Leku e ka nisur këtë javë me një forcim të mëtejshëm në kursin e këmbimit ndaj Euros dhe valutave të tjera kryesore.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 102.36 lekë, në rënie me 0.99 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek ka arritur një rënie prej 12.7%. Për agjentët e këmbimit valutor, rënia e Euros është konfirmim i pritshmërive të tregut.
Kursi Euro-Lek këtë filloi një rënie të ndjeshme qysh në fillim të tremujorit të dytë, ndërsa ardhja e sezonit turistik po e zhyt më shumë në rënie monedhën europiane. Të dhënat e deritanishme kanë treguar një numër rekord të turistëve të huaj dhe të flukseve valutore hyrëse nga turizmi. Besohet se prurjet e mëdha valutore janë faktori kryesor që po ndikon në zhvlerësimin e shpejtë dhe të paprecedentë të monedhës europiane.
Përveç turizmit, prurjet valutore po ndikohen nga rigjallërimi i remitancave dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja. Tendencë e re e viteve të fundit është rritja e investimeve të shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Agjentët e këmbimit mendojnë se prurjet informale ngelen gjithashtu një faktor që ka ndikimin e vet edhe kursin e këmbimit valutor. Agjentët presin që, për shkak të efektit sezonal, kursi Euro-Lek të vazhdojë të ndjekë një tendencë rënëse të paktën deri në javën e parë të muajit gusht.
Me rënien e saj të fortë, Euro po përheq pas vetes edhe valutat e tjera kryesore. Paundi Britanik ka rënë në minimumin e ri historik prej 119.12 lekëve. Dollari Amerikan ka rënë në vlerën e 91.03 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2009.
Franga zvicerane ka zbritur në nivelin e 106.11 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2010.
Euro është valuta referuese për sektorin financiar në Shqipëri dhe kursi i monedhave të tjera përcaktohet nga vlera e Euros e kombinuar me kursin e këmbimit të monedhës europiane kundrejt secilës prej tyre. Në javët e fundit, rënia e Euros ndaj Lekut po shoqërohet me një rënie të valutave kryesore ndaj Euros në tregjet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, kjo ka sjellë rënie rekord edhe për shumicën e valutave të huaja kundrejt Lekut.
Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit, veçanërisht kundrejt Euros, sjell ndikime të rëndësishme në ekonomi. Leku më i fortë ul çmimin e importeve të mallrave dhe shërbimeve dhe në teori ushtron presione rënëse mbi çmimet e importit dhe inflacionin.
Leku i fortë po favorizon shumë edhe huamarrësit në valutë të huaj, duke tkurrur vlerën e detyrimeve të tyre në monedhën vendase. Përfituesi më i madh mes tyre është vetë qeveria shqiptare, që po përfiton rënie të ndjeshme të portofolit të borxhit në valutë të huaj.
Por, një forcim në këto përmasa i Lekut po dëmton ato subjekte ekonomike që kanë të ardhura në valutë të huaj dhe shpenzime në Lekë, duke filluar nga eksportuesit. Forcimi i Lekut me rreth 13% në një vit ka një efekt të fortë negativ mbi marzhet e fitimit dhe në këto kushte alternativat janë rritja e çmimeve, shkurtimi i shpenzimeve ose gjetja e mënyrave për të rritur produktivitetin.
Një kategori që po preket ndjeshëm forcimit të Lekut janë edhe familjet e varura nga remitancat. Zhvlerësimi i valutave ka ulur fuqinë e tyre blerëse dhe potencialisht mund të jetë një faktor që do t’i nxisë emigrantët të dërgojnë më shumë para, faktor që, nga ana tjetër, do të krijonte presione të reja për forcimin e Lekut.
Leku i fortë po ul gjithnjë e më shumë vlerën e kursimeve në valutë të huaj të shqiptarëve. Megjithatë, duke qenë se ekonomia shqiptare është e euroizuar në një shkallë të lartë, ky faktor nuk duket se po e dekurajon shumë mbajtjen e kursimeve në Euro, siç tregojnë të dhënat e depozitave bankare./Monitor/