Nga Bel Trew “The Independent”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“Të rinjtë nga lagjja jonë futen në burg për shumë më pak”- thotë Hatifa, tezja e adoleshentit francez, vrasja e të cilit nga një oficer policie në një postbllok javën e kaluar nxiti protesta mbarëkombëtare dhe trazira të dhunshme. Vrasja e Nahelit 17 vjeçar, e cila u filmua në kamera, ka vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare familjen e tij, me origjinë algjeriane dhe marokene.
E alarmuar nga dhuna në rritje, tezja e tij donte ta bënte të qartë se ata si familje po bëjnë thirrje për qetësi dhe për t’i dhënë fund dhunës dhe plaçkitjeve. “Unë shpresoj që vdekja e Nahel të sjellë një lloj ndryshimi. Sepse këtu në Francë ne kemi një problem serioz me racizmin dhe diskriminimin”- më tha ajo e përlotur.
Në këtë pjesë të Nanterres, një zonë periferike e varfër e Parisit ku jetoi dhe u vra Nahel, fjalët e saj mbështeten nga i gjithë komuniteti vendas. “Nëse nuk je i bardhë, ka një sistem kombësie me 2 nivele”- më tha një burrë. Vrasja e Nahel – dhe 5 ditët e trazirave dhe dhunës që e pasuan – përbëjnë jo vetëm një nga sfidat më të mëdha për presidencën e Emmanuel Macron, por ato e kanë përçarë thellësisht kombin.
Ato kanë nxjerrë në pah edhe një herë vijat ndarëse që kanë ekzistuar prej kohësh në shoqërinë franceze. Trazirat e kësaj here pasojnë protestat e mëdha në fillim të këtij viti kundër reformave të pensioneve, kaosit të viteve 2018-19 gjatë mitingjeve të Gilets Jaunes (Jelekëve të Verdhë) dhe trazirave të mëdha të vitit 2005.
Këtë herë ato kanë vendosur në qendër të vëmendjes policinë franceze. Nga njëra anë, e djathta është rreshtuar në krah të policisë dhe oficerit të akuzuar për vrasje të vullnetshme, dhe që ndodhet në paraburgim (një veprim ky i paprecedentë për Francën).
Madje, një fushatë në Go Fund Me që u nis nga Jean Messiha, ish-këshilltar i politikanes së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, mblodhi mbi 1 milionë euro për familjen e policit. Një nga sindikatat më të fuqishme të policisë së Francës, deklaroi se ishte “në luftë” me ata që i quajti “hordhitë e egra të parazitëve”.
Sigurisht që ndihej kështu në Champs-Élysées të shtunën e kaluar, kur qindra oficerë policie të pajisur me motoçikleta, furgonë por edhe duke ecur në këmbë marshuan lart e poshtë rrugës së famshme me pajisje mbrojtëse të ngjashme me ato në filmit Iron Man.
Në fakt, Macron angazhoi mbi 45.000 oficerë policie, dhe ata bënë mbi 3.300 arrestime dhe u përfshinë në përleshje të forta me të rinjtë nëpër rrugët e Parisit, Marsejës, Lionit, Tuluzës dhe Lilës. Pasuan djegie dhe plaçkitje të shumta. Banorët e një rruge në një lagje të pasur, ku që në orërt e para të mëngjesit një grup rebelësh bastisën shtëpinë e një kryetari bashkie në periferi të Parisit, duke plagosur gruan e tij, më thanë se e vetmja zgjidhje ishte prania e më shumë forcave të sigurisë.
“Ky sulm ndaj kryebashkiakut tonë, tregon se qeveria nuk i ka dhënë policisë burime të mjaftueshme për ta bërë siç duhet punën e tyre, dhe jo e kundërta”- thotë Michel, 30 vjeç, me profesion avokat. Nga ana tjetër, në periferitë e varfra, njerëz të pakënaqur, zakonisht me origjinë emigrante dhe të klasës punëtore bënë thirrje për një reformë të menjëhershme të sistemit aktual.
Emocionet përmblidhen mjeshtërisht tek parullat e skalitura në muret e stacionit të metrosë në Nanterre: “Një vend i pandëshkueshmërisë së policisë” dhe “Jeta e të rinjve në periferi ka rëndësi”. Abdelmadjid Benamara, avokati i familjes së Nahel, i cili është gjithashtu nga Nanterre, tha se brenda periferisë së qyteteve po përjetohet mungesa e shpresës, mos-njohja e të drejtave dhe një lloj tjetërsimi dhe distancimi nga pjesa tjetër e vendit.
