Gruaja rrëfen tmerrin e 25 viteve martesë: Edhe unë si Bedrija, burri dhe nipi i tij më rrahin, s’më lë të punoj tokën se aty ha bukë

Dhuna në familje, tashmë është një plagë e thellë për shoqërinë shqiptare, ku për hir të opinionit, apo fëmijëve, shumë gra janë të destinuara të pranojnë dhunën, pavarësisht se kjo mund të ҫojë në fatalitet.

‘Turpi’ nuk lë shumë gra të ngrenë kokë dhe të shkëputen nga marrëdhënia toksike me bashkëshortin, që në disa raste u ka marrë dhe jetën.

E fundit ishte Bedrija, e cila u vetëvra duke pirë fotoksinë më 2 Janar 2024.

Rasti i Bedrijës nuk është i vetëm

“Unë kam përjetuar njësoj si Bedria”, thotë një grua nga fshati Hoxhaj e Tropojës, e cila flet per dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti e familja e tij.

Gruaja e divorcuar prej një viti, nuk lejohet nga bashkëshorti e njerëzit e tij të punojë tokën, e vetmja mënyrë për të jetuar dhe ndihmuar dy fëmijët e saj studentë në Tiranë.

Ajo thotë se është dhunuar nga bashkëshorti dhe nipi i këtij të fundit.

Pas denoncimit që ka bërë në policinë e Tropojës më 20 tetor 2023, në vend që të shoqëroheshin dhunuesit është mbajtur ajo për 6 orë në polici.

Gruaja tashmë është larguar nga fshati dhe është vendosur në Tropojë, por kërkon ndihmë pasi ata nuk e lejojnë të punojë tokën me prodhimet e të cilës ajo mban veten dhe ndihmon fëmijët.

Intervista:

Gruaja: “Edhe unë kam përjetuar njësoj si Bedria” Jam një familje nga Tropoja. Kam probleme me bashkëshortin, kunatin e djalin e kunatit. Më 20 tetor (2023) më ka qëlluar djali i kunatit. Më ka mbajtur bashkëshorti e më ka rënë djali i kunatit. E kam denoncuar. Asnjë veprim nuk ka marrë policia e Tropojës, përkundrazi më ka marrë mua më ka çuar në polici.

Unë jam e rrezikuar nga tre familjarët e tij . I bëj thirrje shtetit, Taulant Ballës të bëjë drejtësi. Nuk guxoj të dal as nga shtëpia e të punoj. Të punoj tokën se nuk kam asnjë të ardhme tjetër në botë”.

A keni bërë denoncimin?

Gruaja:  “E kam bërë. Më 20 tetor kam bërë denoncimin. Përkundrazi nuk e kanë thirru atë, por më kanë thirrur mua. Më kanë mbajtur brenda 6 orë mua, të tre që janë dhunuar nuk janë mbajtur aty. Kam dëshmitarë në katundin tim. I bëj thirrje shtetit”.

Nipi i burrit ju ka dhunuar? Ku?

Gruaja: “Në fshatin tem Hoxhaj,Tropojë e vjetër ku jetoj prej 25 vitesh jetoj aty e ha bukë. Ata nga inati se bëj punën unë më janë kthyer me gjithë bashkëshortin. Bashkëshorti më ka mbajtur ai më ka rënë”.

Kur kanë nisur problemet?

 

Gruaja:  “25 vite i kam aty, nuk kam gjetur gjuhën e përbashkët me atë njeri por më fali Zoti dy fëmijë u detyrova të rrij në atë zhurmë”.

Fëmijët ku i keni?

Gruaja:  “Fëmijët janë në Tiranë, janë në shkollë të dy”.

E dinë fëmijët që babai ushtron dhunë?

Gruaja:  “E dinë e dinë, por shiko, na vjen keq, opinioni…pse u nda.. por kur më rrahën me gjithë njerëzit e familjes u detyrova ta bëj denoncimin. Ka një vit që kemi bërë divorcin por unë aty punoj tokën se aty ha bukë. Jam ankuar në bashki të më lënë një punë”.

