Corriere della Serra i ka kushtuar një artikull të plotë marrëveshjes për emigrantët, ardhjen e dy anijeve, kthimin e disa prej refugjatëve, si dhe reagimet nga europa dhe bota mbi këto ngjarje.
Duke nisur nga reagimi i pqarë i qeverisë Meloni pas kthimit të refugjatëve pas vendimit të gjykatës së Romës, media italiane shkruan se Meloni nuk do terhiqet dhe se është e bindur se gjykatësit janë gabim.
“Reagimi i parë i qeverisë Meloni pas rastit të fundit të migrantëve që u dërguan në Shqipëri dhe që “u detyruan” nga një vendim gjykate të kthehen në Itali është i bashkuar dhe i njëtrajtshëm. Sipas zyrtarëve të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, ata janë të bindur se gjykatësit janë gabim: “Prandaj do të shkojmë deri në fund dhe kemi besim se përpara Gjykatës së Drejtësisë Evropiane do të njihet arsyeja dhe interpretimi i qeverisë italiane.”
Kjo linjë është vendosur edhe pas një kontakti mes Giorgia Meloni dhe Matteo Piantedosi, dhe është një linjë mbrojtëse, në kuptimin që të gjithë qeveria, në nivelet kryesore dhe administratën që merret me këtë çështje dhe që ka kontribuar në miratimin e dekretit të fundit për “Vendet e Sigurta”, është e bindur se gjykatësit italianë kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Për cilat arsye? Sipas burimeve të qeverisë, së pari sepse Pakti i ri Evropian për Migracionet, edhe pse ende nuk ka hyrë në fuqi (dhe kjo mund të jetë një nga arsyet e keqkuptimit institucional dhe juridik), parashikon procedura të shpejtuara (dhe madje e bën këtë një nga shtyllat kryesore të menaxhimit të kërkesave për azil) dhe krijimin e qendrave jashtë kufijve kombëtarë.
“Në fakt, ne e bëmë këtë më parë se shumë shtete të tjera evropiane, dhe vendimi i Gjykatës Evropiane, për të cilin referohen gjykatësit e Catania-s ose Romës, është në një farë mënyre i vjetruar krahasuar me Pakti, sepse nuk mund ta marrë parasysh atë,” thonë më tej burimet e qeverisë.
Arsyetimi i tretë i qeverisë është se me dekreti ligjor të miratuar para disa ditësh, “ne kemi bërë një selektim shtesë të ashtuquajturave Vende të Sigurta, për të cilat është e mundur që në Shqipëri të realizohet procedura e shpejtuar me një afat maksimum 28 ditë për deportimin, dhe kemi kaluar nga 22 shtete në 19.” Gjykata në çdo rast ka vendosur disa kritere, por nuk ka bërë një listë përfundimtare, dhe kështu ka mbetur bindja në Palazzo Chigi dhe në Viminale që ligji kombëtar nuk është në kundërshtim me rregullat evropiane, madje se ai i ka definuar dhe sqaruar ato.
Nëse nuk e dimë se kur do të shprehet Gjykata Evropiane, një raund i parë i rëndësishëm zhvillohet më 4 dhjetor para seksionit të parë civil të Kasacionit. Këtu janë përfunduar 12 ankesa të ngritura nga Ministria e Brendshme dhe nga shefi i Policisë së Provincës së Romës kundër urdhrit të Gjykatës së Romës që nuk ka miratuar masën e qëndrimit në Shqipëri.
Edhe këtu qeveria do të mbrojë pozitat e saj, dhe Avokatura e Shtetit ka përgatitur një dokument të detajuar dhe të argumentuar që kundërshton vendimet e gjykatësve italianë. Për më tepër, një interes i veçantë është origjina e përplasjes aktuale mes qeverisë dhe gjykatësve italianë, pasi vendimi i Gjykatës Evropiane nga i cili po apelojnë ata ka lindur nga një rast që kishte të bënte me Moldavinë, në kufijtë e Bashkimit Evropian, në një kontekst krejtësisht të ndryshëm.
Një rast periferik që ka krijuar një koncept me të cilin do të përballen edhe shtete të tjera, përveç Italisë, kur Pakti të hyjë në fuqi, pasi vendimi ka futur një koncept që për natyrën e tij mund të ketë interpretime të ndryshme. Për gjykatësit evropianë, koncepti i sigurisë së një shteti jashtë Evropës mund të jetë edhe “i segmentuar”, pra një shtet mund të jetë i sigurt, por jo në disa pjesë të territorit të tij. “Po nëse vazhdojmë ta interpretojmë kështu, atëherë as Italia dhe as Franca nuk janë shtete të sigurta, pasi në periferi të Francës apo në ato të Napolit ekzistojnë situata që nuk kanë lidhje me sigurinë sociale, ekonomike dhe civile,” përfundon me humor të hidhur një burim i qeverisë.”