Pasi Kuvendi votoi me 105 vota shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, parlamenti ka kohë deri të hënën të dorëzojë në gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij.
Ky është rasti i parë në 3 dekada që gjyqtarët kushtetues do të vendosin për fatin e kryetarit të shtetit, pasi pavarësisht përplasjeve të çdo mazhorance me presidentët, asnjë shumicë nuk ka pasur 94 vota e ideja e shkarkimit nuk ka kaluar asnjëherë kufirin e deklaratave politike.
Sipas ligjit të gjykatës Kushtetuese, anëtarët e gjykatës kanë 3 muaj kohë për të vendosur nëse shkarkimi i Ilir Metës kalon apo jo për t’u shqyrtuar në seancë plenare.
Duke marrë parasysh se muaji gusht është, gjyqtarët kanë kohë deri në 14 tetor për të vendosur kalimin ose jo të çështjes Meta në seancë plenare.
Përgjatë kësaj periudhe presidenti dhe kuvendi përgatiten për të mbrojtur pozicionet e tyre para gjyqtarëve, por nga ana tjetër vetë gjykata kushtetuese pritet të pësojë ndryshime deri në vjeshtë.
Momentalisht Kushtetuesja ka 7 anëtarë; 3 të zgjedhur nga presidenti, 3 nga kuvendi, dhe Vitore Tushën së cilës i ka mbaruar mandati.
Por deri në shtator pritet që gjykata e lartë të ketë 10 anëtarë e të mund të zgjedhë 3 gjyqtarë në Kushtetuese.
Nëse kjo ndodh atëherë çështja e shkarkimit të Presidentit të Republikës do të gjykohet nga një trupë me 9 gjyqtarë.
Sipas ligjit për gjykatën Kushtetuese vendimet merren me 5 vota e mbetet për t’u parë nëse parlamenti do të bindë gjyqtarët nëse presidenti ka shkelur apo jo rëndë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë