Nga Prof.Dr Gjergj Sinani
Që në 14.02.2018 kisha hedhur ne gjyq MAS pasi teksti im i filozofisë nuk ishte pranuar dhe kishin fituar tekste me gabime të rënda dhe të shkruar nga autorë që nuk kishin shkruar as edhe ndonjë artikull filozofik. Në atë kohë reagova në media rreth teksteve fitues duke treguar dhe rolin e filozofisë dhe rëndësinë e teksteve filozofike për të edukuar mendimin kritik të qytetarit në demokraci dhe filozofia pikërisht këtë mision ka).
Që në vitin 2017 gjykata e shkallës së pare e hodhi poshtë padinë tone. Para pak ditësh më erdhi vendimi i Apelit të Gjykatës administrative. Duke lexuar “Vendimin në emër të Republikës” nga gjykata administrative e Apelit e përbërë nga Gentian Hamiti (Relator), Adrian Dvorani dhe Sokol Ibi mbeta i shtangur jo për lënien e vendimit të shkallës së parë, por për faktin se nuk mund të gjeje një model më të mirë për të ilustruar fenomenin se si mund t’ja dredhësh ligjit duke ju referuar ligjit! Në 27 faqe kemi një spërdredhje të sforcuar për të mbrojtur Ministren Lindita Nikolla.
Atëherë mu kujtua Monteskjë, i cili që në shek. XVII në veprën e famshme që futi filozofinë te ligji, “Fryma e ligjeve”, shkruante se ka rëndësi se kush janë gjyqtarët e një kombi, sepse ata me vendimet e tyre edukojnë jo vetëm kombin, por prej tyre do të dalë dhe klasa drejtuese e kombit. Ndërsa dishepulli i tij, Tokëvili, duke glorifikuar drejtësinë në SHBA shkruante se nuk ka asnjë më të admirueshme kur gjyqtari i bie bankës dhe deklaron se qytetari X fiton ndaj shtetit Y. Se kur do të mbërrijë kjo ditë në Shqipëri, ky “Vendim në emër të Republikës” më bën të mendoj se fatet e Republikës janë në rrezik dhe kjo ditë do të jetë shumë e largët.
“Forca e gjykatave, në të gjitha kohët, shkruante Tokëvili, ka qenë garancia më e madhe që mund t’i ofrohet pavarësisë individuale, por, ajo është sidomos e vërtetë në shekujt demokratikë; të drejtat dhe interesat e të veçantëve janë gjithmonë në rrezik, në qoftë se pushteti gjyqësor nuk rritet dhe nuk zgjerohet në masën që kushtet barazohen” (Alexis de Tocqueville, “de la Démocratie en Améririque, Flammarion, Paris, 1981, f; 292-293). Pra, pushteti gjyqësor duhet të mendojë më shumë në favor të individit dhe jo të pushtetit. MAS ka shpërfillur jo vetëm barazinë e kushteve, por edhe meritokracinë. Kur pushteti frikëson, apo më keq akoma, korrupton gjykatat, rruga është a hapur për tiraninë.
Ky vendim fillon me disa faqe ku në mënyrë qesëndisëse gjyqtarët, përfshirë dhe atë të shkallës së parë, marrin disa fraza nga padia jonë ku përmenden momente nga CV jonë dhe ironizohet në formën: “Jo vetëm paditësit nuk kanë marrë asnjë vlerësim moral e shoqëror për cilësinë e shkëlqyer që kanë ofruar…”, ose “pala e paditur… të vlerësojë siç duhet punën e tyre profesionale, serioze e maksimalisht cilësore”, ose “kjo sjellje (e MAS) ushtrohet kundrejt dy personave që paraqesin cilësi…”, dhe në korsiv, “cënojnë emrin e mirë që gëzojmë” e kjo melodi përsëritet disa herë. Po të nderuar gjyqtarë, e tillë ka qenë kariera dhe puna jonë. Dikur Rusoi shkruante se modestia e tepruar është budallallëk. Në shoqëritë e barazisë së kushteve dhe jo barazisë së talenteve, kjo është një gjë normale që lidhet me dinjitetin e personit. Ky ishte teksti i katërt i shkruar nga unë për mbi 20 vjetësh. (Kujtoj se kur ja thashë këto në seancën e parë gjyqtares ajo më tha se nuk është detyrë e saj të merret me këto gjëra që lidhen me cilësinë e tekstit në raport me ato të aprovuara, ndërsa në vendimin e republikës sillen në mënyrë shpotitëse. Megjithatë, në qoftë se duan t’i futen kësaj rruge mund t’i marrin te MAS CV e të gjithë autorëve dhe tekstet fituese dhe tekstin tonë të hedhur poshtë).
