Ngurrimi i administratës Biden po e pengon suksesin e shpejtë të kundërofensivës së Ukrainës

Nga John Bolton “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kundërofensiva pranverore e Ukrainës, që tashmë po shtrihen në kulmin e verës, nuk po arrin përparimin që kishin parashikuar disa nga mbështetësit e saj më të zjarrtë. Ukrainasve nuk u mungon guximi apo këmbëngulja, dhe ata kanë arritur disa suksese interesante, siç është dëmtimi i rëndë kohët e fundit i anijes së madhe luftarake ruse “Olenegorsky Gornyak”.

Megjithatë, për Uashingtonin duhet të jetë një thirrje zgjimi fakti që strategjia e tij ka nevojë të riformulohet. Zgjidhja e konfliktit nuk është një armëpushim dhe negociata, skenarë që  mbrohen nga disa në Perëndim. Nëse Vladimir Putin do të pajtohej me të, ai do ta bënte këtë në kohën që do të zgjedhë vetë dhe jo kur e vendosim ne.

Ai ka të ngjarë të propozojë një armëpushim nëse Moska do të arrijë të frenojë sulmet e Kievit deri në fillim të vjeshtës, me synim fitimin përmes negociatave atë që forcat e armatosura ruse nuk kanë arritur ta marrin në fushën e betejës.

Pranimi i kësaj oferte do të çonte në ndarjen de facto të Ukrainës, një propozim ky i papranueshëm për Kievin dhe fqinjët e tij të Evropës Lindore. Larg nga të qenit e pashmangshme, paaftësia e ukrainasve për të arritur përparime të mëdha në fushën e betejës është rezultat i natyrshëm i një strategjie të SHBA-së e cila synon vetëm të shmangë pushtimin rus.

Në vend të kësaj, presidenti Biden duhet të fillojë të punojë fuqishëm drejt fitores së Ukrainës. Dështimet e Ukrainës në këtë kundërsulm të shumëpritur dhe sukseset mbrojtëse të Rusisë kanë një shpjegim të përbashkët: furnizimin e ngadaltë, plot lëkundje dhe jostrategjik të ndihmës ushtarake nga ana e Perëndimit.

Debatet e vazhdueshme mbi dërgimin e këtij apo atij sistemi armësh, frika e vazhdueshme se Rusia do ta përshkallëzojë luftë kundër NATO-S dhe kërcënimet e herëpashershme bërthamore të Kremlinit, kanë sjellë shfaqjen e një kujdesi paralizues në kryeqytetet perëndimore.

Megjithëse Britania e Madhe nën drejtimin e Boris Johnson nuk u pengua aspak, NATO është treguar e pavullnetshme për të përmbushur angazhimin e saj për rivendosjen e sovranitetin të plotë dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Ky ngurrim është produkt i frenimit të suksesshëm nga ana e Kremlinit, dhe jo i një domosdoshmëri strategjike të Amerikës. Nuk ka asnjë provë se Rusia zotëron aftësinë ushtarake konvencionale për ta kërcënuar NATO-n apo vullnetin për të nisur një sulm bërthamor.

Pavarësisht kërcënimeve të përsëritura bërthamore të Moskës, komuniteti i inteligjencës e ka theksuar disa herë në seancat dëgjimore në Kongres, se aftësitë bërthamore të Rusisë nuk janë zhvendosur asnjëherë drejt një statusi operacional. Pra Putin ka luajtur bllofin.

Sigurisht kjo qasje edhe mund të ndryshojë, por nënshtrimi ndaj bllofeve i jep atij pikërisht atë që dëshiron dhe pa ndonjë kosto. Qasja e ndrojtur dhe rastësore e administratës Biden ndaj ndihmës për Ukrainën e ka dëmtuar edhe mbështetjen e amerikanëve për Kievin.

Joe Biden e ka ndërlikuar këtë problem me këmbënguljen e tij se lufta ka të bëjë me abstraksionet Wilsoniane të demokracisë kundër autoritarizmit. Fakti është se Parimet Wilsoniane nuk e kanë motivuar asnjëherë shumicën e amerikanëve.

