Banka e Shqipërisë tërhoqi mbi 110 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, por pa mundur të ndal tatëpjetën e euros. Në raportin mbi ecurinë e treguesve që Banka Shqipërisë monitoron, në kuadër të procesit të uljes së euroizimit, institucioni më i lartë monetare pranon “pafuqinë” përballë “super-lekut”.
“Gjatë periudhës janar-qershor 2024, kursi i këmbimit të monedhës vendase ka vijuar të mbiçmohet. Kundrejt Euros, Leku është mbiçmuar gjatë kësaj periudhe me 3.4%, duke reflektuar flukset e larta hyrëse të valutës në ekonomi, kryesisht në formën e të ardhurave nga turizmi, dërgesat e emigrantëve, investimet e huaja direkte dhe përmirësimin e bilancit tregtar”, Banka e Shqipërisë.
Deri në qershor, Banka Qendrore realizoi 10 ankande për të blerë euron në tregun e këmbimit. Në total, deri në fund të vitit janë planifikuar të zhvillohen 20 ankande për të ndërhyrë në tregun valutor, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të euros më tej. Po përpjekjet e saj po rezultojnë të pasuksesshme për shkak të burimeve të shumta nga ku euro po futet.
“Ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale. Për këto arsye, dallimi i efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit, mbetet një proces i vështirë. Gjithsesi, këto masa kanë efekt frenues në ecurinë e euroizimit dhe në mungesë të tyre, madhësia e lëvizjes së ndonjërit prej treguesve, apo edhe kahu i saj, do të ishte i ndryshëm”, Banka e Shqipërisë.
Vitin e shkuar Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu valutor rreth 290 milionë euro. Ndërhyrjet e detyruara për shkak të zhvlerësimit të euros zgjeruan në 5.7 miliardë euro rezervën valutore. Këtë vit ajo ka tejkaluar nivelin e 6.3 miliardë eurove. /A2 CNN.