Instalimi i DPI-ve te Vodafone dhe One, flet AKSK: S’po ju përgjojmë, pajisjet i morëm BORXH në Izrael

Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen Kibernetike (AKSK) ka reaguar më në fund përmes një përgjigjeje zyrtare në lidhje me debatin e ngritur pas vendosjes pa asnjë njoftim të pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI( në rrjetin e kompanive celulare Vodafone Albania dhe One Albania.

Përmes një përgjigjeje zyrtare të nisur gazetarit Emirjon Senja, AKSK pranon zyrtarisht instalimin e këtyre pajisjeve duke e ligjëruar këtë veprim me nevojën për të mbyllur shërbimin e Tik Tok në Shqipëri.

AKSK pranon gjithashtu se pajisjet DPI të instaluara te Vodafone Albania dhe One Albania janë ofruar nga Izraeli, ndërkohë që thuhet se ato nuk janë blerë, por vetëm janë marrë në përdorim për një vit dhe më pas do t’i kthehen Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të Izraelit, shkruan skyweb.al.

Këto detaje dalin për herë të parë në publik, ndërkohë që siç mësohet, AKSK i referohet një marrëveshjeje të lidhur me Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të Izraelit në shkurt 2023, pikërisht në periudhën kur plasi skandali i hakerimit të sistemeve të AKSHI-t dhe dolën në shesh pagat, targat, numrat e telefonit dhe llogaritë bankare të shqiptarëve.

Pyetur në lidhje me bazën ligjore, mbi të cilën u vendosen këto pajisje, AKSK thotë se është referuar VKM-së së qcverisë për mbylljen e Tik Tok; ligjit për Sigurinë Kibernetike si edhe ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e femijës”, ndërkohë që nuk ka asnjë referencë ligjore në lidhje që mbron të dhënat personale nga keqpërdorimi.

Po ashtu, në përgjigjen dhënë gazetarit Senja, AKSK thekson se pajisjet DPI nuk mund të përgjojnë qytetarët.

“Platforma DPI analizon VETËM kokën (headerin) e paketës së protokollit të internetit IP dhe e ka teknikisht të pamundur të deshifrojë/ç`kodojë dhe analizojë vetë përmbajtjen e paketës (payload-in). Komunikimet me përmbajtje që transmetohen në internet në vendin tonë, janë 100% të enkriptuara me çelsa të bazuar në algoritma asimetrik për shkëmbimin e tyre, si edhe simetrik për kodimin e përmbajtjes. Në këto kushte DPI NUK arrin të aksesojë dhe as të lexojë përmbajtjen e komunikimit. DPI sheh vetëm që “diçka po dërgohet diku”, por nuk mund të identifikojë dërguesin, marrësin dhe as përmbajtjen e informacionit”, shpjegon AKSK.

Instalimi i pajisjeve DPI pritet të bëhet edhe te ISP-të e tjera krahas Vodafone dhe One Albania sipas AKSK, pasi pritet të kalohet edhe në fazën e dytë të këtij procesi.

Shprehet AKSK:

Implementimi i teknikës DPI në Shqipëri është i ndarë në dy faza:

1- Faza e parë mbulon kompanitë celulare Vodafone dhe One.

2- Faza e dytë mbulon të gjithë ofruesit e shërbimit të internetit me shumicë (Wholesale), të cilët shërbejnë si ndërmjetës midis pikave të hyrjes së internetit në vendin tonë dhe ofruesve të tjerë të shërbimit të internetit.

Ekspertë të fushës si edhe gazetarët kanë shprehur shqetëim në lidhje me censurën si edhe keqpërdorimin e të dhënave personale përmes instalimit të pajisjeve DPI pa një një kuadër rregullator të mirëfilltë që i pret rrugën pikërisht problematikave të tilla.

Deri më tani, e vetmja siguri e ofruar nga AKSK është ajo verbale duke bërë shpjegime se çfarë bën dhe çfarë nuk bën DPI ndërkohë që nuk ka (të paktën nuk është vënë në dispozion) një procedurë që tregon se si mbrohen të dhënat personale.

Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka shprehur shqetësimin se pajisjet DPI bëjnë një profilizim të mirëfilltë të individëve gjatë perdorimit të internetit, ku edhe pse nuk mund të lexohet përmbajtja e mesazheve, mund të identifikohet bashkëbiseduesi; aplikacioni i komunikimit; nëse po flet me voice apo SMS, nëse po dërgon dokumente apo video, etj; cilat websitë apo aplikacione po viziton, etj.

Ndërkohë, AKEP që është institucioni përgjegjës për komunikimet elektronike në Shqipëri nuk ka reaguar ende. /skyweb.al


Shtuar 10.04.2025 22:56