Prej dekadash kanë ndërtuar jetë mes dy brigjeve, të Shqipërisë dhe Italisë, duke derdhur mund dhe kontribute në të dyja vendet. Tashmë, kjo histori sakrifice nuk mbetet në hije.
Marrëveshja për njohjen e pensioneve italo-shqiptare, hyn në fuqi vetëm pas pak ditësh dhe bashkë me të, edhe e drejta e shumë shqiptarëve për të përfituar nga çdo vit pune-kudo që të kenë qenë.
Në një intervistë për “Panorama”, përfaqësuesja e zyrës UIM Albania, e cila ofron në Shqipëri shërbimet e Patronatit Italian, Tresjana Elmazi, shpjegon në mënyrë të qartë dhe konkrete si funksionon kjo skemë e re, kush përfiton, çfarë dokumentesh duhen dhe mbi të gjitha, si bëhet llogaritja që bashkon kontributet në një të vetme.
Me një sistem të thjeshtuar, sportele të hapura dhe zero kosto, kjo është një mundësi për qytetarët shqiptarë, por edhe ata italiane sepse tashmë, edhe një vit punë në emigrim vlen për pension.
Për pak ditë hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e pensioneve italo-shqiptare, kush janë përfituesit potencialë?
Të shumtë janë ata që përfitojnë nga kjo marrëveshje, pasi numri i shqiptarëve që kanë punuar dhe jetuar mes dy vendeve është i lartë.
Janë pjesë e marrëveshjes të gjithë ata qytetarë që kanë derdhur kontribute si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri, si edhe që kanë përmbushur dy kriteret kryesore, që janë mosha e daljes në pension dhe minimum i viteve kontributive.
Ndërsa sa u përket kategorive apo profesioneve në të cilat qytetarët kanë ushtruar aktivitetin e tyre si punëtorë, marrëveshja nuk përmban kufizime. Thënë ndryshe, çdo vit pune është i vlefshëm për efekt të përllogaritjes së pensionit.
A mund të na thoni më konkretisht, çfarë duhet të bëjnë ata që janë në prag pensioni apo kategoritë e tjera përfituese nga marrëveshja?
Çdokush i interesuar për të përfituar nga kjo marrëveshje mund të krijojë paraprakisht një panoramë të situatës së vet, për të kuptuar nëse i plotëson kushtet që kërkohen për zbatimin e saj.
Për këtë nuk është nevoja të pritet data 1 korrik, pranë zyrës sonë të UIM Albania kanë nisur tashmë të paraqiten qytetarë të ndryshëm që duan të dinë me saktësi sa vite kontribute u njihen aktualisht nga shteti shqiptar dhe sa nga shteti italian.
Ky është një shërbim që UIM Albania e kryen falë bashkëpunimit dhe aksesit që ka në sistemin italian INPS, si dhe bashkëpunimit me ISSHnë në Shqipëri.
Në momentin që krijohet panorama e plotë e kontributeve për qytetarin e interesuar dhe evidentohet plotësimi i kushteve, atëherë jemi gati të paraqesim kërkesën e tij për të përfituar pensionin.
Për t’i ndihmuar pensionistët, kemi hapur sportele edhe në Durrës, Vlorë dhe Shkodër, përveç zyrës së Tiranës. Vlen për t’u theksuar se këtë shërbim e ofrojmë pa kosto për qytetarin pasi organizata jonë financohet nga Ministria e Punës italiane pikërisht për dhënien e një shërbimi publik si ky që ofrojmë.
Për të gjithë të interesuarit, a mund të dimë si bëhet procedura për të përfituar pension në të dyja vendet?
Në rast aplikimi për pension italo-shqiptar nuk nevojiten dy procedura njëkohësisht, aplikohet për shembull në portalin e INPS (Sigurimet Shoqërore italiane), duke bashkëlidhur dokumentet e viteve të punës në Shqipëri.
Ne, të UIM Albania kemi akses direkt në portalin INPS dhe ofrojmë në Shqipëri të njëjtat shërbime që merren edhe në Itali nga “patronato”- t (ente të krijuara falë një ligji të posaçëm italian).
Natyrisht i ndihmojmë edhe me nxjerrjen e viteve të punës në Shqipëri. Më pas do të jenë dy institucionet që do të komunikojnë me njëra-tjetrën, për të verifikuar dhe vërtetuar saktësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi i pensionit dhe në momentin e aprovimit, secila palë do të lëvrojë pagesën përkatësisht te qytetari.
Çfarë kushtesh duhet të përmbushin ata për të përfituar pension? Si ndikojnë vitet e punës te vlera totale?
Dy kushtet kryesore janë mosha dhe vitet e kontributeve dhe këto variojnë mes dy shteteve. Sa i përket moshës së pensionit, në Itali ajo është 67-vjeç, si për burrat dhe për gratë.
