“Vrima e nuses”, kënga e Brian Ibros që bazohet mbi një legjendë shqiptare, nuk arriti të merrte 5 votat e jurisë në natën e dytë gjysmëfinale të “Këngës Magjike” që transmetohet në Tv Klan. 3 vota të kuqe dhe 2 jeshile nuk ia siguruan dot votimin dhe të qenët i votuar Brianit, por padyshim mori minutazhin më të gjatë televiziv.
Anxhela Peristeri e vlerësoi me të kuqe vetëm për faktin se kënga e shoqëruar vetëm nga kitara nuk përshtatet me peshën e Pallatit të Koncerteve. Kjo ra ndesh me mendimin e Marsela Çibukajt që tha se do të mund të dëgjonte një koncert të tërë në këtë formë. Përplasja e mendimeve të dy këngëtareve solli edhe disa sugjerime për “Këngën Magjike”.
Anxhela Peristeri: Këtë këngë e kemi vlerësuar shumë për veçantinë që ka në zhanër dhe në tekst, që teksti është i frymëzuar nga legjenda, sigurisht edhe këngëtar është një këngëtar i madh, por duke e parë në skenën e madhe të Pallatit të Koncerteve, kuptova që nuk është e mjaftueshme vetëm një kitarë për produksion. Mendoj që Briani herës tjetër duhet të vijë me një produksion më të mirë dhe më të mbushur, më të madh sepse kjo skenë është një skenë për pesha më të rënda, jo vetëm me një kitarë. Ndoshta me një kitarë mund të ketë ndonjë ambient tejtër ku njerëëzit mund ta mirëpresin dhe ta pëlqejnë shumë sepse unë nuk po them që kënga është e keqe, thjesht duhet një produksion më i mirë.
Brian: E vlerësoj shumë!
Ardit Gjebrea: Marselë?
Marsela Çibukaj: Latinët thonin shijet nuk janë të diskutueshme, por në shijet e mia Briani ishte diçka shumë e çmuar në këtë festival. Solli një legjendë të bukur shqiptare dhe ndërthuri, gërshetoi vetëm me zë e kitarë ashtu sikurse është origjina e çdo kompozimi që lind vetëm me një instrument, nuk nis e gjitha menjëherë me orkestracionin e plotë. Ai e solli ashtu, vetëm në thelbin e saj, në esencën e saj duke gërshetur bukur grunge, rock, etno folklorin shqiptar. Unë do të doja t shihja një koncert të gjithin kështu. Do të vija ta shijoja me shumë kënaqësi, Brian!
Brian: E vlerësoj shumë!
Anxhela Peristeri: Atëherë Ardit vitin tjetër Këngën Magjike le ta bëjmë vetëm me kitarë.
Marsela Çibukaj: Po pse jo?
Anxhela Peristeri: Të shikojmë sesa bukur ka për të dalë!
Marsela Çibukaj: Kur këngët janë të bukura, mund të këndohen edhe “a cappella”.
Anxhela Peristeri: Po mirë, le ta bëjmë pa muzikë fare, s’ka problem.
Marsela Çibukaj: E tregojnë kishat ku këndohen himne për Zotin, këndohet vetëm me zë, nuk ka nevojë gjithmonë për orkestracione të jashtëzakonshme, rëndësi ka shpirti dhe thelbi e si përcillet ai.
Brian: Prapë mua kitara më solli deri në gjysmëfinale.
Anxhela Peristeri: Deri në gjysmëfinale ti e kishe shumë të merituar dhe ajo që të thashë unë më beso që do të të vlejë më shumë sepse këto lloj skenash janë shumë të mëdha dhe unë e them për ty që ti nesër të shkëlqesh edhe më shumë sepse kjo këngë me një orkestracion të caktuar dhe shumë të mirë, sot do të kishte shkëlqyer më tepër, për këtë më beso.
DJ Sardi ra dakord me mendimin e Anxhelës duke shtuar se ka shumë pak këngëtarë që dalin vetëm me një kitarë. Atëherë, Marsela ‘thirri’ në ndihmë Adele, por Anxhela i ktheu në vëmendje se po diskutohej ende për “Vrimën e nuses”.
Marsela Çibukaj: Atëherë t’i themi Adele, të lutem Adele meqë më dëgjon dhe më do fort, tërhiqe këngën “Someone Like You” zemër që e ke vetëm me piano se nuk bën!
Anxhela Peristeri: O zemër aty nuk është Adele me “Someone Like You”, është Briani me kitarë. Hajde në realitet! Nuk po flasim as për Adele, as për këngën “Someone Like You”. Po flasim për këngën “Vrima e nuses” dhe për Brianin.