Ditën e sotme, gjatë një interviste në A2CNN, meteorologia e njohur Tanja Porja, ka zbuluar se kur do të rikthehen reshjet e shiut dhe të dëborës.
Pavarësisht se java e sotme ka nisur me diell, sipas meteorologes Tanja Porja, në zonat e thella malore temperaturat kanë zbritur në minus 4 gradë celsius.
“Dita e sotme do të jetë me diell. Termometri ka zbritur në ,minus 4 gradë në zonat e thella malore, ndërsa në brendësi në zero gradë. Mjaft ftohtë dhe diell. Temperaturat do të jenë nga minus 4 deri në 6 gradë në veri. Në pjesën e dytë të ditës kemi shtim të vranësirave. Termometri nuk ndryshon; maksimumi deri në 15 gradë celsius në rang territori nga nesër do të ketë rritje graduale të temperaturave”, tha meteorologia.
Sipas meteorologes, moti me diell do të vijojë deri të enjten, pasi fundjava do të sjellë reshje shiu dhe dëborë. Porja tha se edhe gjysma e dytë e dhjetorit do të ketë pak ditë me reshje.
Ndërkohë, moti shumë i ftohtë ka përfshirë edhe rajonin, ku termometri ka zbritur afër minus 10 gradë celsius.