Ndërsa në Shqipëri, është 65-vjeç për burrat dhe 61-vjeç e 10 muaj për gratë (për vitin 2025). Pra, në rastin e një qytetari mashkull të moshës 66-vjeç, ai plotëson vetëm kushtin e moshës për pension shqiptar dhe mund të aplikojë për të, ndërsa duhet të presë kur të arrijë moshën 67-vjeç që të aplikojë për pjesën e pensionit italian.
Kriteri i dytë janë vitet e kontributeve. Pragu minimal për pension shqiptar është 15 vjet, ndërsa për pension Italian është 20 vjet kontribute, por vlera e shtuar e marrëveshjes është që vitet e dy shteteve konsiderohen të bashkuara në mënyrë figurative për t’i ndihmuar qytetarët në arritjen e pragut minimal si në Shqipëri edhe në Itali.
Një rast i veçantë është ai i “pensionit të parakohshëm italian” (pensione anticipata), që arrihet me 42 vite kontribute pavarësisht moshës.
Falë marrëveshjes, vitet shqiptare u shtohen italianeve duke kompletuar kështu 42 vitet e nevojshme, gjë që do ndikojë për mirë te shumë bashkatdhetarë.
Siç e shikoni, nuk është aq e thjeshtë, ndaj u sugjerojmë qytetarëve të paraqiten pranë zyrave tona për të kuptuar sa më parë situatën e tyre.
Llogaritja e moshës për pension a bëhet njëjtë si për rezidentët në Shqipëri, edhe për ata që banojnë në Itali?
Po, në këtë aspekt nuk ka asnjë ndryshim, për sa kohë plotësohet kushti i shpjeguar më sipër, rezidenca nuk është ndër kushtet.
Dikush mund të jetë rezident në Itali dhe nëse ka mbushur moshën e pensionit në Shqipëri, por ende jo atë në Itali, mund të bëjë aplikimin për pensionin shqiptar (nëse edhe kushtet e tjera janë të plotësuara).
Ne si zyrë po ndjekim në fakt edhe mjaft shtetas shqiptarë të Italisë, që na kontaktojnë kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale.
Çfarë duhet të bëjë një person që ka punuar në të dyja vendet për të kalkuluar shumën që i takon? A mund të jepni një shembull…
Pak më sipër morëm shembullin e moshës. Le të shikojmë rastin tjetër, të kontributeve. Mund të marrim si shembull dikë që ka 16 vite punë në Shqipëri dhe 10 në Itali.
Para hyrjes në fuqi të marrëveshjes, qytetari do të mund të gëzonte vetëm pensionin shqiptar duke pasur minimumin e viteve të punës, por jo atë italian, që kërkon minimalisht 20 vjet kontribute.
Falë marrëveshjes, që mundëson bashkimin e kontributeve (në mënyrë figurative) mes dy shteteve, qytetari në fjalë do të përfitojë edhe nga shteti italian pjesën e kontributit për 10 vitet e punës në Itali kur të ketë mbushur 67-vjeç.
Tjetër shembull mund të jetë rasti i dikujt që ka 22 vite punë në Itali dhe 7 në Shqipëri. Pa marrëveshjen do të merrte vetëm pensionin italian, por jo atë shqiptar ndërsa falë marrëveshjes, tashmë të gjitha vitet e punës mblidhen dhe mundi nuk shkon dëm.
Duke qenë se kanë mbetur vetëm pak ditë nga implementimi i marrëveshjes, çfarë duhet të bëjnë tani ata që duan të përfitojnë?
Gjëja më e mirë që çdokush mund të bëjë është të krijojë një ide të qartë të viteve kontributive që ka në të dyja shtetet.
Kjo vlen edhe për pensionet e plota. Gjithçka nis me krijimin e një panorame sa më të qartë të secilit qytetar, që më pas i ndihmon të mos humbin kohë kur të dorëzohet aplikimi për pension.
Në këtë drejtim, UIM Albania i ndihmon përmes kërkesave përkatëse pranë INPS dhe ISSH me qëllim që asnjë vit pune të mos shkojë dëm.
Nëse një qytetar aplikon tani për pension, sa kohë do i duhet deri sa ta përfitojë atë?
Pikërisht për të reduktuar sa më shumë kohën e pritjes ne sugjerojmë parapërgatitjen e aplikantit siç shpjeguam më sipër.
Në rastin e autoriteteve shqiptare, procedura zgjat rreth 45 ditë punë, ndërsa nga pala italiane mund të shkojë deri në 3 muaj në menaxhimin e një kërkese për pension lidhur me kontributet në sektorin privat.
Gjithsesi kemi mjaft raste kur pritja nuk është kaq e gjatë dhe përgjigjet dalin shpejt. Në lidhje me kostot, qytetarët që i drejtohen UIM Albania nuk duhet të paguajnë për kërkesat për pension, duke qenë zyra jonë pjesë e patronatit italian ITAL UIL dhe një pjesë e këtyre shërbimeve financohen nga institucionet italiane./BESARTA BASHA