Furtunë anulimesh/ AKSHI heq dorë në momentin e fundit nga tenderi i kamerave në dogana, PRAPASKENAT me kompaninë e sanksionuar

Këtë të hënë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), njoftoi anulimin e tenderit me vlerë 720 mijë euro për instalimin e një sistemi të ri kamerash në degët doganore.

Vendimi për anulimin vjen pasi Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) pranoi për shqyrtim një ankesë të paraqitur nga kompania shqiptare CSP, e cila ngriti dyshime serioze mbi mënyrën e zhvillimit të kësaj procedure.

 

 

Tenderi i hapur nga AKSHI, synonte instalimin e një sistemi monitorimi me kamera në disa pika doganore, por menjëherë pas shpalljes së dokumentacionit teknik, u hodhën akuza për paracaktim të fituesit dhe shkelje të rënda të parimeve të konkurrencës së lirë, raporton skyweb.al.

Ankesë për paracaktim fituesi dhe lidhjet me një kompani kineze të sanksionuar. Në ankesën e saj, kompania CSP, me pronar Klevis Xhagollin, denoncoi se kriteret teknike të tenderit ishin hartuar në mënyrë të tillë që favorizonin vetëm një produkt specifik: kamerat e prodhuara nga kompania kineze Uniview, model IPC6858ER-X40-VF.

Sipas CSP, të gjitha specifikimet ishin “qepur si kostum”, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër dhe duke bërë që tenderi të mos kishte asnjë garë reale.

 

 

Sipas dokumenteve publike, Uniview është një kompani e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e teknologjisë së saj, për survejimin masiv të ujgurëve dhe minoriteteve të tjera në Kinë.

Pavarësisht kësaj, tenderi i AKSHI-t parashikonte blerjen e pajisjeve të kësaj kompanie për sistemin e doganave shqiptare.

Ironikisht, në dokumentacionin e tenderit AKSHI kërkonte që të gjithë punonjësit që do të instalonin kamerat, të kishin certifikata sigurie të lëshuara nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK).

Kjo kërkesë për siguri maksimale për punonjësit, ishte në kontrats me përzgjedhjen e pajisjeve nga një kompani e ndaluar nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.

Një tjetër element që rëndonte situatën, është fakti se Uniview nuk ka përfaqësi të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Produktet e saj përfaqësohen nga kompania AlbaScan, e listuar zyrtarisht si partnere në faqen e Uniview.

Në këtë mënyrë, përmes një procedure të kontestuar dhe përmes ndërmjetësve vendas, në Shqipëri po tentohej të instalohej pajisje të prodhuara nga një kompani e sanksionuar.

Pas shqyrtimit të ankesës dhe presionit publik mbi çështjen, AKSHI vendosi të anulojë tenderin, duke evituar për momentin një tjetër skandal në fushën e prokurimeve publike dhe sigurisë. /skyweb.al


Shtuar 28.04.2025 12:07