Një kompani ndërtimi e përfshirë në pastrim parash, shqiptarja bleu truallin 90 000 euro dhe e shiti 2.2 milion euro

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në raportin e saj vjetor të publikuar së fundmi, ka zbuluar një ndër tipologjitë më të sofistikuara të pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri, duke evidentuar përdorimin e pasurive të paluajtshme si mekanizëm për legalizimin e të ardhurave nga veprimtari kriminale.

Sipas të dhënave të raportit, rasti i identifikuar përfshin një shtetase shqiptare, e identifikuar si shtetasja A, me rezidencë në një shtet të Bashkimit Europian. Në vitin 2021, ajo ka investuar në Shqipëri përmes një familjari të saj, duke blerë një truall me vlerë 90 mijë euro, çmim ky dukshëm më i ulët se tregu real.

Verifikimet e mëvonshme treguan se paratë për blerjen e kësaj pasurie ishin depozituar në para cash, jo vetëm nga shtetasja A dhe familjarët e saj, por edhe nga shtetasi B, ish-bashkëshorti i saj, gjithashtu rezident në të njëjtin shtet të BE-së. Ky element ngre dyshime të forta mbi burimin e këtyre fondeve.

Vetëm dy muaj pas blerjes, shtetasja A ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje me një kompani ndërtimi në Shqipëri, shoqëria Y, duke vënë truallin në dispozicion për zhvillim në këmbim të përfitimeve në ndërtim. Por skema nuk përfundon aty. Vetëm një vit më pas, ajo ka shitur të njëjtin truall – tashmë të zhvilluar – po kësaj shoqërie në një vlerë rreth 2.2 milionë euro, duke shumëfishuar në mënyrë të dyshimtë çmimin fillestar.

Sipas analizës së AIF, fondet e përfituara nga kjo shitje janë transferuar më pas në një shtet tjetër të BE-së, të identifikuar si “shteti V”, në llogarinë e shoqërisë X, e themeluar nga vetë shtetasja A menjëherë pas përfitimit të shumës. Kjo kompani, me objekt veprimtarie ndërtimin, ka lidhur më tej një kontratë të re sipërmarrjeje me një kompani të tretë, shoqërinë D, ku një pjesë e fondeve është transferuar në llogaritë e kësaj të fundit si pagesë për shërbime ndërtimi.

Hetimi evidentoi se përfaqësuesi i shoqërisë D, një shtetas shqiptar, ka qenë më parë i punësuar në shoqërinë Y në Shqipëri, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes të gjithë aktorëve të përfshirë në skemë. Më tej, ky person rezulton të jetë aksioner në një tjetër kompani ndërtimi në shtetin V, e cila është e lidhur ngushtë me shoqërinë D.

Nga informacionet e siguruara në bashkëpunim me Njësitë e Inteligjencës Financiare të vendeve të BE-së, dyshohet se shtetasi B është përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, dhe se një pjesë e të ardhurave të tij kriminale janë investuar përmes kësaj skeme në Shqipëri, për t’u legalizuar dhe më pas tërhequr në shtete të tjera.

AIF thekson se ky rast përmban një sërë indikatorësh të pastrimit të parave, përfshirë:

  • Depozitime në cash në sistemin bankar për blerjen e pasurive të paluajtshme;

  • Investime fillestare nën vlerën reale të tregut;

  • Rritje e menjëhershme dhe e pajustifikuar e vlerës së pasurisë së blerë;

  • Transferta të shumta ndërkombëtare të fondeve në kompani të lidhura me individë të përfshirë;

  • Lidhje të tërthorta mes kompanive dhe individëve të përfshirë në veprimtarinë ndërtimore;

  • Dyshime për burime kriminale të të ardhurave të investuara.

Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe dyshimeve të bazuara për veprimtari kriminale të organizuar në disa shtete, rasti është referuar për hetim të mëtejshëm pranë organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe partnerëve ndërkombëtarë. /skyweb.al


Shtuar 21.04.2025 20:30