Forumi Ekonomik i Davosit, Zelensky: Putin është një grabitqar dhe nuk do të ndryshojë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky  e ka quajtur homologun e tij rus Vladimir Putin një “grabitqar” që nuk do të kënaqet me një konflikt “të ngrirë” në Ukrainë, ku vija e frontit ka mbetur pothuajse e palëvizshme për muaj të tërë.

Zelensky gjithashtu akuzoi Putinin për “përpjekje për të normalizuar” “zhvendosjet masive, fshatra dhe qytete të rrafshuara dhe ndjenjën e tmerrshme se lufta mund të mos përfundojë kurrë”.

“Në fakt, Putini mishëron luftën”, vazhdoi presidenti ukrainas, duke vlerësuar se “kjo nuk do të ndryshojë”.

Zelensky u bëri thirrje edhe një herë vendeve perëndimore që të furnizojnë Ukrainën me më shumë armë dhe ta pajisin me avionë luftarakë, duke pohuar se Kievi tashmë ka një avantazh në Detin e Zi ndaj flotës ruse.

“Partnerët tanë i dinë nevojat tona dhe sa janë ato”, vazhdoi ai, duke shtuar se Ukraina ka dëshmuar se “mund të godasë aeroplanët ushtarakë rusë që askush nuk i ka rrëzuar më parë”.

Dje, Kievi njoftoi se kishte rrëzuar dy avionë spiunazhi rusë në Detin Azov, zonë e kontrolluar nga Rusia.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të vendit të tij që të forcojnë ekonominë e Ukrainës me investime ndërsa Kievi forcon sigurinë e tij.

“Vetëm njerëzit tanë dhe investimet tuaja mund të ndërtojnë një ekonomi të fortë. Ne kemi nevojë për investime të rregullta nga kompani të besueshme. Forconi ekonominë tonë dhe ne do të forcojmë sigurinë tuaj”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Zelensky denoncoi edhe një herë zërat që kërkojnë që konflikti të mos çohet në një “përshkallëzim”.

“Për ne, çdo thirrje për “mospërshkallëzim” tingëllon sikur po i thonë Putinit se do të fitojë” luftën, tha ai.

Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu që të vendosen sanksione ndaj industrisë bërthamore të Rusisë dhe që asetet ruse që janë “ngrirë” në vendet evropiane t’i jepen Ukrainës./albeu.com


Shtuar 16.01.2024 16:25