Fabrizio Romano mohon lajmet se ai luajti rol në transferimin e Joao Felix tek Barcelona

Gazetari italian, Fabrizio Romano është distancuar nga lajmet se ai ka luajtur një rol në transferimin e Joao Felix te Barcelona këtë verë.

Sulmuesi portugez ishte regjistruar si lojtar i Barcelonës vetëm në minutat e fundit të afatit kalimtar veror, pasi kompletoi një lëvizje në formë huazimi nga Atletico Madrid.

Është raportuar se ai ka pranuar një zbritje të madhe të pagës vetëm për ta bërë të mundur transferimin.

Joao Felix pak kohë më parë në një intervistë ekskluzive me Fabrizio Romanon, bëri të ditur se Barcelona është destinacioni i ëndrrave për të.

Shumë persona ngritën hipotezën se sa shumë rol ka luajtur gazetari italian në këtë marrëveshje, me Fabrizion që tashmë ka një përgjigje rreth kësaj.

“Absolutisht nuk kam pasur rol dhe nuk dua të kem një rol të tillë në transfere. Unë vetëm kam kryer punën time, realizova një intervistë me Joaon, por marrëveshjet varen nga lojtarët, agjentët, klubet dhe jo nga gazetarët sipas opinionit tim”, ka thënë Romano.

Tutje, ai tha se transferimi i tij në “Camp Nou” ndodhi sepse vet lojtari e dëshironte me ngulm atë.

“Nëse nuk do të isha unë, me shumë mundësi ndonjë gazetë apo gazetar tjetër do ta realizonte atë intervistë. Nëse Joao e kompletoi transferimin tek Barcelona është sepse e dëshironte shumë atë, ai dërgoi një mesazh të qartë”, përfundoi gazetari italian.

Sulmuesi 23-vjeçar la shenja në debutimin e tij për Barcelonën, duke shënuar një herë dhe duke dhuruar një asistim për Robert Lewandowski.


Shtuar 18.09.2023 11:40