Pse po shuhet demokracia në Evropë

Nga Yanis Varoufakis “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Athinë – Ditët e qeta të gushtit janë një kohë e mirë për të analizuar atë që mund të ndodhë vitin e ardhshëm. Duke parë kalendarin tim të vitit 2024, zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë padyshim ngjarja më madhore. Por për fat të keq ato nuk arrijnë të më frymëzojnë ashtu siç bënë 5 vjet më parë.

Në vitin 2019, unë isha në Gjermani gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ndërsa një kolegu im gjerman erdhi këtu në Greqi. DiEM25, lëvizja jonë pan-evropiane, donte të theksonte faktin se demokracia evropiane do të mbetet vetëm një mashtrim nëse ajo nuk bëhet plotësisht transnacionale.

Në vitin 2024, gjeste të tilla nuk kanë qoftë edhe një kuptim simbolik. Ndërsa po afrojnë zgjedhjet evropiane të qershorit të vitit të ardhshëm, lodhja ime me to nuk vjen për shkak të ndonjë humbjeje të interesit për politikën evropiane apo humbjeve të fundit në politikën greke. Ajo që më lodh realisht është vështirësia për të imagjinuar që farat e demokracisë do të arrijnë të hedhin rrënjë në Bashkimin Evropian gjatë kohës që jam ende gjallë. Ithtarët e evropianiazmit do të më kritikojnë për këtë që po them. Si guxoj ta përshkruaj BE-në si një zonë pa demokraci, kur ajo drejtohet nga një Këshill Evropian i përbërë nga kryeministra dhe presidentë të zgjedhur, nga një komision i emëruar, nga qeveritë kombëtare të zgjedhura dhe një parlament i zgjedhur drejtpërdrejt nga popujt e Evropës dhe i ngarkuar me kompetencën për të shkarkuar një komisioner të caktuar?

Shenja dalluese e çdo demokracie në shoqëritë me një nivel të lartë pabarazie janë institucionet e ndërtuara enkas për të parandaluar reduktimin e të gjithë ndërveprimit njerëzor në marrëdhëniet e pushtetit. Për të mbajtur larg despotizmin, fuqia e një qeverie duhet të minimizohet nga një politikë sovrane që zotëron mjetet për ta minimizuar atë.

Shtetet anëtare të BE-së ua ofrojnë këto mjete komuniteteve të tyre politike. Sado të kufizuara zgjedhjet e tyre, qytetarët e një vendi ruajnë autoritetin për t’i mbajtur organet e zgjedhura përgjegjëse për vendimet e tyre (brenda kufizimeve të vendit që ndikohen nga faktorë të jashtëm). Fatkeqësisht, kjo është e pamundur në nivelin e BE-së.

Kur udhëheqësit tanë kthehen në shtëpi pas një takimi të Këshillit të BE-së, ata hedhin menjëherë përgjegjësinë për vendimet jopopullore tek kolegët e tyre. “Ky ishte varianti më i mirë që mund të negocioja”- thonë për mediat duke ngritur supet.

Këtë gjë e dinë funksionarët e BE-së, këshilltarët, lobistët dhe zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane. Ata kanë mësuar të presin që përfaqësuesit e shteteve anëtare të ndjekin trajektoren e përcaktuar dhe t’u thonë parlamenteve të tyre kombëtare se ndonëse nuk ishin dakord me vendimet e Këshillit, janë shumë “të përgjegjshëm” dhe të përkushtuar ndaj “solidaritetit” evropian.

Dhe pikërisht këtu gjendet edhe deficiti demokratik i BE-së. Politikat vendimtare që refuzohen nga shumica e anëtarëve të Këshillit, miratohen lehtësisht, dhe nuk ka asnjë shtet që mund të gjykojë vetë Këshillin, ta mbajë përgjegjës apo ta shkarkojë atë si organ.

Kur Këshilli arrin një marrëveshje gjysmë të mirë (si ajo midis kryeministrave spanjollë dhe holandezë, Pedro Sánchez dhe Mark Rutte, për reformimin e sistemit fiskal të BE-së), zgjedhjet kombëtare, të cilat nuk fokusohen asnjëherë tek vendimet e nivelit të BE-së, mund të sjellin rrëzimin gradual të tyre.

Për më tepër, fuqia formale e Parlamentit Evropian (të cilit i mungon ende autoriteti për të bërë vetë ligje) për të shkarkuar Komisionin është po aq e dobishme sa edhe pajisja e marinës greke me një bombë bërthamore për të kundërshtuar kërcënimet e Turqisë mbi pushtimin në ndonjë ishull pranë brigjeve të saj.