Arti i qeverisjes demokratike dhe të legjislatorëve të saj është se si të pajtohet barazimtarizmi me pabarazitë natyrore. Nga zgjidhja e këtij problemi varet nëse do shkohet drejt lirisë apo tiranisë. Gustav Lë Bon, shumë kohë para se Europa të binte në natën e totalitarizmave, kur sapo ishin shfaqur prirjet socialiste paralajmëronte: “Një nga bazat më të forta të socializmit është urrejtja e thellë ndaj elitave”. Kjo mënyrë shpotitëse më kujtoi procesin e Sokratit, ashtu siç na e paraqet Platoni. Kur Sokrati u tha gjyqtarëve, ata ishin më shumë se ju të katërt, se ai meritonte të jetonte në Pritane (aty jetonin ata që i kishin shërbyer më mirë Republikës athinase dhe me shpenzimet e republikës), ata u irrituan edhe më shumë se si ky guxonte të mos e ulte kokën para tyre. Sokrati i shkretë mendonte se edhe me vdekjen e tij do t’i ndihmonte bashkëqytetarët e tij të mendonin lirshëm dhe të mos e mbanin kokën ulur para pushtetit dhe, kështu, bëri një vetëvrasje juridike.
Tërë thelbi i këtyre 27 faqeve mund të përmblidhet në arsyet e lënies së vendimit të shkallës së parë që i jepte të drejtë MAS. Të shikojmë të parën: gjithmonë sipas metodës së dredhjes së ligjit duke ju referuar ligjit, trupa gjyqësore e Apelit administrativ, nuk na legjitimon pasi këtë të drejtë e ka shtëpia botuese. Dhe për këtë i referohen e stër-referohen një udhëzimi të MAS ku legjitimon palë shtëpinë botuese dhe jo autorët. Të nderuar gjyqtarë, të drejtat që lidhen me dinjitetin e njeriut na i jep kushtetuta dhe aktet ndëkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria. Për ta ilustruar nuk po marr Kushtetutën e SHBA ose atë franceze, por po ju referohem dy kushtetutave që dolën nga regjimet totalitare si Gjermania dhe Italia. “Ligji themelor i RFA i 23 Maj 1949 në nenin 1/1 thotë: “Dinjiteti i qenies njerëzore është i paprekshëm. Të gjitha pushtetet publike kanë detyrimin për ta respektuar dhe për ta mbrojtur”. Kushtetuta italiane (27 Dhjetor 1947), në nenin 3 thotë: “Të gjithë qytetarët kanë të njëjtin dinjitet social dhe janë të barabartë përpara ligjit, pa dallim seksi, race, gjuhe, feje, opinioneve publike, kushteve personale dhe sociale”. Këto faqe të vendimit tuaj janë një model i shkëlqyer se si t’ja dredhësh ligjit duke ju referuar ligjit, udhëzimeve e urdhrave. Mbas egërsive të Luftës II Botërore, arsyetimi juridik ju rikthye të drejtës natyrore. Pozitivizmi juridik i Kelsenit ishte mënyra si mbroheshin kriminelët nazistë në procesin e famshëm të Nurembergut. Po ju jap një rast nga jurisprudenca europiane, që ka qenë objekt diskutimi dhe një model i daljes nga pozitivizmi juridik.
