Dosja “Çyrbja”, një grua e verbër u përdor për të tjetërsuar 13 mijë e 500 metra tokë në Shkallnur

Në dosjen e tjetërsimit të pronave shtetërore në Shkallnur të Durrësit, ku i pandehur është marrë ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, rezulton një episod ku është rrëmbyer një sipërfaqe toke prej 13 mijë e 500 m2 tokë, duke përdorur dokumentet e falsifikuara të një gruaje të verbër.

Sh. Gjeçi, prej vitit 2013 kishte humbur shikimin dhe ka përfituar statusin e të verbrit, duke mos pasur mundësi as të shikojë por as të shkruajë.

Mirëpo në dokumentet e hipotekës së Durrësit, rezulton se ajo ka kryer një seri veprimesh noteriale duke autorizuar persona të ndryshëm me qëllim përpilimin e dokumenteve hipotekore e deri tek shitja e një sipërfaqe toke prej 13 mijë e 500 metra katror në Shkallnur të Durrësit.

Sipërfaqja fillimisht është regjistruar në emër të N., Sh., dhe K Gjeçit. Më tej është shitur në qershor 2015 nga përfaqësuesi i tyre me prokurë.

Por gjatë marrjes në pyetje nga SPAK, N. Gjeçit, ka treguar se nuk kishte asnjë dijeni për hipotekimin e kësaj pasurie dhe s’kishte asnjë dijeni për kontratën e shitjes, duke shtuar se personin e autorizuar G. Tushe nuk e njihte dhe as kishte lëshuar prokurë përfaqësimi për këtë shtetas.

Por një muaj më vonë nga shitja e tokës, në korrik 2015, në cilësinë e drejtuesit të hipotekës, Jurgis Çyrbja, ka lëshuar certifikatën hipotekore të kësaj pasurie për dy blerësit A. Xhafa dhe M. Merja.

Këta dy të fundit, pasi kanë marrë letra e pronës, kanë vendosur në 2018 të marrin një kredi prej 23 mijë euro, duke vendosur si garanci hipotekore pikërisht këtë pronë.

Përgjatë 3 viteve hetime, SPAK ka zbuluar se Jurgis Çyrbja në cilësinë e regjistruesit të hipotekës së Durrësit në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të këtij institucioni dhe kryetarin e komunës Shkallnur, kanë kryer veprime duke shpërdoruar detyrën në 5 raste. Bëhet fjalë për regjistrimin e 5 sipërfaqeve të tokë në fshatin Rrashbull.

Ndërkohë të pandehur për 5 rastet janë marrë Jurgis Çyrbja, ish-kryetar ZVRPP në Durrës (Deputet i PS), Hysen Gashi, ish-kryetar i Komunës Rrashbull, Qamil Lila, ish-drejtor i Zyrës Bujqësore në Komunën Rrashbull, Ervis Mustafa, ish-specialist jurist në ZVRPP Durrës dhe Edlira Çollaku, ish-juriste.


Shtuar 20.04.2025 16:43