Ka argumente shumë bindëse se ndihma ndaj Ukrainës i shërben interesit tonë strategjik. Por presidenti nuk është në lartësinë e situatës. Ai dhe Donald Trump e reduktuan mbështetjen e republikanëve për ndihmën. Perëndimi, dhe sidomos Uashingtoni, duhet të ri-mendojë rrënjësisht politikën e sanksioneve.

Teoritë mbi kufijtë e çmimeve të naftës ruse kanë dështuar, ndërsa sanksionet perëndimore në përgjithësi mbeten të pjesshme dhe të pazbatuara seriozisht. Dhe këto defekte nuk kufizohen vetëm në konfliktin e Ukrainës. Ato duhet ta nxitin NATO-n që të rishikojë se si po i zbaton ato.

Shpallja e sanksioneve është një mënyrë e shkëlqyer për të pasur ndikim në publik, por zbatimi është i vështirë, i lodhshëm dhe aktiviteti vazhdon në mënyrë klandestine aty ku është e mundur. SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë nevojë për një rishikim të madh dhe për një përmirësim të instrumenteve, procedurave dhe personelit tonë përgjegjës për zbatimin e sanksioneve.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë dhe NATO duhet ta marrin më seriozisht rolin e Kinës tek lufta në Ukrainë. Perëndimi duhet të vendosë sanksione direkte ndaj Pekinit, kjo duke pasur parasysh mbështetjen e madhe të Kinës për Moskën, përfshirë blerjet e hidrokarbureve, pastrimin e transaksioneve financiare ruse dhe furnizimin e Rusisë me pajisje ushtarake me përdorim të dyfishtë.

Pekini e ka mohuar ofrimin e ndihmës ushtarake vdekjeprurëse, por një raport i fundit i inteligjencës amerikane thekson se kompanitë kineze i kanë dërguar kompanive ruse të mbrojtjes pjesë për avionë luftarakë, si dhe dronë. Po ashtu është e rëndësishme që Perëndimi të monitorojë me kujdes çdo dredhi kineze për të “ndërmjetësuar” konfliktin.

Një ofertë e tillë nga Pekini, do të dukej padyshim pozitive për disa që ende nuk e vlerësojnë kërcënimin afatgjatë që paraqet Kina. Dhe për shkak se Shtëpia e Bardhë është e fiksuar pas arritjes së marrëveshjeve për ndryshimet klimatike me Pekinin, do t’i duken tërheqëse përpjekjet e Bashkimit Evropian për të qetësuar Kinën.

Përfshirja e Kinës e bën shumë të rëndësishme që Uashingtoni të përfshijë aktivisht aleatët kryesorë në Indo-Paqësor në strategjinë e re të administratës Biden për Ukrainën. Samiti i afërt trepalësh i zotit Biden me Japoninë dhe Korenë e Jugut, ofron një mundësi të shkëlqyer për një angazhim të tillë.

Por nevojiten shumë më tepër hapa të tjerë. Ndërsa disa anëtarë të NATO-s mund të rezistojnë kundër përfshirjes së “të huajve”, ky është momenti që aleanca të shkatërrojë natyrën globale të kërcënimit me të cilin përballemi të gjithë nga aleanca në rritje Kinë-Rusi. Ukraina është pikërisht lloji i krizës që kërkon një bashkëpunim global. Më shumë përparim i ushtrisë ukrainase në front mund të ndodhë ndërsa ofensiva po vazhdon, por është jetike që administrata Biden të nisë të formulojë një strategji të re.

Në rast se dëshiron të forcojë mbështetjen e brendshme të SHBA-së për Ukrainën dhe të rigjallërojë dhe zgjerojë koalicionin anti-rus, Shtëpia e Bardhë duhet të bëjë korrigjime në mesin e gabimeve të saj strategjike të 18 muajve të fundit. Është koha të lëvizet me shpejtësi.

Shënim:John Bolton ka qenë këshilltar i presidentit Trump për sigurinë kombëtaren në vitet 2018-2019, dhe ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara në vitet 2005-2006.


Shtuar 15.08.2023 15:45

Tags: