Udhëtimi i pambaruar

Nga; Lutfi Dervishi

Udhëtimi i pambaruar

Kur Moisiu u paraqit para Faraonit në Egjipt, ai kërkoi lirimin e popullit të tij pas 400 vitesh skllavëri.

Në oborrin mbretëror, ku faraonët besonin se ishin zotër mbi tokë, kërkesa për liri tingëllonte si çmenduri. Por Moisiu nuk u ndal.

Ai solli murtajat, shndërroi ujin në gjak, mbushi Egjiptin me bretkosa, e zhyti vendin në errësirë në një përballje epike mes perandorisë dhe shpresës për liri. Moisiu kishte mbështetjen e Zotit.

Dhe kur deti u hap si portë e shpëtimit, ai udhëhoqi popullin drejt lirisë, duke kaluar me ta në bregun tjetër.

Sipas hartave të kohës, rruga nga Egjipti në Tokën e Premtuar ishte rreth 4 ditë në këmbë. Por udhëtimi zgjati 40 vjet.

Pse?

Që ditën e parë të udhëtimit, njerëzit nisën me ankesat: “Ku është buka?” “Ku është uji?” “Te Faraoni të paktën kishim për të ngrenë!”

Gjatë rrugëtimit, Moisiu u ngjit në malin Sinai për të marrë e gdhendur, ligjet e drejtësisë, 10 urdhëresat!

Po kur zbriti, e gjeti popullin e tij duke vallëzuar rreth një viçi të artë, idhulli që simbolizonte të kaluarën.

I dëshpëruar dhe i zhgënjyer, Moisiu ra në gjunjë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pyeti:

O Zot, kur do të bëhen njerëz këta?

Përgjigja që erdhi nga lart ishte e ftohtë dhe e pamëshirshme:

Derisa të vdesë dhe i fundit që ka lindur në skllavëri…

Kështu, endja e hebrenjve në shkretëtirë zgjati 40 vjet, jo për shkak të distancës, por për shkak të trashëgimisë së frikës dhe nënshtrimit, të cilat duheshin zhdukur para se një popull i zgjedhur të shkelte në Tokën e Premtuar.


Shtuar 12.05.2025 14:17