Sociologu Gëzim Tushi: Shqiptarët në punë nga halli, lidershipi në Administratë është toksik, sepse u mungon pushteti i dijes dhe i aftësive

Dy në tre të punësuar në vend janë të pakënaqur me punën e tyre. E nëse shumë synojnë një punë në shtet, Administrata Publike ka dhe nivelin më të lartë të atyre që ndihen më pak të vlerësuar. Sondazhi i zhvilluar nga qendra kërkimore EPPC, konstaton se pagat e ulëta dhe mundësitë e pakta për karrierë që ofrojnë kompanitë për punonjësit, shihen si dy arsyet kryesore që i detyrojnë të kërkojnë një punë të re.

Sociologu i njohur Gëzim Tushi, ishte i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ku foli rreth të punësuarve në Administratën Publike, duke theksuar:  “Ata në Administratën Publike, janë lidership toksikë, helmues, janë njerëz që ndoshta për shkak se u mungon pushteti i dijes, apo kompetenca profesionale, veprimtarinë e tyre e bazojnë vetëm tek çështjet e autoritetit.

Sipas Tushit, lidershipi në Administratë është toksik, sepse mungon dija dhe profesionalizmi.

“Besoj se ky është një fluturim apokaliptik i raportit të shqiptarëve me punën, nga skllevër të dikurshëm që kemi qenë të determinuar në sektorin shtetëror, ku marrëdhëniet e njeriut me punën ishin marrëdhënie të përcaktuara. Sikurse e dini ai shtet që nga djepi deri në varr i kishte punët e përcaktuara, ky ishte sistemi totalitar dhe tregu i mbyllur i punës.

Natyrisht që hapja e tregut të punës, jo vetëm në vend, por edhe në botën e jashtme natyrisht që kanë ndikuar në perceptimin e shqiptarëve për punën.

Ndaj mendoj se këtë raport duhet ta shikojmë me një optikë të dyfishtë, ku nga njëra anë kemi të bëjmë me një zgjerim të të drejtave të njeriut, ku çdokush ka të drejtë ta lërë një vend të caktuar pune për të ndryshuar punë.

Në SHBA një njeri mesatar ndërron 11 herë vendin e punës. Pra, si tendencë nuk është e keqe.

Por po ta shikojmë raportin në fjalë, aty kemi të bëjmë me një ngarkesë apo një lloji stresi në vendet e punës. Pra ka faktorë që burojnë si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.

Më vjen keq për këtë raport, sepse të rinjtë tanë jashtë vendit janë teguar më vitalë dhe solidë në vendet e tyre të punës. Ndërsa këtu tek ne ka një tendencë negative për shkak të disproporcionalitetit në punë, apo të raportit mes vendit të punës dhe pagesës për atë punë, ku shumë njerëz e lidhin me çështjen e pagesës.

E kam thënë dhe më herë se një pjesë e madhe e braktisin vendin e tyre të punës për shkak të lidershipit në punë, veçanërisht ata në Administratën Publike, janë lidership toksikë, helmues, janë njerëz që ndoshta për shkak se iu mungon pushteti i dijes, apo kompetenca profesionale, veprimtarinë e tyre e bazojnë vetëm tek çështjet e autoritetit, në stilin e vjetër burokratik, duke i mërzitur njerëzit në vendin e tyre të punës”, u shpreh sociologu Gëzim Tushi.