Po ju sjell shembullin e një pronari, që ka marrë autorizimin për të ndërtuar në territorin e vet një godinë me shumë kate dhe, ndërtimi i të cilës ka si pasojë tërheqjen e tymit të oxhakut të një shtëpie të vogël ngjitur. A duhet ta pësojë këtë dëm fqinji, pa marrë një reparacion? Në qoftë se jo, atëherë çfarë motivi duhej sjellë për të detyruar pronarin e pallatit të madh për të riparuar dëmin? Për vite të tëra gjykatat ishin dakord për ta dënuar këtë të fundit me rindërtimin e oxhakut. Por, motivimet e këtyre vendimeve varionin dhe asnjë nuk ishte konform me interpretimin normal të teksteve të përmendura. Disa i referoheshin kodit civil që thoshte se çdo fakt çfarëdo i njeriut, që i shkakton tjetrit një dëm, e detyron këtë për të riparuar dëmin e shkaktuar. Normalisht, është e qartë se vetëm për faktin që i ka shkaktuar dëm një tjetri nuk e detyron për ta riparuar; për më tepër duhet që dëmi të jetë pasojë e një gabimi. Por, për çfarë gabimi mund të qortohet ai që ndërton në truallin e vet një godinë, në përputhje me autorizimin që ka marrë?
Disa vendime konsideronin si pjesë të gabimit vetë faktin që fqinjit i ishte krijuar një shqetësim. Më vonë konsiderohej si gabim cënimi i të drejtës së pronësisë së fqinjit. Gjykata prirej për ta zgjeruar nocionin e gabimit duke i atribuar një përmbajtje të kulluar objektive, duke ndjekur idenë se cënimi i të drejtës së tjetrit, në vetvete, përbënte një fakt të paligjshëm, domethënë një gabim. Kjo jurisprudencë nuk u ndoq.
Mungesa e një motivimi të kënaqshëm nuk shpinte në një paqe juridike, prandaj duhej gjetur një konstruksion juridik që, edhe pse arrinte në të njëjtin rezultat, do të jepte një bazament juridik të pranueshëm. Për më tepër, në qoftë se godina do të konsiderohej si gabim, atëherë ajo duhej të prishej, por kjo zgjidhje nuk pranohej nga asnjë, në Belgjikë, për faktin se çmimi i terreneve në qendër të qyteteve, impononte ndërtimin në lartësi, si zgjidhja e vetme e problemit ekonomik. Konstruksioni juridik i referohej parimit, që nuk shpallej në asnjë tekst legal, por prej të cilit frymëzoheshin shumë dispozita, si legale dhe kushtetuese; parimi i barazisë së qytetarëve përpara përgjegjësive për jetën në shoqëri. Ky parim buronte jo vetëm nga kushtetuta belge që pohonte barazinë e qytetarëve para ligjit dhe ndalimin e privilegjeve në fushën e taksave si dhe të drejtën e qytetarëve belgë për një shpërblim të drejtë dhe paraprak në rast shpronësimi për nevoja publike. Për më tepër, shumë tekste legale pohonin se kishte vend për shpërblime për të gjitha ato aktivitete të autorizuara, por që shkaktonin dëme. Për të gjetur një zgjidhje për problemin e shqetësimeve të jashtëzakonshme të fqinjësisë, mjafton që të zbatohej ky parim i barazisë, domethënë pronarët fqinjë që kanë një të drejtë të barabartë për gëzimin e pronësisë, rezulton se sapo të fiksohen marrëdhëniet ndërmjet pronave, duke marrë parasysh përgjegjësitë normale që rezultojnë nga fqinjësia, atëherë ekuilibri duhej të mbahej ndërmjet të drejtave respektive të pronarëve.
Për shkak se pronari i një godine, i cili, për shkak të një fakti jo të gabuar, e prish këtë ekuilibër, duke i imponuar pronarit fqinj një shqetësim, duke e zgjeruar masën e mospërputhjeve të zakonshme të fqinjësisë, ai duhet ta dëmshpërblejë me një kompensim të drejtë dhe të përshtatshëm për rivendosjen e barazisë së prishur. Këto vendime, duke dhënë një zgjidhje bazuar në të drejtën, mund të vendosnin paqen juridike. Edhe në Francë u vendos se dëmi anormal në raport me përgjegjësitë e fqinjësisë e justifikojnë një reparacion edhe pse autori i dëmit nuk është në gabim.
