Mësimet që duhet të nxjerrim të gjithë nga trazirat në Francë

Nga Tony Blair “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Parisi nga i cili sapo jam rikthyer në Londër është sërish i qetë. Rrugët janë plot, turistët bëjnë gjërat e tyre, parisienët sillen në mënyrë tipike. Ka pasur shqetësime se Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm mund të preken nga trazirat e 10 ditëve të fundit.

Por në vitin 2011, edhe Londra përjetoi trazira serioze. Dhe prapë në vitin 2012, ne mbajtëm një nga Olimpiadat më të suksesshme që ka parë ndonjëherë historia. Ndaj nuk kam asnjë dyshim se “Paris 2024”, do të jetë një spektakël madhështor.

Megjithatë, kujtimi i netëve të trazirave dhe shkatërrimeve, pas vrasjes tragjike të 17-vjeçarit nga Nanterre nga një oficer policie, do të lërë gjurmë dhe natyrisht që ka nxitur jo pak reflektim në Francë. E vërteta është se një ngjarje e tillë dhe shpërthimi i zemërimit së bashku me aktet kriminale që e shoqëruan, mund të ndodhë pothuajse kudo në një vend të zhvilluar modern perëndimor.

Ato flasin për problemet e rrënjosura thellë, dhe ku një pjesë të shoqërisë e sfidon politikë-bërjen tradicionale. Ekziston një model i njohur: pjesë të një qyteti të madh ku jetojnë grupe qytetarësh të lënë pas dore, sidomos të rinj.

Një kulturë e trashëguar brez pas brezi, në të cilën droga dhe bandat janë të përhapura, ka një papunësi në nivele larta ose të paktën në ekonominë formale, nivele arsimore të dobëta dhe zakonisht një marrëdhënie të thyer midis komunitetit lokale dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit.

Ndaj kur ndodh një ngjarje ku përfshihet policia bie sirena e alarmit. Ajo që fillon si protestë shndërrohet shumë shpejt në një trazirë të shëmtuar të shoqëruar me zjarrvënie, plaçkitje dhe akte të tjera kriminale. Edhe përgjigja politike është jashtëzakonisht e parashikueshme.

E djathta fajëson për kaosin mungesën e dënimeve të ashpra, sistemin e drejtësisë penale (dhe në një mënyrë shumë tinëzare emigracionin). Ndërkaq e majta përmend si përgjegjëse kushtet sociale. E djathta flet në emër të shumicës së publikut që e urren dhunën. Por nuk arrin të bindë asnjë nga ata që e kryejnë atë.

Nga ana tjetër, e majta është bllokuar në një lidhje midis simpatisë për të tjetërsuarin dhe justifikimit të asaj që shumica e konsideron të pafalshme. Të dy kanë deri diku të drejtë, por asnjë nga strategjitë e tyre nuk duket se ka funksionuar. Në mes është presidenti Emmanuel Macron në një nga situatat më të sikletshme.

Vrasja nuk duhej të kishte ndodhur. Kjo është tashmë e qartë. Dhuna nuk duhej të ishte përgjigja. Dhe kjo është gjithashtu e qartë. Por kur ai thotë të parën, duket se nuk është një  mbështetës i policisë. Kur thotë të dytën, duket sikur është i pandjeshëm ndaj faktorëve që janë në origjinë të këtyre trazirave.

Duke studiuar këtë çështje, është e gabuar të thuhet se çështja është lënë pas dore. Përkundrazi, qeveria e tij ka investuar në pjesët më të varfra të qyteteve të brendshme dhe qyteza, me programe të posaçme për familjet, për sportin, për rekreacionin e të rinjve dhe ka dhënë miliarda euro në projekte rigjenerimi.

Po ashtu, vetë Franca është bërë shumë e suksesshme në tërheqjen e investimeve, ka ndërtuar një sektor teknologjik në rritje të start-up-eve dhe po bën reforma të mëdha, si ajo e pensioneve, që edhe pse shumë e diskutueshme, cilësohet nga shumica e vëzhguesve të jashtëm si e nevojshme dhe e vonuar.

Asnjë lider që reformon sisteme me interesa shumë të rrënjosura nuk është popullor në një periudhë afatshkurtër dhe Macron nuk bën përjashtim. Unë vetë e humba postin e kryeministrit për shkak të debatit mbi tarifat e shkollimit në universitet, dhe jo mbi politikën e jashtme. Por ky realitet nuk prek ato lagje ku kultura po vepron si të ishte në një planet të ndryshëm nga ai i sipërmarrësit të teknologjisë. Atëherë, çfarë funksionon?

Së pari, është e vërtetë se pa rend dhe rregull, nuk ka shpresë. Pra, nuk mund të lejojmë që kriminaliteti të mposhtë autoritetet e zbatimit të ligjit. Nuk mund të ketë zona “të ndaluara” për policinë. Kjo e fundit ka nevojë për autoritet dhe mbështetje.

Nëse është e nevojshme, gjykatat speciale duhet të merren me shkelësit e ligjit dhe t’i trajtojnë me shpejtësi çështjet e tyre. Në Britani, dështimi i sistemit aktual për ta bërë këtë do të jetë një makth në të ardhmen nëse nuk korrigjohet.

Së dyti, është gjithashtu e vërtetë se duhet të adresohen problemet sociale themelore që e kanë shkaktuar këtë kulturë tjetërsimi. Programet që ofrojnë ndihmë nuk janë humbje parash. Do të ketë të rinj që përfitojnë prej tyre. Por ato duhet të konceptohen dhe zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me komunitetet e prekura, në mënyrë që të jetë e qartë se paratë që po u jepen janë pjesë e një marrëveshjeje.

Shteti duhet të mbajë përgjegjësitë e tij, por edhe komunitetet kanë përgjegjësi. I takon qeverisë dhe drejtuesve vendorë që ta bëjnë këtë një marrëveshje të dyanshme.

Së treti, mos e nënvlerësoni asnjëherë rëndësinë e arsimimit. Në lagjet më të varfra të Londrës, numri i fëmijëve që merrnin rezultate të mira GCSE në vitin 1997 ishte rreth 25-30 për qind. Ishte një nivel tronditës i dështimit. Shumë pak prej tyre shkuan në universitet. Programi Sfida e Shkollave të Londrës, kreu reforma thelbësore në sistemor arsimor gjatë një dekade. Dhe në vitin 2010, më shumë se 75 për qind e tyre e kalonin GCSE, dhe rreth gjysma shkuan në universitet. Arsimi është përgjigja më e mirë ndaj tjetërsimit.

Së katërti, fokusohuni tek ato që mund t’i quajmë familje “të trazuara”, të cilat priren të njihen në komunitet dhe që shpesh shkaktojnë një pjesë masive të kriminalitetit. Dhe përvoja tregon se nuk funksionojnë programet tradicionale që synojnë thjesht zbutjen e “varfërisë”.

Këto lloj familjesh kanë nevojë për një përzierje të presionit dhe mbështetjes. Dhe nuk duhet të thuhet se është e tolerueshme situata e tyre aktuale. Macron është një udhëheqës i shquar. Rikthimi në skenë i populizmit në të majtë ose në të djathtë nuk është përgjigja për Francën apo ndonjë komb tjetër perëndimor.

Ajo që nevojitet është një politikë specifike e bazuar tek një analizë gjithëpërfshirëse e problemit. Dhe një mësim tjetër. Duhet kohë. Të paktën një dekadë. /albeu.com


Shtuar 10.07.2023 10:08

Tags: