25-Vjetori i Çlirimit/ Osmani në Kuvend: Hyrja e NATO-s tregoi që bota nuk na harroi

Ditën e sotme, në fjalimin e saj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani,  ka thënë se hyrja e ushtarëve të NATO-s më 12 qershor në Prishtinë tregoi se bota nuk e kishte harruar Kosovën, ndërsa tha se ushtarët e NATO-s s’ishin vetëm ushtarë, por shpëtimtarë që sollën me vete premtimin për liri.

Osmani ka kujtuar të rënët për liri, si dhe “rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur”.

“Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka thënë Osmani.

Pjesë nga fjalimi i Osmanit në Kuvend:

Më 12 qershor 1999, kur forcat e NATO-s shkelën në tokën tonë, ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë. Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk na kishte harruar dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë.

Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë.
Liria është më shumë se një fjalë, është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është e ardhmja që aspiruam. Çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por ishte triumfi i shpirtit njerëzor mbi tiraninë, triumf i të mirës ndaj të keqes dhe i drejtësisë mbi shtypjen.

Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës së përgjakur, të dërmuar, e të shkatërruar, lotët, britmat, lulet dhe përqafimet që i pritën ushtarët e NATO-s, krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë.

Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve, uniformat me flamuj të shumtë, u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar njëherë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviqit, të turpëruar dhe të kapitulluar.

NATO-ja ishte një dritë shprese – një shans për drejtësi, një shans për liri!

Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më.

Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike.

Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë.
Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman “Evropa lindi në një Prishtinë të lirë”. Sot mund të themi, Evropa lindi në një Kosovë të lirë.

Ndaj në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur.

Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë.

Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.


Shtuar 12.06.2024 12:10