Këtë të enjte, në selinë e KQZ-së, u zhvillua një takim me Drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit institucional në luftën kundër krimeve zgjedhore.
Nga ky takim, u ra dakord për krijimin e një Protokolli Koordinimi që do të sigurojë komunikim të pandërprerë dhe reagim të shpejtë ndaj shkeljeve gjatë periudhës zgjedhore.
Kjo marrëveshje parashikon ngritjen e strukturave të dedikuara nga SPAK, përfshirë prokurorë dhe hetues në nivel qendror dhe lokal, për të monitoruar dhe trajtuar çdo rast të dyshuar.
Përveç kësaj, një sistem i unifikuar denoncimesh do të mundësojë qytetarët dhe organizatat civile të raportojnë çdo parregullësi, me analiza dhe hetime të menjëhershme. Po ashtu, do të krijohet një qendër monitorimi në KQZ që do të mbledhë dhe analizojë të dhënat në kohë reale, duke siguruar një reagim të shpejtë dhe efektiv. Ky bashkëpunim i përforcuar synon të sigurojë zgjedhje të lira, të ndershme, duke garantuar një proces të pastër dhe të mbikëqyrur plotësisht.
Njoftimi:
Sot në @KQZ Shqiperi zhvilluam një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, për të rritur bashkëpunimin institucional në funksion të parandalimit dhe ndjekjes së krimeve zgjedhore.
Diskutuam për krijimin e një Protokolli të Koordinimit Institucional mes KQZ dhe SPAK, që do të mundësojë linja komunikimi të hapura 24/7, raportim të menjëhershëm dhe ndërhyrje të shpejtë në rastet e shkeljeve. SPAK do të organizojë struktura të dedikuara në nivel qendror dhe lokal, të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilët do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit tanë në çdo qark dhe në nivel qendror.
Jemi të vendosur që, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK, të rrisim praninë institucionale në terren, që tre muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Do të krijojmë mekanizma të dedikuar për monitorimin dhe raportimin në kohë reale të çdo problematike, duke garantuar që çdo rast i dyshuar të adresohet menjëherë nga institucionet kompetente.
Një nga hapat konkretë në këtë drejtim është edhe krijimi i një sistemi të unifikuar të denoncimeve, ku qytetarët, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë do të mund të raportojnë raste të mundshme të krimeve zgjedhore. Këto denoncime do të analizohen me seriozitetin më të madh jo vetëm nga KQZ, por edhe nga hetuesit dhe prokurorët e SPAK për të garantuar një ndjekje të plotë dhe efikase të çdo shkeljeje.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte aksesimi nga SPAK në Ndërfaqen e Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ, sistemi që monitoron dhe evidenton shkeljet e mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve. Kjo do të rrisë efikasitetin e hetimeve dhe do të ndihmojë në identifikimin e praktikave të paligjshme që cënojnë barazinë e garës zgjedhore.
Nga ana jonë, në KQZ po punojmë për ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Procesit Zgjedhor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të grumbullojë informacione nga terreni në kohë reale përmes përdorimit të teknologjisë dhe raportimeve nga komisionerët, monitoruesit dhe përfaqësuesit tanë në çdo qark. Ky mekanizëm do të na mundësojë të kemi një pasqyrë të plotë të situatës dhe do të ndihmojë edhe hetuesit e SPAK për të kryer një ndjekje më të shpejtë dhe efektive të rasteve me elementë penalë.
Ramë dakord me Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, për finalizimin e Protokollit të Koordinimit mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, një hap konkret që do të sjellë më shumë transparencë dhe efikasitet në luftën kundër krimeve zgjedhore. Ky bashkëpunim do të shërbejë si një garanci e fortë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet dhe në kohën e duhur.