Në këtë rast, justifikimi i gjetur i bën thirrje një parimi të përgjithshëm që asnjë tekst nuk e formulon në mënyrë të prerë, por që e drejta pozitive ofron shumë raste konkrete. Por, pranë parimesh të tilla, vihet re se, pas Luftës II Botërore dhe procesit të Nurembergut, gjykatat, gjithnjë e më shpesh, i bëjnë thirrje parimeve të përgjithshme të të drejtës, të përbashkëta për popujt e qytetëruar. Shkurt, nuk mund të mbrohet Nikolla përmes pozitivizmit juridik.
Përmes sofizmash për të deligjitimuar padinë përdorni vetëm një shprehje latine që drejtësia i ka marrë nga vepra e Aristotelit, Topikët, si (legitimation ad causam). Po pse nuk përmendni, për shembull, lucrum cessans (mungesa e fitimit) e lidhur kjo me damnum emergens (shprehje që përdoret në fushën e përgjegjësisë civile, zgjerimin e dëmit material dhe, në mënyrë korelative, shumën e shpërblimit e përcaktuar nga dy elementë; domosdoshmërish nga humbja, eventualisht nga fitimi i munguar, domethënë lucrum cessans), ose contra legem (në kundërshtim, ose në dhunim të ligjit), ose Lex specialis derogat legi generali: një ligj special bie në kundërshtim me një ligj të përgjithshëm, ose Et auditaur altera pars: duhet gjithashtu që të dëgjohet pala kundërshtare. Kjo është një shprehje lapidare e parimit të të drejtës së mbrojtjes, e konsideruar si themelore në administrimin e panshëm të drejtësisë. (Në rastin tonë ju nuk zhvilluat gjyq të rregullt, por u mjaftuat në dhomën e këshillimit), ose Venire contra factum proprium: nuk mund ta goditet me atë që rezulton nga fakti i vet. Në të drejtën administrative ky rregull e detyron administratën të konformohet me rregullat që ajo vetë ka krijuar, ose Pretium doloris, çmimi i dhimbjes, shprehje që rekomandon dëmshpërblimin e vuajtjeve, ose një më modern, Pengesa është e ndaluar, kjo maksimë ndodhet në bazë të teorisë së abuzimit me të drejtën, etj., etj. Pra, ka shumë topikë që e ndihmojnë gjyqtarin të bëjë drejtësi. Ju zgjidhni atë që favorizon MAS kur përpiqeni të na deligjitimoni.
Kjo spërdredhje është flagrante kur i referoheni një udhëzimi të MAS për altertekstin ku ju u referoheni atyre pikave të përgjithshme të organizimit të konkursit për të shmangur detyrimin se katalogu shpallet pasi tu jenë dhënë përgjigjet e ankimimeve. Ankimimit të shtëpisë botuese përgjigjja ju dha më 02.06.2017, ndërkohë që katalogu me tekstet fituese qe shpallur që në 22.05.2017. Dhe ju vetë në vendim thoni se me anë të kësaj “i ka bërë të ditur se teksti Filozofia 11, nuk përfshihet në tri alternativat e para, të cilat janë fituese”. Pra ju vetë shkruani se kjo ishte “për të bërë të ditur” dhe nuk kishte arsyet se pse ky tekst ishte rrëzuar. Kjo përgjigje është nul, pasi katalogu qe shpallur nga MAS. Këtë “vënie në dijeni”, ju e konsideroni përgjigje? Deri më sot ne nuk i dimë arsyet e rrëzimit. Tani çfarë thotë ky udhëzim? Ky udhëzim thotë se për këtë proces ngrihet KVTSH (Komisioni i vlerësimit të teksteve shkollore). Pasi i silleni vërdallë këtij udhëzimi, lini pa përmendur pikën dh, që përcakton se detyra e këtij komisioni është shpallja e vendimit: “Shpalljen e vendimit për renditjen përfundimtare të teksteve shkollore te reja për lende/klasë/profil sipas pikëve, pas përfundimit të afatit të ankimeve”. Ju vetë në vendim thoni se “vënia në dijeni” e shtëpisë botuese me shkresë dt. 18.05.2017 ku ajo i ka paraqitur KVTSH ankimimin, i cili me shkresë dt. 02.06.2017 “nuk e ka pranuar këtë