Asnjëra nga këto nuk është e re. Por sot unë ndihem më i lodhur, sepse 3 zhvillime e kanë shkatërruar plotësisht idenë e BE-së si një forcë që mundohet për të mirën, si brenda dhe jashtë Evropës. Në fillim, ne humbëm çdo shpresë se borxhi i përbashkët mund të vepronte si mjeti që do ta shndërronte konfederatën tonë evropiane në diçka më pranë një federate demokratike kohezive.

Është e vërtetë, pandemia e detyroi më në fund Gjermaninë, të pranonte emetimin e borxhit të përbashkët evropian. Por sikurse e paralajmërova në atë kohë, kushtet politike në të cilat rrodhën fondet ishin ëndrra e një euroskeptiku e realizuar. Rezultati? Në vend të një hapi të parë drejt bashkimit të nevojshëm fiskal, NextGenerationEU (Fondi Evropian i Rimëkëmbjes së Pandemisë) përjashtoi mundësinë e një transformimin rrënjësor.

Së dyti, lufta në Ukrainë i ka vrarë aspiratat evropiane për autonomi strategjike nga Shtetet e Bashkuara, të cilat pavarësisht humbjes së Donald Trump në vitin 2020, vazhdojnë ta shohin BE-në si një kundërshtare që duhet të frenohet. Pavarësisht asaj që mund të mendojë dikush se duhet të përmbajë një marrëveshje paqeje Ukrainë-Rusi, e padiskutueshme është mungesa e rëndësisë së BE-së gjatë procesit diplomatik që do të çojë tek një pakt i tillë.

Së treti, nuk pretendohet më se BE-ja është një nxitëse e një kozmopolitizmi parimor. Evropianët i përçmuan tubimet e fushatës së Trumpit me moton “Ndërto Murin”, por BE-ja është dëshmuar më e aftë sesa Trump në ndërtimin e mureve të tillë.

Në kufirin e Greqisë me Turqinë, në enklavën marokene të Spanjës, në kufijtë lindorë të Hungarisë dhe Rumanisë, në shkretëtirën libiane dhe tani në Tunizi, BE-ja ka financuar ngritjen e gardheve dhe mureve të neveritshme që mund t’i ketë zili vetëm Trump.

Dhe nuk thuhet asnjë fjalë për sjelljen e paligjshme të rojeve tona bregdetare, që veprojnë nën mbulesën e Frontex (agjencia e kontrollit kufitar të BE-së), që pa asnjë diskutim ka kontribuar në humbjen e jetës së mijëra emigrantëve në Mesdhe.

Pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2019, media liberale shprehu lehtësimin e saj që ultra e djathta e Evropës nuk doli edhe aq mirë sa kishte frikë. Por ata harruan se në dallim nga fashistët e periudhës midis 2 luftërave botërore, ultra të djathtët e sotëm s’kanë nevojë të fitojnë zgjedhjet. Sepse forca e tyre e madhe është se ata fitojnë pushtet, fitojnë ose humbasin, për shkak se partitë tradicionale degradojnë në pozitat e tyre ideologjike për të përqafuar një formë ksenofobie, më pas autoritarizmi dhe në fund totalitarizmi. Thënë ndryshe, liderët autokratë evropianë si kryeministri hungarez Victor Orbán nuk kanë nevojë që të lodhen aq shumë për të përhapur besimin e tyre shovinist në të gjithë BE-në dhe Brukselin.

Dhe këto nuk janë mendimet e një euroskeptiku, që mendon se demokracia evropiane është e pamundur, pasi është i pamundur një shembull evropian. Është keqardhja e madhe një evropianisti, i cili beson se një shembull evropian është plotësisht i mundur, por mjerisht Bashkimi Evropian ka lëvizur në drejtimin e kundërt.

Ne kemi parë të zhvillohen paralelisht rënien e shpejtë ekonomike të Evropës dhe deficitet e saj demokratike (dhe etike). Pavarësisht nga dyshimet që kam, për mua është një vendim i lehtë të vendos të garoj sërish në zgjedhjet evropiane – këtë herë në Greqi me MeRA25 – pikërisht sepse dyshimet e mia duhet të transmetohen gjatë fushatës. Paradoksi është që unë duhet të bind veten se politika elektorale e BE-së ia vlen telashet përpara se të bind këdo tjetër. /albeu.com

Shënim:Yanis Varoufakis, ish-Ministër i Financave i Greqisë, udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës.


Shtuar 24.08.2023 15:13

Tags: