Arrestimi i Durim Bamit në Dubai/ Interpoli njofton procedurën që do ndiqet

Interpol Abu Dhabi, ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit dhe pritet të ndiqet e njejta procedurë si me Plaurent Dervishajn.

Durim Bami, është shpallur në kërkim nga SPAK në muajin maj, si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.

Bami pritet të sillet në Shqipëri, me të njëjtën mënyrë si Plaurent Dervishaj.

ARRESTIMI I BAMIT

Ndalimi i Durim Bamit është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti iShqipërisë, Ilir Metaj.

Gazetari Elton Qyno, raportoi një ditë më parë se Durim Bami, është ndaluar nga policia e Dubait dhe po bën 1 javë që mbahet i izoluar.

Nuk dihet me saktësi, se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve.

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment. Kjo është hera e dytë që Durim Bami, arrestohet nga policia e Dubait.

Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e

Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohej nga gjykata e Dubait.

Ndërsa arrestimi i dytë i Bamit, është kryer në 21 Tetor dhe ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm, apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt.


Shtuar 28.10.2024 15:47