“Problemi me periferitë është se gjithçka është ndërtuar në një mënyrë të tillë që ju të mos dilni dot prej saj. Shkollat, shtresa sociale, papunësia, mungesa e parave. Është e njëjta gjë në çdo periferi ku mund të shkosh”- thekson ai. Ndaj vrasja e Nahelit ishte pika që derdhi gotën, duke ndezur shfryrjen e dufit dhe zemërimit që ishte grumbulluar prej kohësh.
Ai shton se incidenti i Nahel nuk ishte i pari, por i treti me pasoja vdekjeprurëse i shkaktuar nga policia nëpër postblloqe vetëm këtë vit. Nga 13 incidente të ngjashme vitin e kaluar, vetëm 5 janë duke u hetuar. Ai beson se rasti i Nahel tërhoqi kaq shumë vëmendjen “sepse është kapur nga kamera”.
Olivier Cahn, një profesor i së drejtës penale në Universitetin Kerzhi dhe studiues mbi këtë temë, tha se thelbi i çështjes është “policia drejton veten në Francë”. “Duket se në Francë ligji është hartuar nga vetë policia. Nuk kemi pasur një Ministër të Brendshëm apo një parlament që të jetë në gjendje t’i rezistojë kërkesave të policisë sonë. Ligj pas ligjit janë rritur kompetencat e policisë”- thotë ai.
Kritika ka sidomos ndaj një ligji në veçanti: Neni L435-1 i kodit të sigurisë së brendshme, i cili lejon anëtarët e forcave të sigurisë të përdorin armët e tyre në një sërë rrethanash. Ai u miratua në vitin 2017, një vit pas zemërimit mbarëkombëtar që shkaktuan ngjarjet kur disa oficerë policie u shtruan në spital dhe një oficer gati u dogj për vdekje në një sulm me bomba molotov në automjetin e policisë në periferi të qytetit Viry-Chatillon.
Ndërsa Cahn nuk beson se vetë formulimi i dha domosdoshmërisht policisë mundësinë e një përdorim më të gjerë të armëve të zjarrit, ai u interpretua në këtë mënyrë. Një vit pas miratimit të ligjit, pati një rritje me 5-6 herë të të shtënave nga policia.
Tani ky nivel ka zbritur në 2 herë më pak në krahasim me periudhën para miratimit të ligjit, por problemi vazhdon. Ndaj këtë javë ka pasur thirrje për të anuluar ligjin e 2017-ës. Një faktor tjetër është se nuk ka asnjë organ të pavarur që mbikëqyr policinë.
Ndaj edhe në raste si vrasja e Nahel, policia do të hetojë veten. “Hapi i parë është që qeveria të rivendosë autoritetin e saj mbi forcat e policisë, duke krijuar një organ të pavarur që i qeveris ato. Së dyti duhet rikthyer tek praktika e policimit në komunitet”- vazhdoi Cahn.
Police de Proximité u krijua në vitin 1998, por u shpërbërë në vitin 2003 nga Nicolas Sarkozy, kur ishte Ministër i Brendshëm dhe kur bëri deklaratën famëkeqe: “Roli i policëve nuk është të luajnë futboll apo të organizojnë aktivitete sportive me komunitetet lokale por të arrestojnë kriminelët”.
Rikthimi i policimit në komunitet, është një ide që përkrahet edhe nga pjesëtarët më të vjetër të komunitetit Nanterre, të cilët thanë se mund të ndërtojnë ura me të rinjtë. “Jetoj këtu prej 27 vjetësh, dhe çdo vit ka më shumë racizëm, pasi gjërat në Francë kanë ndryshuar”- deklaroi Lash Baghdad, 58 vjeç, në funeralin e Nahel në Nanterre. “Më parë kishte policë të lagjes, të cilët njiheshin nga të gjithë dhe ishin të integruar në komunitet”- thekson ajo. “Por zhdukja e ndjenjës së diskriminimit është një betejë afatgjatë. Ne duhet të ndihemi se i përkasim këtij vendi”- thotë ajo. /albeu.com