar 27.05.2025 12:07