Nga Lidia Pribyleva “Meduza”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Më 20 mars, rekruti rus Alexander Samoilov u gjet i vdekur pranë fshatit Chervonopopivka në të vetëshpallurën “Republika Popullore të Luhanskut” me shenja litari në qafë. Në fillim të atij muaji, pasi braktisi vendin e tij në llogore dhe u deh me ushtarë të tjerë, ai u dërgua në zyrën e një komandanti ushtarak ku u mbajt si i burgosur.
Ditët para vdekjes, i telefonoi vazhdimisht vëllait të tij, duke i thënë se eprorët e tij po e kërcënonin se do ta vrisnin nëse nuk rrëfente krimin që kishte bërë. Para fushatës së mobilizimit, 35-vjeçari Alexander Samoilov jetonte në Irkutsk dhe punonte në ndërtim.
Më pas, në tetor 2022, u njoftua se do të rekrutohej. Nuk donte të shkonte në luftë, por zyrtarët e ushtrisë në zyrën e regjistrimit e kërcënuan se nëse do të refuzonte do ta akuzonin për dezertim.
Vëllai i Alexander, Sergei, deklaroi për portalin “People of Baikal” (Njerëzit e Bajkalit” se në fillim të marsit 2023, Alekxander bashkë me 3 shokë braktisën pozicionet e tyre luftarake sepse ishin “të mërzitur të qëndronin ulur në llogore pa asgjë për të bërë”.
Të katër shkuan në qytetin Oleksandrivsk në “Republikën Popullore të Luhanskut”, morën me qira një apartament dhe nisën të pinin.
Kur pas disa orësh dolën për të shkuar në një dyqan, u arrestuan dhe u dërguan në zyrën e një komandanti ushtarak. Atje Alexander u mbajt në qeli për një javë, deri më 17 mars. “Alexander më telefonoi disa herë nga telefona të ndryshëm, duke më kërkuar që të kontaktoja me komandantët përmes zyrës së regjistrimit dhe t’u shpjegoja se ai ishte në
zyrën e komandantit. Por komisari më tha se nuk i njeh komandantët në fjalë. Ndërkohë toni i zërit të Alexander po bëhej gjithnjë e më i shqetësuar. Ai më lutej: “Shpejto, përndryshe nuk do të dal gjallë nga këtu!”- tregon Sergei.
Më 18 mars, Alexander i tha vëllait të tij se komandantët po përpiqeshin ta detyronin të nënshkruante dokumente, ku të pranonte se kishte hedhur në erë një automjet civil. Ia kishin lënë të kuptuar se nëse refuzonte mund të “shndërrohej në një person të zhdukur apo të vrasë në një aksident”.
“Alexander më tha se ai nuk kishte kryer asnjë krim ndaj s’do të firmoste asgjë. Pas këtij deklarimi, ai u dëbua nga zyra e komandantit pa pasaportën apo letërnjoftimin ushtarak. Në atë moment, motra jonë i telefonoi zyrës së prokurorit ushtarak të Irkutsk dhe i paraqiti një ankesë se Alexander kishte marrë kërcënime me vdekje nga eprorët e tij. Përgjigja ishte: “Epo, le të shpresojmë që ai të mos shkojë në asnjë cep!”- tregon i vëllai.
Alexander donte të rikthehej në batalionin e tij. Por më 20 mars, i telefonoi sërish vëllait të tij duke e informuar se gjendej sërish në zyrën e komandantit. Më pas një burrë tjetër ia mori telefonin dhe i tha Sergeit se i vëllai kishte “bërë rrëmujë dhe pinte”.
Më pas Sergei pyeti se çfarë do të ndodhte me vëllain e tij dhe duke folur me një “theks të qartë ukrainas”, burri tha: “Kjo nuk është puna juaj”. Disa orë më vonë, Alexander i telefonoi sërish Sergeit duke i thënë se po e çonin në një vend të panjohur.
Sergei mundi të dëgjonte një grua që qeshte në sfond. Pas asaj telefonate, numri i telefonit që përdorte Aleksandri u bë i padisponueshëm. Zyrtarët në zyrën e regjistrimit ushtarak në Rusi e siguruan Sergein se vëllai i tij ishte ende në front duke luftuar. Familja u ngushëllua edhe për faktin se Alexander vazhdonte t’i hidhej rroga në bankë, të cilën e morën si një shenjë se ai ishte ende gjallë.
Më pas, në mes të muajit maj, të afërmit e Alexander morën një letër nga Ministria Ruse e Mbrojtjes. Në të thuhej se Alexander Samoilov kishte vdekur më 21 mars pranë fshatit Chervonoopopivka dhe se vdekja e tij “nuk kishte lidhje me shërbimin e tij ushtarak”.
Raporti mjekësor i Aleksandrit jep një datë tjetër vdekjeje: 20 mars. Shkaku i vdekjes përcaktohet si “asfiksia mekanike nga shtrëngimi i qafës nga një lak”. Ekzaminuesi mjekësor shtoi një shënim që thoshte se vdekja ndodhi “si rezultat i dëmit të shkaktuar me qëllim të papërcaktuar”. Trupi i pajetë i Alexander u dërgua në Irkutsk më 22 maj. Komisari ushtarak tha se vdekja e tij kishte ardhur nga vetëvrasja. Por duke qenë skeptike, familja e të ndjerit kërkoi një ekzaminim të dytë.
“Zyra e regjistrimit refuzoi duke thënë se nuk kishte kohë, dhe se ai duhej të varrosej shpejt, pasi duhej të merreshin me funeralin e shumë viktimave të tjera. Unë doja që ta ktheja trupin dhe ta shikoja me imtësi. Por nuk më lejuan. Ata thanë se tashmë ishte duke u dekompozuar. Gjithçka që arrita të bëja ishte t’i zbërtheja butonat e këmishës dhe të shihja vulat e errëta në trup. Mendoj se ishin shkaktuar nga rrahjet”- theksoi Sergei.
Sergei i dërgoi gazetës “People of Baikal” një foto të Alexander në arkivolin e tij. Edhe në trupin pjesërisht të dekompozuar, ishte e dukshme një vragë e ngjashme me atë që shkaktonte nga mbytja. Një prerje e thellë mund të shihej në faqe dhe krahët e tij ishin të mbuluara me të prera dhe mavijosje.
“Kam dëgjuar se kjo nuk është hera e parë që ushtarë rusë kapen në Luhans dhe vriten në heshtje. Atje nuk ka asgjë ruse. Është 100 për qind Ukrainë. E çfarë aneksuan? Ky është një absurditet i plotë. Vëllai im më tha: “E kuptova se kjo nuk ishte lufta që po përfytyroja. Kjo që po ndodh është shfarosje; ne po na përdorin si karrem. Unë nuk do të vdes kështu. Më mirë të më burgosnin”.
Sergei ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Komiteti Hetimor Rus dhe Prokuroria Ushtarake në lidhje me rrethanat e vdekjes së vëllait të tij, duke përfshirë se ku dhe nga kush u gjet i varur. Afati për përgjigjen nga ana e autoriteteve skadoi në fund të qershorit.
Por Sergeit ju tha se duhej të vazhdojë të presë sepse “zyra e komandantit në Oleksandrivsk po zhvendoset në një ndërtesë tjetër”, dhe nuk ka kohë për t’iu përgjigjur ankesës së tij.
Në korrik, paga mujore e Alexander Samoilov mbërriti në llogarinë e tij bankare. Por autoritetet ushtarake thanë se ishte një gabim teknik dhe se paratë do t’i kthehen shtetit. /albeu.com