SHQIPËRIA SI KOSH PLEHRASH/ Ja projektligji për menaxhimin e mbetjeve, qeveria lejon importin e plehrave “jo të rrezikshme”

Menaxhimi i mbetjeve në vend pritet që t’i nënshtrohet në vijim rregullave të rishikuara që vijnë si efekt i një projektligji të ri.
Pas kalimit të përgjegjësisë së mbetjeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, kjo e fundit ka hedhur për konsultim një draft “”Për menaxhimin e integruar te mbetjeve” që zëvendëson plotësisht ligjin e vitit 2011.
Teksa projekti përmirëson aspekte të termave sa i takon menaxhimit duket se specifikon edhe një kapitull jo të panjohur kur vjen puna tek mbetjet dhe që ka të bëjë me djegien e tyre nga impiante të posaçme siç janë inceneratorët. Konkretisht drafti përcakton se çfarë quhet incenerim dhe bashkë incenerim.
“Incenerimi i mbetjeve” është çdo proces rikuperimi ose asgjësimi i mbetjeve, në të cilin mbetjet digjen me ose pa rikuperim të nxehtësisë së gjeneruar nga djegia, e cila përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve dhe procese të tjera termike si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për aq kohë sa produktet që rezultojnë nga këto trajtime më pas digjen.

“Bashkë incenerimi i mbetjeve” është çdo operacion të rikuperimit ose asgjësimit të mbetjeve, qëllimi kryesor i të cilit është prodhimi i energjisë ose produkteve materiale dhe në të cilin mbetjet përdoren si lëndë djegëse të rregullt ose plotësuese ose në të cilat mbetjet i nënshtrohen trajtimit termik me qëllim asgjësimin e tyre. Kjo përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve, si dhe procese të tjera termike, të tilla si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për sa kohë që produktet që rezultojnë nga këto trajtime digjen më pas”, thuhet në projektligj.

Lidhur me menaxhimin e mbetjeve pavarësisht se praktika e djegies së tyre është një nga alternativat e fundit në piramidën e zgjidhjeve, në Bashkimin Europian duket se Shqipëria do të vijojë ta ketë pjesë të saj. Incenerimi do të funksionojnë në bazë të rregullave që do të përcaktohen nga qeveria.

Konkretisht kjo hallkë sqarohet në nenin 37 të draftit.

“Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë, miraton rregullat për incinerimin e mbetjeve, me qëllim reduktimin e emetimeve në atmosferë dhe të aromave, sipas teknikave më të mira të disponueshme.

Këto rregulla përfshijnë:

a) specifikimin e kërkesave për incineratorët dhe bashkincineratorët e mbetjeve;

b) procedurat e dorëzimit dhe pranimit të mbetjeve në incineratorë dhe bashkincineratorë;

c) kushtet operacionale të tyre dhe kriteret e autorizimit për ndryshimin e kushteve operacionale;

ç) procedurat e kontrollit dhe të monitorimit të tyre;

d) respektimin e vlerave kufi të shkarkimeve në ajër të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi dhe procedurat e kontrollit dhe monitorimit të shkarkimeve në ajër;

dh) procedurat e mbylljes dhe të kujdesit të mëtejshëm;

e) detyrimet e raportimit, ruajtjes së të dhënave dhe informimit publik;

ë) kushtet dhe kërkesat e tjera të lejes së mjedisit;

Nuk pranohen për incinerim, mbetjet që janë grumbulluar në mënyrë të diferencuar për qëllim të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim, me përjashtim të mbetjeve që krijohen nga operacionet e mëtejshme të trajtimit të mbetjeve të mbledhura në mënyrë të diferencuar për të cilat operacioni i incenerimit përbën rezultatin më të mirë mjedisor në përputhje me nenin 6 të këtij ligji” thuhet në këtë nen.


Shtuar 21.08.2024 08:17