Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Për 3 dekada pas 1991-shit, evropianët e shpërfillën kërcënimin nga Rusia dhe Kina, kursyen shumë për mbrojtjen dhe e morën si të mirëqenë mbrojtjen që do t’u vinte në çdo rast nga Shtetet e Bashkuara. Tani ata po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, kanë frikë nga Rusia dhe shqetësohen për ngritjen e Kinën në skenën ndërkombëtare.
Por ende nuk e kanë kuptuar plotësisht varësinë e tyre nga Shtetet e Bashkuara dhe rreziqet që paraqet kjo gjë. Ata ishin të papërgatitur për mandatin e parë si president të Donald Trump. Dhe kanë të njëjtën qasje shpresëdhënëse ndaj asaj që tregjet e basteve thonë se është: 1 në 3 shanset e tij për t’u rizgjedhur në 2024-n, dhe ndoshta më e rëndësishmja, ndaj valës së madhe të mbështetësve që ka ende me vete.
Shumë njerëz në Uashington, dhe jo vetëm mbështetësit e Trump, mendojnë se SHBA-ja po shpenzon më shumë se duhet dhe se duhet t’ua lërë Ukrainën evropianëve, ndërsa vetë duhet të përqendrohet tek rivaliteti me Kinën. Është e vërtetë: presidenca e parë e Trump nuk ishte katastrofa gjeopolitike që na e parashikuan kritikët e tij.
Prania ushtarake e SHBA-së në Evropë u rrit, pas vitesh zvogëlimi të vazhdueshëm. Aleancat mbijetuan. Aparati i sigurisë kombëtare funksiononte. Duke pasur parasysh të kaluarën mjerane (“rivendosjen” e famshme të Obamës) ky rekordi i reziston analizës. Por nuk u testua plotësisht.
Besueshmëria e NATO-s qëndron tek gatishmëria e presidentit amerikan për të shkuar në luftë në mbrojtje të aleatëve. Në rast se Vladimir Putin, ndoshta i inkurajuar nga një ngërç në fushëbetejën e Ukrainës, do të zgjidhte ta testonte këtë vendosmëri, ndoshta me një inkursion “të vogël” ushtarak në rajonin e Baltikut, si do të reagonte presidenti Trump 2.0: Me forcë ushtarake ose me një telefonatë në Kremlin?
Ne nuk e dimë këtë gjë. Por nga ana tjetër e dimë se Evropa do të ketë pak zë në këtë çështje. Ukraina ka nxjerrë në pah “lakuriqësinë” e saj strategjike. Britania dhe Franca kanë kapacitete bërthamore. Finlanda dhe Polonia kanë armë konvencionale sekrete me goditje shumë të sakta, që veprojnë si një lloj parandalimi nën-strategjik.
Por, të paktën dekadën e ardhshme, aleatët evropianë nuk do të kenë kapacitete për të zmbrapsur një sulm rus. Si gjithmonë, gjithçka varet nga amerikanët. Këtu pyetja kryesore është “Pse?”. Aleatëve evropianë nuk u mungojnë njerëzit apo paratë. Popullsia e tyre është 590 milion (SHBA-ja ka 330 milionë banorë). PPB-ja e tyre e marrë së bashku është rreth 18 trilionë dollarë (SHBA-ja 26 trilionë dollarë).
Ata mund të shpenzojnë kur të duan: lexuesit amerikanë mund të habiten kur e mësojnë se që nga fillimi i luftës, vendet evropiane kanë ofruar më shumë ndihmë për Ukrainën sesa SHBA. Atyre nuk u ka munguar as koha. Çdo president i SHBA-së që nga Eisenhower ka nxjerrë në pah rreziqet e shpenzimit të mangët dhe naivitetit strategjik (duke përfshirë që nga vitet 1960, rreziqet e importimit të gazit sovjetik).
Një arsye për këtë mosveprim është procesi politik. Në kohë paqeje, votuesit në përgjithësi preferojnë shpenzimet më të mëdha për mirëqenien sociale. Një arsye tjetër, disi më e sofistikuar, është se vendimmarrësit dhe opinion-formuesit mendojnë se SHBA-ja ka nevojë për aleatë dhe për rrjedhojë, ajo është e gatshme të paguajë për sigurinë e tyre.
Kjo qasje mund të jetë dukur dikur kursimtare dhe pse jo cinike. Tani duket e nxitur nga vetëkënaqësia dhe është e kushtueshme. Lufta e Ukrainës i tregoi kufijtë e oreksit amerikan për të ndërmarrë veprime të rrezikshme. Administrata Biden i ka siguruar vërtet armë Ukrainës, por është gjithmonë e kufizuar nga frika e përshkallëzimit.
Vendimet (për tanke, raketat me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë) ishin të vonuara. Kjo gjë i dha kohë Rusisë për të forcuar mbrojtjen e saj. Ukrainasit kanë paguar tashmë një çmim të tmerrshëm. Nëse Rusia nuk mposhtet në Ukrainë, e gjithë Evropa përballet me dekada rreziku.
Me një SHBA të shpërqendruar gjithnjë e më shumë tek kërcënimi që vjen nga Kina, ajo mund të përballet e vetme me Rusinë. Mjafton të imagjinoni sikur Evropa të kishte filluar ta merrte seriozisht sigurinë e brendshme dhe të jashtme pas njërës prej zileve të zgjimit të shumta, të injoruara prej kohësh në të kaluarën, siç ishte sulmi kibernetik i Rusisë ndaj Estonisë në vitin 2007.
Deri tani, aleatët evropianë mund të jenë një partner global i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në lidhje me Kinën, por edhe për çështje të tjera të ngutshme globale. Kjo nënkupton kosto dhe përgjegjësi. Por do të sillte edhe privilegje, mes të cilave edhe të marrit seriozisht nga të tjerët. /albeu.com