ankim”. Del pyetja, pse nuk e ka pranuar? A kemi të bëjmë me arrogancë të pushtetit? Ankimin tonë si autorë e kanë shpërfillur plotësisht. Ju vazhdoni: “Me shkresën datë 13.06.2017 me objekt “Ankim për mosmarrje të përgjigjes së argumentuar për humbjen e tekstit “Filozofia 11”, shtëpia botuese “Pegi” i është drejtuar Ministrit përkatës, ku ka kërkuar një përgjigje të argumentuar në lidhje me arsyet e mos përzgjedhjes së tekstit të paraqitur prej saj. Në lidhje me këtë shkresë, pala e paditur nuk ka kthyer ndonjë përgjigje deri në momentin e gjykimit të kësaj mosmarrëveshje”. Këto janë fjalët tuaja në vendim. Ky refuzim kategorik për të dhënë arsyet e refuzimit, a nuk shkon në favor të palës së dëmtuar? Dhe në radhë të parë pala e dëmtuar jam më shumë unë se sa shtëpia botuese. Në të gjitha kodet e shoqërive demokratike, heshtja e administratës shkon në favor të palës së dëmtuar. Me sa di kështu e ka dhe kodi ynë civil. Por kur kemi një refuzim të tillë, sa dhe ju vetë e pranoni, pse nuk e interpretoni në favor të palës së dëmtuar, siç ndodh në të gjitha shoqëritë e lira demokratike? Dhe për sqarim për ju pasi e vërtisni vendimin sikur ne kemi kërkuar emrat e komisionit të vlerësimit. Jo, nuk kemi kërkuar emrat, por kemi kërkuar argumentet dhe procedurat, pasi, siç thuhet, djalli qëndron te detajet.
Ndërsa pika ç:6 thotë: “Katalogu te shpallet nga KVTSh-ja pas miratimit te ministrit te Arsimit dhe Sportit”. Ministrja Nikolla e ka nxjerrë urdhërin më datë 22.05.2017.
Kryevepra e vendimit është arsyeja e tretë. Ju shkruani: “Së treti, pretendimi i palës paditëse për paligjshmërinë e urdhërit nr. 289, date 22.05.2017 të MAS “Për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të klasave 2, 7, 10, 11, për systemin arsimor para universitar, për vitin shkollor 2017-2018” me argumentin se është firmosur nga ministrja Lindita Nikolli pasi ajo ishte shkarkuar nga detyra, me dekretin 10363, date 22.05.2017 të Presidentit të Republikës dhe nuk kishte të drejtë firme u hodh poshtë nga gjykata me vendimin e saj. Pala paditëse gjatë gjykimit (në apel pala paditëse nuk u thirr, Gj.S.) nuk paraqiti asnjë provë që të provonte se urdhëri i sipërcituar, është nënshkruar nga ministrja pas miratimit nga Kuvendi me vendimin nr.66/2017 datë 22.05.2017, të dekretit nr. 10363, datë 22.05.2017, moment nga i cili ky dekret ka sjellë efektet juridike”.
Ju lutem, tregoni një minimum serioziteti dhe të respektit ndaj vetvetes. Çfarë provash kërkoni ju? T’ju sjell kamerat e sigurisë se në çfarë kohe saktësish Lindita firmosi urdhrin, Nishani, ndjesë pastë, firmosi dekretin dhe Kuvendi nxori vendimin? Po t’i kthehemi historisë, që në natën e datës 17 Maj ministrja de fakto u shkarkua. Tani, nga data 17 deri në 22 Maj, nuk pati kohë ta nxirrte urdhrin? Në kohë elektorale ministrave nuk u lejohet të kryejnë veprime që lidhen me shuma të mëdha. (Alterteksti ishte një biznes me qindra milion lekë). Po jua theksoj; nuk e shpëtoni nderin e ministres duke përdorur pozitivizmin juridik. Për saktësim; urdhri nr. 289, datë 22.05.2017, që ju i referoheni nuk lidhet me përzgjedhjen dhe shpërndarjen e teksteve, por lidhet me pagesat e studentëve të ekselencës. Ka një kontradiktë të madhe. Ndërsa MAS mendon për studentët e ekselencës, në zgjedhjen e teksteve nuk e ka parasysh ekselencën, ndërsa ju fjalët tona në padi i sillni në mënyrë shpotitëse. Mesa duket subkoshienca juaj ju thotë se meritokracia nuk është respektuar.
