Putin, Trump dhe kuptimi se çfarë është një shtet mafioz

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Ne nuk jemi bandë. Ne nuk jemi mafia. Ne nuk kërkojmë hakmarrje siç ndodh në librin “Kumbari” të Mario Puzo. Ne jemi një komb. Një komb me ligje”. Këto ishin deklaratat e Vladimir Solovyov, një prezantues televiziv shumë i njohur në Rusi, duke mohuar që Kremlini kishte ndonjë lidhje me shpërthimin e avionit që vrau Yevgeny Prigozhin.

Komentet e Solovyov janë një shembull i shkëlqyer i thënies së shkëlqyer franceze “Qui s’excuse, s’accuse” (Ai që justifikon veten, akuzon veten). Propagandisti pro-Kremlinit e kupton shumë mirë se vrasja e Prigozhin kishte të gjitha shenjat dalluese të një elemnimi mafioz.

Dhe Vladimir Putin ndjek një kod nderi si ata të mafias. Tradhtia dhe pabesia janë mëkatet që nuk falen asnjëherë. Pikërisht për këtë arsye Kremlini ka dërguar vrasës në të gjithë Evropën, për të vrarë dezertorët e shërbimeve ruse të inteligjencës. Si drejtues i milicisë së mercenarëve të Wagner, Prigozhin – i njohur si “kuzhinieri” i Putinit – siguroi “mish për top” në luftën e Rusisë në Ukrainë. Por kur ai iu kundërvu Putinit në qershor, firmosi kështu dhe urdhrin për vdekjen e tij.

Kodi mafioz, i njohur për çdo shikues të filmit, është se dështimi për të marrë hak e bën bosin të duket i dobët. Kaluan 2 muaj nga rebelimi i Prigozhinit dhe më pas ndodhi vdekja e tij. Por më pas, siç thotë Don Corleone në The Godfather “Hakmarrja është një pjatë që shërbehet më mirë e ftohtë!”.

Sugjerimi se Rusia është një shtet mafioz, është më shumë se sa një figurë letrare. Biografia e Putinit, Catherine Belton, ka treguar në librin e saj se si nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut në vitet 1990, Putin, kultivoi lidhjet e tij të ngushta me botën e krimit në qytet. Vetë Prigozhin kaloi gati një dekadë në burg. Shërbimet sekrete ruse, për të cilat Putini punoi për kaq shumë vite, kanë mbajtur gjithmonë lidhje me krimin e organizuar, që ka në fakt një ekspertizë të dobishme në kontrabandë, pastrim parash dhe vrasje.

Është shumë domethënës fakti që kur Rusia organizoi një shkëmbim të burgosurish me Amerikën, njeriu që zgjodhën të merrnin ishte Viktor Bout, një tregtar armësh, i dyshuar për pastrim parash dhe një ish-ushtarak sovjetik, i arrestuar në vitin 2008 pas një operacioni të gjatë nga DEA amerikane.

Operacionet e grupit Wagner të Prigozhin në Afrikë – përmes një rrjeti kompanish – i mjegulluan vijat ndarëse midis biznesit privat, krimit të organizuar dhe shtetit rus. Kërkesat e luftës në Ukrainë i kanë bërë edhe më të paqarta ato vija.

Sanksionet perëndimore ia kanë bërë Rusisë shumë më të vështirë shitjen e naftës apo blerjen e teknologjive kryesore në tregun e hapur. Dhe kjo rrit stimujt që Moska të bashkëpunojë me rrjetet kriminale, të cilat janë eksperte në tregtinë e paligjshme dhe kontrabandën.

Megjithatë, përpara se Amerika dhe Perëndimi ta hedhin poshtë Rusinë si një shtet kriminal të dalë nga binarët, vlen të përmendet se një ditë pas vdekjes së Prigozhin, një ish-president i Shteteve të Bashkuara u padit në Georgia sipas ligjit të Aktit të Organizatave të Ndikuara dhe të Korruptuara nga Zhvatësit (RICO) – një ligj që ishte krijuar posaçërisht për të ndjekur mafian.

Nëse akuzat ndaj Donald Trump qëndrojnë apo jo, kjo do të vendosen në gjykatë. Por, çfarëdo që të ndodhë atje, fakt është se Trump ka përvetësuar prej kohësh disa nga sjelljet dhe zakonet e një bosi të mafias.

Dhe kjo gjë nuk është krejtësisht e habitshme që një njeri që e krijoi pasurinë e tij në ndërtimin e Nju Jorkut, përpara se të degëzohej në kazinotë e Atlantic City. Një nga mentorët më të rëndësishëm të Trump ishte Roy Cohn, një avokat që përfaqësonte shumë nga familjet mafioze në Nju Jork.

Ndërsa problemet e tij ligjore u shtuan ndjeshëm gjatë presidencës së tij, Trump u ankua për mungesën e një figure të tillë që ta përfaqësonte atë në gjyq. James Comey, drejtori i parë i FBI-së gjatë presidencës Trump, kujtoi më vonë një darkë private me Trump në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën presidenti i sapozgjedhur i tha: “Unë kam nevojë për besnikëri. Pres besnikërinë tuaj”. Në kujtimet e tij, Comey shkroi se Trump i kujtoi bosët e mafias që kishte hasur gjatë punës së tij: “Kërkesa e tij ishte si ceremonia e hyrjes në Cosa Nostra të Sammy Graviano (pjesëtar i familjes mafioze Gambino)”.

Theksi që i vendosi Trump besnikërinë personale të kujton jo vetëm Sammy-n por edhe Putinin. Të dy liderët i gëzohen dhe madje inkurajojnë rivalitetet midis fraksioneve në stafin e tyre. Sepse kjo përplasje krijon një sistem në të cilin lideri është arbitri përfundimtar i të gjitha mosmarrëveshjeve, për ndihmën e të cilit kanë nevojë të gjithë.

Kur ishte president, Trump i drejtonte ndonjëherë punët e jashtme sikur po negocionte me Kumbarët rivalë: Kim Jong Un në Korenë e Veriut, Recep Tayyip Erdogan në Turqi, Putin në Rusi. Megjithatë krahasimi Trump-Putin, nuk synohet të jetë një kontribut për sportin e preferuar rus të “akuzë-kundërakuzave”.

Të dy këta burra mund të kenë të përbashkëta disa instinkte dhe sjellje. Por sistemet në të cilat veprojnë janë shumë të ndryshme. Në Rusinë e sotme, ka zero shanse që Putin të hetohet për përfshirje në vrasjen e Yevgeny Prigozhin, apo në ndonjë nga krimet e tjera që mund të ketë kryer.

Nuk do të ketë prokurorë të pavarur që të grumbullojnë me kujdes ndonjë provë që mund ta çojë në burg presidentin rus. Ndërkohë Trump gjendet tashmë në bankën e të akuzuarve dhe i kërkohet të hapë llogari para drejtësisë për aktet e veta.

Ekzistojnë të gjitha shanset që në fund ai të dënohet me burg, ndonëse unë supozoj se presidenti Biden do ta falë me një dekrete të posaçëm. Por deri atëherë Trump mbetet i lirë të shpalosë argumentet në mbrojtje të vetes, dhe madje të bëjë fushatë për presidencën. Dallimi është më se i qartë. SHBA-ja mund të pretendojë statusin që Solovyov i dha në mënyrë të rreme Rusisë: “Një komb ligjesh”. Mjerisht, vetë Rusia është tani një shtet mafioz. /albeu.com

 


Shtuar 30.08.2023 11:05

Tags: