Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, thotë se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk mund të vazhdojnë pa ndryshuar asgjë, “nëse nuk duam t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur”.
Ai beson se rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë, pasi, siç thotë, Trump do marrëveshje.
“Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, thotë Munter në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka avantazhe dhe disavantazhe në raport me presidentin e zgjedhur, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka punuar në krijimin e lidhjeve personale me njerëzit e administratës së tij.
Munter ishte ambasador i SHBA-së në Serbi, kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Munter, Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për gati 14 vjet, por qëllimi përfundimtar mbetet ende larg. Nëse dikush do të duhej të mbante përgjegjësi për këtë situatë, kush besoni se do të ishte?
Cameron Munter: Nuk jam adhurues i madh i gjetjes së fajtorit. Jam adhurues i gjetjes së zgjidhjes. Ndaj, dua të bëj disa vlerësime se çfarë ka shkuar keq dhe çfarë mund të ketë shkuar mirë.
Unë mendoj se fokusi ka qenë në gjëra të vogla, në detaje – qofshin ato targa të makinave apo dokumente… Këto natyrisht se janë të rëndësishme në jetën e përditshme. Por, unë kam ndjesinë se duhet të zgjerohet diapazoni dhe kjo të mos trajtohet vetëm si çështje e Kosovës dhe Serbisë. Sepse, në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka çështje shumë të mëdha dhe sa më shumë që zhytemi në detaje, aq më pak përparim bëjmë.
Megjithatë, do ta thyej pak rregullin tim dhe do ta fajësoj pak Bashkimin Evropian, ku ka një tendencë për t’u marrë me detaje dhe jo me strategji të shkallës së gjerë.
Unë mendoj se strategji në shkallë të gjerë do të ishte sikur t’i shqyrtonim të gjitha çështjet në rajon, e jo vetëm çështjet institucionale.
Për çfarë brengoset BE-ja? Brengoset për imigrimin. Brengoset për energjinë. Brengoset për infrastrukturën. Këto janë çështje që Ballkani mund të ndihmojë të zgjidhen.
Nëse do të merreshim me to, më shumë sesa me detaje të vogla, mendoj se do të bënim më shumë përparim, sepse ato janë në interesin e të gjithëve, jo vetëm të Kosovës dhe të Serbisë, por edhe të Bashkimit Evropian, e madje edhe të SHBA-së.
Pra, përgjigjja ime për ju është: nëse duam të ketë përparim mes Kosovës dhe Serbisë, ai duhet të nxirret nga zgjidhja e çështjeve të mëdha.
Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë mundur të bëjnë më shumë në këtë proces?
Cameron Munter: Po. Marr si shembull Procesin e Berlinit, të mblidhen çdo gjashtë muaj, ta bëjnë listën e problemeve… Unë nuk dua të jem skeptik, por ky proces [i negociatave] e ka treguar veten jo në 3-4 vjetët e fundit, por në dhjetë vjetët e fundit, sepse nuk ka pasur përparim.
Unë jam larguar nga Serbia në vitin 2009, pra para 15 vjetësh, dhe shumë prej problemeve atje mbeten të njëjta.
Unë mendoj se procesi aktual duhet të ndryshojë dhe mendoj se do të ketë një shtysë për ta ndryshuar atë me ardhjen e administratës së re në Uashington.
Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë… Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik.
Kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më qëllim i Donald Trumpit. Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje.
Unë mendoj se njerëzit që jetojnë në rajon, njerëzit që punojnë në rajon, duhet ta kenë parasysh se qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi].