Nga Andreas Kluth “Bloomberg”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Bashkimi Evropian lavdërohet shpesh si projekti më i madh i paqes në histori. Kjo tingëllon si shumë e bukur dhe idealiste dhe unë vetë anoj nga ky përcaktim. Por tani kontinenti është sërish në luftë. Sigurisht jo brenda BE-së, por në periferinë e tij. Por çfarë të ardhmeje ka projekti më i madh i paqes në këtë epokë të re të egër?
Kjo është një pyetje që po ia bëj vetes ndërsa rikthehem në SHBA pas 11 vitesh jetese në Berlin dhe duke mbuluar zhvillimet në Gjermani dhe BE. Evropianët, tha dikur një ministër i jashtëm gjerman, janë vegjetarianë në një botë mishngrënëse. Por edhe sa kohë mund të mbijetojnë barngrënësit kur grabitqarët fillojnë që të bëjnë gosti?
Gjermania ishte një pikë e mirë për të parë naivitetin e jashtëzakonshëm me të cilin disa evropianë (kryesisht perëndimorë) këmbëngulnin përpara se presidenti rus Vladimir Putin të sulmonte Ukrainën – se “sot ne jemi të rrethuar nga miq”. Sipas tyre, Evropa e kishte lënë pas mentalitetin e saj të vjetër militarist dhe ishte dukë u bërë një lloj tjetër superfuqie, e tregtisë dhe rregulloreve, e vlerave dhe qytetërimit.
Por jo të gjithë evropianët kënaqeshin me deklarata të tilla. Anëtarët e rinj të unionit në Evropën Qendrore dhe Lindore që dikur ishin nën thembrën e Moskës – vende si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia – kanë qenë prej kohësh kritike ndaj verbërisë së qëllimshme të fqinjëve të tyre perëndimorë ndaj potencialit agresiv të Kremlinit.
Ata ishin të zemëruar teksa Gjermania shpenzoi 2 dekada duke mbajtur marrëdhënie shumë të ngrohta me Putinin dhe duke e bërë veten të varur nga hidrokarburet e tij. Kjo vijë ndarëse midis lindjes dhe perëndimit, shumë kohë përpara pushtimit të Putinit në vitin 2022, e ndau BE-në në një drejtim.
Ndërsa një çarje tjetër, e nxjerrë në pah nga kriza e eurozonës, po ndante veriun nga jugu. Veriu (që përfshinte Mbretërinë e Bashkuar deri sa doli nga blloku) priret të jetë më i orientuar drejt tregut, më i fortë ekonomikisht, konservator nga ana fiskale dhe kulturalisht protestant.
Jugu është më shumë korporatist, shpenzues dhe kulturalisht katolik ose ortodoks. Në disa mënyra, vija e lashtë ndarëse e Romës e ndan ende sot kontinentin. Me sa duket, evropianët ndërtuan vendbanimin e tyre të përbashkët në majë të pllakave tektonike kërcitëse dhe bluarëse.
Më e thella nga këto vija ndarëse sot është midis anëtarëve që e barazojnë BE-në me demokracinë liberale dhe të tjerëve – sidomos Hungarisë dhe Polonisë – të cilat po e minojnë gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit për të ndërtuar mini-Kremlinët e autokracisë.
Tek e fundit, problemi është se asnjë nga narrativat kryesore për Evropën nuk e ka ndikuar ndonjëherë imagjinatën e evropianëve sa historitë e tyre kombëtare. Dhe ato përplasen shpesh midis tyre. Fërkime të tilla u vunë re që në fillim. Për shembull, qytetarët e Gjermanisë Perëndimorë, e panë integrimin evropian si një mënyrë për të rihyrë në qytetërimin perëndimor pas krimeve të tyre të epokës naziste.
Si pjesë e qasjes së tyre post-nacionaliste të shlyerjes së mëkateve, ata jo vetëm që ishin të gatshëm, por të etur për t’ia dorëzuar sovranitetin “Evropës”. (Nëse janë ende sot të gatshëm kjo është një çështje tjetër). Ndërkohë francezët, e panë “Evropën” si një mënyrë për të vazhduar projektimin e fuqisë kombëtare në botë nëpërmjet Brukselit, në një kohë kur po e humbnin perandorinë dhe statusin e tyre global dhe po binin ekonomikisht pas Gjermanisë. Ky është nënteksti që kumton sot presidenti francez Emmanuel Macron sa herë flet për “autonominë” evropiane. Në fakt ai nënkupton pavarësinë e BE-së nga SHBA-ja të udhëhequr nga Franca. Është një ironi që shpesh anashkalohet fakti që Amerika ka bërë më shumë për integrimin evropian se çdo vend tjetër.
Gjatë Luftës së Ftohtë, mburoja e saj ushtarake dhe bërthamore – në formën e NATO-s – e trembi Kremlinin, dhe u dha mundësi evropiano-perëndimorëve që të pajtoheshin dhe të ndërtonin diçka të re. Dhe kjo është ende e vërtetë sot. Xhaxha Semi ka qenë figura atërore, në praninë dashamirëse të të cilit fëmijët grindavecë evropianë mësuan të luanin bukur.
