Pas marrjes së detyrës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si Kryeministër i RMV.
“Nga sot, Republika e Maqedonisë Veriut do të ketë një Kryeministër Shqiptar, i pari në historinë e moderne të këtij shteti.
Ky moment historik nuk është i rastësishëm. Shqiptarët në rajon e veçanërisht në Maqedoninë e Veriut kanë bërë përpjekje titanike për respektimin e të drejtave të tyre.
Kontributi dhe vizioni i Shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politikë në shtetë-formim, në mbështetjen pa kushte të vijimit të proceseve të integrimit euro-atlantik, si dhe orientimi i tyre drejt demokracive perëndimore kanë qenë faktorë themelorë në progresin e RMV drejt ndërtimit të një shteti demokratik multi-etnik, në anëtarësimin e saj në NATO dhe në avancimin drejt integrimit në BE.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është besimplotë se Z. Talat Xhaferi, një nga personalitetet më të spikatura ndër përfaqësuesit politikë të Shqiptarëve në RMV, me eksperiencën e jashtëzakonshme dhe maturinë që e karakterizon, do të udhëheqë me sukses të plotë qeverinë e RMV deri në zgjedhjet parlamentare e presidenciale të prill-majit të këtij viti.