Kulmi i kulmeve në vendim, për të provuar deligjitimimin e padisë është fraza: “Nga interpretimi sistematik dhe teologjik i dispozitave…”. Nuk po ju besoja syve! Ç’punë kanë sistemizmi dhe teologjia në këtë çështje! Mos vallë unë kam bërë blasfemi që kam paditur MAS! Apo vetë Zoti është në favor të ministres Nikolla dhe shefit të alterteksit, z. Agim Leka, i cili në doktoratën e tij shkruan se origjina e totalitarizmit në Shqipëri fillon që me shpalljen e pavarësisë! Është interesante të lexosh në këtë vendim se kur vjen puna te legjitimiteti interpretimi i gjyqtarëve nuk njeh limite, kur vjen puna te shkeljet e MAS kemi pozitivizmin strikt (siç). In claris non fit interpretation, ose interpretation cessat in claris. Kur gjërat janë të qarta pse lodheni me interpretime, madje shkoni deri te teologjia. Përpara se të shkoni te argumenti teologjik, a e ndjeni përgjegjësinë si qytetarë të republikës për tekstet që edukojnë të menduarit, ndoshta, dhe të fëmijëve tuaj? Kur Moisiu solli urdhëresat e Zotit, i gjeti njerëzit e vet që vallëzonin rreth viçit të artë. Ju e dini se librat e shenjta flasin përmes metaforave dhe parabolave. Kuptimi i episodit është se kur njerëzit largohen nga udha (udha e Zotit) perëndia e tyre bëhet floriri. Madje, një nga urdhëresat e Zotit e ndalon këdo që përdor emrin e tij për qëllimet e veta. Prandaj, njerëzit e prisnin mesinë, në radhë të parë, për vendosjen e drejtësisë në tokë.
Amos, për shembull, konsiderohet si individi që revoltohet kundër organizimit të vendosur. Ai denonconte padrejtësitë që shikonte te politikanët dhe drejtuesit fetarë. Ai shqetësohej për degjenerimin moral të drejtuesve dhe të popullit. “Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë së ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit…Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla. Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore; pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit. Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen”.
Drejtësia kërkon edhe inteligjencën. “Një popull, i privuar nga inteligjenca, vrapon drejt shkatërrimit të vet”, do të predikonte Osea. Madje drejtësia konsiderohet si kërkesë e Zotit, siç na e thotë Ezekieli. “Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë… në rast se nuk shtyp kërkënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq, në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burri dhe burrit, në rast se jeton sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar, thotë Zoti”.
Për më tepër, ndëshkimi është shumë i rëndë për ata që nuk ndjekin rrugën e Zotit, domethënë largohen nga moraliteti dhe drejtësia. Në qoftë se do i referohemi Dhjatës së Vjetër, mallkimi i atyre që largohen nga udha është shumë i ashpër: “Dhe nëse, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t’ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja”, shkruhet te Levitikët.
Le ta mbyllim me fjalët e forta të Jezusit kundër hipokrizisë, të atyre që ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë. Le të kujtojmë shtatë mallkimet kundër skribëve dhe farisejve hipokritë: “Vij për ju skribë e farisej, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhura me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi”. Fjalë që godasin, plot kërkesa morale dhe fetare, që ai kërkon për njerëzit.
Po ta shikosh, më duket se teologjia anon më shumë nga unë se sa nga MAS dhe ju që spërdridheni për të mbrojtur diçka që nuk mund të mbrohet. Ndoshta, për këtë rast, për ta mbyllur me teologjinë, do të shkonte citimi nga Shën Agustini, që solli Papa Ratzinger, në vitin 2008, në parlamentin gjerman. “Hiqeni të drejtën – dhe atëherë çfarë e dallon shtetin nga një bandë e madhe hajdutësh?”. Për Agustinin, drejtësia është guri i themelit të shoqërisë civile, domethënë të shoqërisë me shtet. Kur nuk bëhet drejtësi edhe liria e individit është e kërcënuar.