Sekretari britanik i punës dhe pensioneve Mel Stride ngatërroi dy herë Shqipërinë me Rumaninë gjatë një interviste në programin Today të BBC Radio Four.
Stride bëri gafën e turpshme teksa mbrojti planin e qeverisë për Ruandën.
Prezantuesja Mishal Husain tha se Rishi Sunak ishte në rrugën e duhur për të thyer premtimin e tij për të ndaluar varkat e vogla që transportonin emigrantë përtej Kanalit nga Franca.
“Numrat nuk janë më në rënie në krahasim me vitin e kaluar. Gjashtë muajt e parë të këtij viti janë tashmë të njëjtë me vitin 2022. Ju nuk do të jeni në gjendje t’i ndaloni varkat, apo jo?”, e pyeti gazetarja Sekretarin britanik.
Por ai nuk hezitoi për t’i kthyer një përgjigje dhe tha se qeveria kishte një sërë politikash për ta ndihmuar atë të arrinte objektivin e saj, duke bërë edhe gafën e tij duke ngatërruar Rumaninë me Shqipërinë.
“Për shembull, ne kemi pasur një marrëveshje me Rumaninë, e cila tani do të thotë se duke i kthyer njerëzit menjëherë në Rumani, numri i rumunëve që vijnë këtu ka rënë”, tha Stride.
Por gazetarja ndërhyn menjëherë duke e korrigjuar: “E ke fjalën për Shqipërinë?”
Ai tha: “Më falni, e kam fjalën për Shqipërinë, ju kërkoj falje”.
Stride po përpiqej t’i referohej një marrëveshjeje që Britania e Madhe ka arritur me Shqipërinë, e cila parashikon që emigrantët të kthehen në atë vend nëse arrijnë në Britani./Albeu.com.