Keni bërë divorc?

Gruaja: “Ka bërë ish bashkëshorti ka bërë kërkesën.  Jemi ndarë me letra. Por jam e dhunuar nga ai dhe familjarët e tij”.

 Pse jeton ende me familjen e bashkëshortit e njerëzve të tij, nuk ke ku të shkosh?

Gruaja: Unë në dhomë timen, ai në dhomën e vet. Vijmë, dalim. Më është dashur të ha bukë. Ai nuk kontribuon asgjë as për mua as për fëmijët”.

Jetoni në të njëjtën banesë apo në shtëpitë afër në fshat

Gruaja: “Në një banesë kam jetuar me të gjithë bashkëshortin, e me kunatin. Por tani jo. 15 ditë para vitit të ri kam ikur e kam shkuar në qytet,  se nuk ia dola me ta”.

Gjatë këtyre 15 ditëve ke pasur më probleme me ta?

Gruaja:  “Jo, jo, nuk kam pasur më problem. Jam afër familjarëve të mi por më duhet të dal në fshat se më duhet të ha bukë”.

Je e kërcënuar?

Gruaja: “Jam e kërcënuar se nuk më lënë të punoj tokën. Ata nuk duan ta punojnë tokën por as mua nuk më lënë ta punoj. E kam shumë të domosdoshme se nuk kam ku të shkoj. Jam ankuar në Bashki për të gjetur një punë. Edhe me kazëm punoj mjafton të kem punë por nuk kam gjetur”.

Si kanë reaguar fëmijët pasi jeni divorcuar, a nuk ju kanë gjetur diçka tju ndihmojnë?

Gruaja:  “Nga opinioni fëmijët nuk janë marrë me njerëzit e burrit. I kanë thënë babait që të mos degradojë situatën, por nuk ka marrë vesh. Janë detyruar fëmijët të tërhiqen. Nuk i kam lënë të vijnë të rrihen me djalin e xhaxhait të vet. U kam thënë se nëse nuk merr masa shteti do i bie vetë. Të tre mua të më lënë të punoj tokën e të më lanë të qetë”.

Në Prokurori më thanë a pajtohesh me bashkëshortin?

Gruaja: “Po mor i thashë, por burri refuzoi. Unë firma nuk nxjerr se dua të di për çfarë ndahem. Dua hisen e tokës dhe konakun që kam bërë, se unë diku duhet të banoj. Shtëpinë e vet ia lëshoj, të rrinë. Por tek stani që e kam bërë vetë dhe tokën që e kam punuar me krahët e mi e dua tokën. Nuk e kam hedhur firmë”.

Jam shumë e dhunuar psikologjikisht e fizikisht. Më kanë rënë i kam rënë, nuk kam qëndruar duarkryq. Dua hisen e tokës. Ai ka shtëpinë e vet e nuk i hyj në shtëpi por tokën e dua. Sa të kem shëndetin e punoj, kur të mos e kem e lë.

I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë

Gruaja:  “Kam dëshirë të vini të shihni rrugëtimin tim, si e bëj tek toka vetë. Pa ndihmën e bashkëshortin. I gjithë rrethi i Tropojës më njohin. Mbjell kopshtin e vij e shes në treg. Jam ankuar disa herë tek bashkia por nuk më ka dhënë zgjidhje. Se diku do të ha bukë unë, fëmijët e mi duhen mbajtur. Ata punojnë po ku u del leku fëmijëve të mi, në Tiranë, me shtëpi me qira, duan të hanë, veshur pa ndihmën time. I ati nuk jep asnjë kontribut për ta. Djemtë i kam shumë shumë të mirë. Më kanë thënë që do të vijnë pas Vitit të Ri se ishin në punë”.

 


Shtuar 8.01.2024 12:34