Ndonëse na ndajnë më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare 2025, maxhoranca ka ndezur motorët për zgjedhjet e 11 majit.
Aktiviteti i tanishëm tregon se fokusi i qeverisë janë emigrantët, për të cilët tashmë kanë bërë gati platformën e gjurmimit dhe kanë nisur implementimin e saj, si edhe pensionistët, ku disa herë Kryeministri Rama i është drejtuar atyre me mesazhe të drejtpërdrejta.
Bonusi i fundvitit, por edhe bonusi i premtuar në pranverë, mund të lexohen si elemente të paketës së mesazheve.
Edhe vjet buxheti doli me suficit, por vetëm këtë vit qeveria e pa të udhës që të shpenzonte rreth 100 milionë euro për t’u dhënë pensionistëve më shumë se një gjel deti për Vitin e Ri.
Nga ana tjetër, opozita, tashmë me Berishën e dalë nga arresti shtëpiak, po përpiqet që të shpëtojë çfarë të mund të shpëtojë për kohën që i ka mbetur, ndërkohë që duket se do të jenë zgjedhjet strategjike që do të bëjë Berisha, që mund të ndryshojnë panoramën në qarqe të caktuara, ku zakonisht është vendosur fati i zgjedhjeve.
Shkodra dhe Durrësi, duket se këtë herë do të jenë kryeqendrat e përplasjes elektorale. Shkodra ka hyrë së fundmi në këtë “ligë” për shkak se socialistët kanë marrë bashkinë për herë të parë dhe kanë projektuar investime ambicioze në infrastrukturë, ndërsa Durrësi ka një specifikë tjetër.
Shanset që e djathta të marrë rezultat pozitiv në Durrës shtohen edhe nga fakti që Rama, edhe si deputet i Durrësit, nuk ka arritur të sjellë ndryshime apo investime në një qytet që vuan masakrën urbane. Edhe projekti i kontestueshëm i Durrës Yacht Marina, i nisur me arabët, duket se nuk ka sjellë akoma ndonjë entuziazëm.
Analiza e historikut të zgjedhjeve tregon se Durrësi është qarku që ka shërbyer si një lakmus i fitores apo humbjes së opozitës në zgjedhje. Diçka e tillë daton që prej vitit 2005, por edhe më herët. Kur ka humbur Durrësin, e djathta ka humbur zgjedhjet dhe anasjelltas.
Por, fushata e zgjedhjeve të 11 majit 2025 duket se sjell ndryshime të rëndësishme sa i përket aktorëve politikë të të dyja kampeve për qarkun më të madh bregdetar.
Për këtë po shërbejnë SPAK-u për socialistët dhe vendimarrjet e Berishës për demokratët.
Analiza e zgjedhjeve të shkuara na tregon se Vangjush Dako, ka qenë kontribuesi kryesor i fitoreve të së majtës. Por, në zgjedhjet që vijnë Dako nuk do të jetë aktiv si pasojë e problemeve të hapura me drejtësinë.
Ndërsa në kampin tjetër, Ferdinand Xhaferaj, që ka drejtuar disa fushata në Durrës, nuk pritet që të aktivizohet si pasojë e problemeve me lidershipin e Partisë.
Referuar deklaratave publike, ai është i vetmi që mbështet ende tezën “bashkim në diversitet” për PD dhe vazhdon të jetë kritik për mënyrën se si Berisha po e drejton partinë.
Megjithatë, nëse për demokratët gjërat nuk kanë ndryshuar shumë në terren pasi aktorët janë aty, për socialistët është përmbysur e gjithë panorama e zgjedhjeve të kaluara.
Krahas Dakos, për shkaqe të ditura, në lojë nuk do të jenë as Lefter Koka, as Ardian Çela dhe as Jurgis Çyrbja. Arrestimi i këtij të fundit nxori në pah se si funksiononte makineria e votave të PS në këtë qark.
Pa katër “lojtarë” të fortë në fushë, PS duket se do të jetë e dobët përballë demokratëve në Durrës, nëse edhe Berisha zgjedh të luajë “letrat e duhura” për ta fituar atë.
Ndoshta, Durrësi është qarku i vetëm ku fitorja ose humbja e tij lidhet nga vendimmarrja e drejtuesit të PD. Për ta konkretizuar këtë, mjafton t’i bëjmë një analizë zgjedhjeve të shkuara.
Zgjedhjet e kaluara
Skaneri i zgjedhjeve të shkuara hedh dritë se si erdhëm deri këtu.
Vangjush Dako hyri në politikë në zgjedhjet lokale të 2007 pas një fitoreje të ngushtë me ish-zv. Ministrin e Transporteve, Armand Telitin. Dako mori 19,097 vota, kurse Teliti 18,789 vota.
Më tej, në të gjitha testet elektorale (zgjedhje lokale dhe zgjedhje politike), Dako ka drejtuar me sukses pothuajse të gjitha fushatat e Partisë Socialiste (përveç zgjedhjeve të vitit 2009), përfshi edhe zgjedhjet politike të vitit 2021.
Ndërsa Xhaferaj, fitoi në zgjedhjet politike të 2005, por kishte fituar edhe në zgjedhjet e vitit 1997, kur PD dhe partitë e koalicionit nuk bënë dot fushatë thuajse në gjysmën e vendit. Xhaferaj do të ishte i vetmi kandidat që fitoi drejtpërdrejt në pellgun Durrës-Tiranë.