Prandaj presidenca e Donald Trump ishte një tronditje aq e fortë për evropianët. Ajo i trembi ata më shumë se sa referendumi i Brexit në 2016; më shumë se kriza e refugjatëve që ndodhi në të njëjtën kohë; më shumë se kriza e euros e cila nuk kishte përfunduar ende.
Madje më shumë edhe sesa aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Putini dy vjet më parë dhe lufta hibride që ai po bënte tashmë në Ukrainën Lindore. Secila nga këto kriza nxori në pah një cënueshmëri të ndryshme të BE-së. Por të kesh Trumpin ose dikë si ai në Shtëpinë e Bardhë – ndoshta sërish në vitin 2025 – mund ta shkatërrojë bllokun.
Trump refuzoi të luante atë rol të vjetër atëror. Ishte e kuptueshme që ai nuk donte të paguante për të mbrojtur Evropën, kur evropianët dhe veçanërisht gjermanët, shpenzonin minimalisht. Por reagimi i Trump ishte kaq transaksional, saqë e minoi aleancën.
Me politikën dhe retorikën e tij tregtare, ai i trajtoi evropianët si ish-kancelarja gjermane Angela Merkel më shumë si armiq sesa miq. Njëkohësisht, ai iu afrua Putinit më shumë si mik sesa armik. Trump e bëri të qartë se ai nuk shihte asnjë vlerë të brendshme tek NATO dhe për rrjedhojë “Perëndimi”.
Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, evropianëve iu desh të mendonin për një kontinent pa praninë e Amerikës. Papritur, “barngrënësit” evropianë u kujtuan se kishin dhëmballë, por u mungonin dhëmbët prerës. Tronditja tjetër e madhe ndodhi kur Putini nisi luftën e tij pushtuese dhe gjenocidale kundër Ukrainës.
Ai e ktheu Evropën në një epokë më të hershme dhe më të errët. U zhduk konsensusi mbi respektimin e rregullave dhe kufijve. Në vend të tij u rishfaq agresioni imperialist i pamëshirshëm dhe anarkik. Në një farë mase, sulmi i Putinit bëri që Evropa dhe Perëndimi të bëheshin sërish së bashku.
Finlanda tani është pjesë jo vetëm e BE-së, por edhe e NATO-s, dhe Suedia është afër pranimit. Gjermania – të paktën me fjalë – e ka braktisur demilitarizimin e saj të gjatë dhe ka premtuar të riarmatoset. Por vende si Italia që kishin dikur një raport të afërt me Kremlinin janë rreshtuar kundër Rusisë.
Por BE-ja është larg bashkimit. Putin ka simpatizantë ende atje, të cilët përhapin dezinformacionet e Kremlinit. Kryeministri hungarez Viktor Orban, një mik i Putinit, bllokon ose ngadalëson sa herë që mundet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Nëse do të zgjasë lufta në Ukrainë, Evropa do të fillojë të lëkundet.
Pushtimi i Putinit ka nxjerrë në pah edhe “vegjetarianizmin” e Evropës. Pavarësisht diskutimeve të përsëritura që nga vitet 1950 për një “Ushtri Evropiane”, ajo nuk do të arrijë kurrë asgjë nëse nuk krijon skema të ndryshme teknokratike për të kryer blerje të përbashkëta ushtarake.
Por aktualisht, në mbështetjen e Ukrainës, Evropa është futur edhe një herë nën kujdesin e vjetër të SHBA-së. Kancelari gjerman Olaf Scholz vendosi një kusht: Ai pranoi të dërgonte tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë, vetëm nëse amerikanët dërgonin gjithashtu tanket e tyre M1 Abrams.
Nëse SHBA do të lëkundet ndonjëherë në mbështetjen e Kievit – le të themi në rastin e një mandat të dytë të Trump – edhe Evropa do të humbiste guximin. Ky është realiteti teksa unë largohem nga kontinenti dhe BE-ja përballet me dilema të ndryshme.
Njëra është nëse Evropa duhet të përpiqet të kthehet në rrugën e saj të pretenduar të “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”, duke i dhënë më shumë pushtete nga kryeqytetet tek Brukseli. E dyta ka të bëjë me zgjerimin. BE-ja është zgjeruar nga 6 anëtarë themelues në vitet 1950 në 27 sot. Tetë të tjerë janë kandidatë zyrtarë për t’u bashkuar, dhe dy të tjerë (Kosova dhe Gjeorgjia) konsiderohen kandidatë potencialë.
Perspektiva e kaq shumë anëtarëve të rinj e vendos në vështirësi BE-në. Duket se BE-ja mund të thellohet ose të zgjerohet, por jo të dyja njëkohësisht. Në teori, Evropa mund të jetë një superfuqi, duke u bërë Shtetet e Bashkuara të Evropës. Por unë nuk po shoh që kjo të jetë duke ndodhur.
Në vend të kësaj BE do të mbetet një konfederatë e maskuar si një federatë dhe ndoshta do të kthehet në një zonë të thjeshtë tregtare. Pas kaq shumë dekadash, evropianët nuk do t’i rrisin papritur dhëmbët prerës duke u shndërruar në “mishngrënës” që të mbajnë larg “grabitqarët”. Kjo do të thotë se tek e fundit fati i tyre mund të vendoset diku tjetër – diku midis Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit. /albeu.com
Marrë me shkurtime