nga Ornela Çuçi
Teksa njerëzimi po kalon nëpër revolucionin e katërt industrial, ky vit, mund të themi pa mëdyshje, paraqet edhe një udhëkryq historik. Zgjedhjet në mbarë globin po formësojnë themelet e një epoke të re. Rendi botëror sikurse e njohim ne në Shqipëri, në Bashkimin Europian dhe në mbarë botën perëndimore, po luhatet shumë. Pas dekadash dominimi nga unipolariteti i udhëhequr nga SHBA, bota po hyn në një epokë të re, ku fuqi të tjera globale po kanë nisur t’i rivizatojnë vijat e ndikimit. Ky tranzicion nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e pushtetit, por edhe me krijimin e strukturave të reja të bashkëpunimit, partneriteteve dhe kristalizimit kush është kush dhe me kë (s’)është?
Trump 2.0 dhe rendi botëror
Në këtë kuadër, pas fitores së tij të thellë, presidenca e dytë e Trump-it mund të sjellë ndryshime të thella për rendin global, veçanërisht për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë globale. Qasja e Trumpit ka qenë shpesh egocentrike, duke sfiduar dhe tërhequr SHBA-në nga disa institucione, aleanca apo marrëveshje shumëpalëshe ku më domethënësja është pikëpyetja e prezencës në NATO dhe iniciativa që synojnë të frenojnë ndikimin e Kinës, përfshirë AUKUS dhe Quad. Edhe pse mund të jetë e pamundur që Trump të shkatërrojë këto angazhime, mund të shohim një rritje të tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe një presion të shtuar ndaj aleatëve të ngushtë për të mbështetur interesat e tij strategjikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me Kinën.
Në Lindjen e Mesme, Trump ka ndjekur një politikë të ashpër, përfshirë mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe tërheqjen nga marrëveshje si ajo me Iranin. Nëse ky kurs vazhdon, mund të shohim një intensifikim të tensioneve rajonale, duke çuar në një pasiguri të mëtejshme për aleatët e SHBA-së dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Të gjithë mendojnë, Iranin, Libanin, Palestinën por në fakt nëse do të shohësh në miniaturë sesi zhvillohet përplasja e forcave gjeopolitike duhet të ndjekësh Sirinë. Ky vend mban termometrin që mat temperaturën e përplasjeve të shumë aktorëve. SHBA-ja, Rusia, Turqia dhe Izraeli ndodhen në fushën e shahut të Sirisë. Aty përleshen mes tyre edhe me forcë edhe me strategji.
Në lidhje me NATO-n, kërcënimi për dobësimin e bashkëpunimit transatlantik mbetet një shqetësim i madh. Dhe kjo më së shumti do të reflektohet në konfliktin Rusi-Ukrainë. Nëse Trump mbyll “bankomatin” për të financuar qëndresën ukrainase Evropa do të duhet të zgjidhë thesin e parave që e mban gjithnjë me grykën pak të hapur. Ai ka shprehur përbuzjen ndaj NATO-s dhe kjo mund të ndikojë në mënyrën sesi aleatët do të përballen me kërcënimet e jashtme, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e aleancës dhe sigurinë globale në përgjithësi.
Dy polet gjeopolitike dhe rendi i ri botëror
Bota po futet në një epokë polarteti, ku dy sisteme të mëdha me qeverisje, partneritete dhe ekonomitë e tyre po marrin formë. Nga njëra anë, Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA dhe aleatët tradicionalë, synon të ruajë një sistem të hapur global të bazuar në rregullat e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, Rusia, Kina, India dhe një grup vendesh të tjera krijuan BRICS-in një forum ndërshtetëror politiko/financiar.
Tashmë antidoti amerikan, binomi Rusi – Kinë, ka përftuar rrugës edhe shtete e aleatë të tjerë kanë ndërtuar një partneritet strategjik që është në nivelin më të lartë historik. Ky bashkëpunim nuk është vetëm ekonomik por edhe ideologjik, duke synuar të sfidojë dominimin perëndimor në fusha si teknologjia, tregtia dhe politika ndërkombëtare. Brazili, Indinë dhe Afrikën e Jugut, po shndërrohet në një platformë kyçe për këto ndryshime.
Brazili, nën drejtimin e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, është bërë një partner i rëndësishëm për Kinën, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe si furnizues i lëndëve të para. Kina, e cila ka nevojë për rezervat strategjike për industrinë e saj në rritje, po ndërton partneritete të forta me vendet e Jugut Global për të siguruar aksesin në burime.
Lufta e parë financiare botërore?
Ky tranzicion nuk ka të bëjë vetëm me ndryshime në gjeopolitikë, por edhe me një “luftë të parë financiare botërore”. Kina dhe Rusia kanë filluar të zhvillojnë sisteme të reja pagesash dhe monedhash që synojnë të shmangin dominimin e dollarit amerikan. Në Kazan, janë hedhur bazat për një rrjet alternativë financiare globale, duke sfiduar kontrollin perëndimor mbi tregjet ndërkombëtare.
Ndërsa Jugu Global përpiqet të qëndrojë neutral, vende si India dhe Brazili po lundrojnë me kujdes midis dy blloqeve, duke shfrytëzuar avantazhet e tyre strategjike për të mbajtur një pozicion të pavarur por shumë me interes nga ana e përfitimeve ekonomike në tregje. Ky ekuilibër delikat mund të përcaktojë dinamikën globale në vitet që vijnë.
Një botë pa rregulla universale?
Në këtë realitet të ri, rendi botëror është në një fazë tranzicioni të thellë. Struktura të reja po marrin formë, ndërsa rivalitetet e mëdha po përshkallëzohen. Në këtë periudhë pasigurie, mbetet e paqartë se cili rend do të mbizotërojë. A do të shohim një botë të ndarë në dy blloqe, të ngjashme me Luftën e Ftohtë, apo një botë të fragmentuar ku fuqitë rajonale dhe aktorët më të vegjël diktojnë agjendën?
E sigurt është se epoka e të parit mes më të fortëve ka përfunduar. Tranzicioni global është në zhvillim, dhe të gjithë lojtarët e mëdhenj po përgatiten për rolin e tyre në këtë rend të ri.
Në çdo epokë ka një ftesë për të ndërtuar një botë të re, shkruante dikur filozofi dhe dhe poeti amerikan Henry David Thoreau. Kjo do të ishte padiskutim thirrja më e mirë për ta parë këtë moment të pasigurt si një mundësi për të krijuar një të ardhme tjetër, të ndryshme nga e sotmja.