Në zgjedhjet politike të 2009, Ferdinand Xhaferaj si drejtues politik i qarkut Durrës siguroi 7 mandate për Partinë Demokratike kundrejt 5 mandateve të siguruara nga PS. Kjo është edhe e vetmja fitore e të djathtës në Durrës që nga ndryshimi i sistemit zgjedhor në proporcional.
Zgjedhjet lokale të vitit 2011, janë e vetmja përballje e drejtpërdrejtë e Dakos me Xhaferajn në Durrës. Ndërkohë që ishte ministër, Xhaferaj do të dorëhiqej për të garuar për Bashkinë e Durrësit pikërisht përballë Vangjush Dakos që drejtonte prej katër vitesh këtë bashki.
Përballja ishte shumë e fortë dhe Dako ia doli të ishte fitues.
Por, janë numrat ato që na tregojnë më shumë mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve, profilet dhe rolin e të dy kandidatëve si makineri votash nga të dyja palët.
Vangjush Dako, siguroi 33,368 vota duke rritur votat që kishte marrë në vitin 2007 me 74%. Kjo është edhe rritja më e madhe e votave që ka shënuar një kandidat, për të gjitha bashkitë kryesore të vendit, gjatë gjithë historisë së tranzicionit. Për të pasur më të qartë, theksojmë se Edi Rama, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e kishte përmirësuar rezultatin e tij të katër viteve më parë me vetëm 27%.
Ferdinand Xhaferaj, siguroi 29,785 vota duke rritur votat që kishte marrë Armand Teliti në 2007 me 59%. Kjo ishte një rritje shumë domethënëse, por që nuk u dha dot fitoren demokratëve.
Ndërkohë që Dako ishte një yll në ngjitje në PS për shkak të mbështetjes së pakursyer të Kryeministrit Rama, nisur pikërisht nga roli i tij në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në Durrës, duket se ky do të ishte momenti i dytë që do të sillte një tjetër ftohje mes Berishës dhe Xhaferajt.
Ishte pikërisht Berisha që (sipas deklarimeve publike të Xhaferajt) kishte insistuar në kandidimin e tij në Durrës përballë Dakos, por edhe pse arriti një rezultat shumë të mirë për demokratët, ai nuk u rikthye ministër sikurse Berisha kishte vepruar më parë.
Me sa duket, kryedemokrati, tashmë i gjithëpushtetshëm, nuk ia kishte falur Xhaferajt PDr-në e fillimit të viteve 2000, një projekt i mbështetur nga diplomatët perëndimorë në atë kohë, pavarësisht partizanizmit të Xhaferajt për të mbrojtur një çështje të pambrojtshme si ajo e Gërdëcit ku prekeshin familjarët e Berishës.
Ndërsa Rama është investuar ta mbajë Dakon, duke dhënë mesazhin e fortë publik (në shkurt të 2020) se e kishte mik për të tashmen dhe të ardhmen, Berisha dhe Xhaferaj kanë dëshmuar një marrëdhënie me shumë ulje-ngritje që, në më të mirën e tyre, mund të quhet korrekte apo institucionale.
Por, rezultati i zgjedhjeve lokale të 2023 ekspozon edhe më shumë evidencë për ndikimet që mund të kenë përzgjedhjet e Berishës për këtë qark me rol përcaktues për fitoren e të djathtës.
Në zgjedhjet më të fundit lokale të vitit 2023, ku Vangjush Dako nuk ishte aktiv si pasojë e problemeve me drejtësinë dhe Ferdinand Xhaferaj nuk u pa aktiv në fushatë si pasojë e ndarjeve në PD, Emiriana Sako e Partisë Socialiste siguroi për Bashkinë Durrës (si njësi administrative, pa komunat) 33,512 vota, ndërsa Igli Cara i Partisë Demokratike siguroi 27,340 vota. KQZ raporton se në këto zgjedhje në lista ishin 185,710 zgjedhës.
Analiza na bën me dije se në vitin 2023 kemi pasur 32,523 më shumë zgjedhës në listë krahasuar me vitin 2011.
Por, shtimi i zgjedhësve në listë nuk është reflektuar aspak me shtimin e votave për kandidatët. Emiriana Sako e Partisë Socialiste ka siguruar vetëm 144 vota më shumë se Vangjush Dako në 2011. Ndërsa Igli Cara i Partisë Demokratike ka siguruar 2,445 vota më pak se Ferdinand Xhaferaj në 2011.
Me interes mbetet të analizohet edhe rezultati i Partisë Demokratike për Durrësin në zgjedhjet politike të vitit 2021 (nuk përfshihet Shijaku, Kruja dhe Fushë-Kruja), ku Dako ishte shumë aktiv dhe Xhaferaj shërbente si kryetar i PD për Durrësin. Në këto zgjedhje Partia Socialiste kishte të angazhuar në Durrës Dakon dhe Çyrben dhe mundësoi 52,309 vota.
Rezultati i zgjedhjeve të 2021 për tre partitë e mëdha. Qarku Durrës
Ky rezultat është vetëm 2,000 vota më shumë se votat që siguroi Partia Demokratike bashkë me LSI-në (grafiku më poshtë). PS e bëri diferencën në Fushë Krujë dhe Shijak, kurse Durrësi doli barazim.
Të gjitha të dhënat e mësipërme, konfirmojnë se Vangjush Dako dhe Ferdinand Xhaferaj, kanë qenë aktorët kryesorë të zgjedhjeve në qarkun e Durrësit, por këtë radhë duket se jo gjithçka varet prej tyre.
Dako e ka të pamundur angazhimin publik për shkak të problemeve të pambyllura me drejtësinë, kurse Xhaferaj mbetet gjithmonë kritik edhe për vendimmarrjet më të fundit të Berishës.