Aftësitë raketore balistike të Iranit, një kërcënim në rritje për Evropën

Nga Behnam Ben Taleblu “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa Evropa e ka të vështirë t’i kundëvihet dërgimit të dronëve të Iranit në Rusi, të cilat ajo i përdor më pas kundër Ukrainës, ajo nuk ka luksin të shpërfillë përmirësimet ndaj një kërcënimi ajror edhe më të madh pa pilot, që së shpejti mund të mbërrijnë në pragun e saj: arsenalin e raketave balistike, që është më i madhi në Lindjen e Mesme.

Ndërsa transferimi i dyshuar i raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi, nuk ka ndodhur ende, forca shkakësore pas kësaj ka të ngjarë të mos jetë frika e Teheranit nga shkelja e ndonjë marrëveshje të pashkruar që po negociohet fshehurazi me Uashingtonin.

Përkundrazi, Republika Islamike mund të presë përfundimin e ndalimit nga OKB të testeve dhe transferimin e raketave balistike që këtë tetor, përpara se ta armatosë më tej Moskën me sisteme të goditjeve shumë të sakta. Në fakt, Irani mund të dëshirojë që kjo lëvizje të konsiderohet “e ligjshme” për të parandaluar çdo justifikim për një presion të ri.

Por ndërkohë, ai nuk ka qëndruar duarkryq. Në fund të majit, Irani testoi ​një raketë të re balistike të quajtur njëkohësisht “Khorramshahr-4” dhe “Khaybar”. Ndërsa emri i mëparshëm përkujton një qytet iranian të çliruar gjatë Luftës Iran-Irak – një konflikt nga ku lindi edhe interesi i regjimit revolucionar për raketat si një shtesë për fuqinë ajrore – emri i fundit vjen nga një bastion hebre në Arabi që u pushtua nga ushtritë e profetit Muhamed 14 shekuj më parë, një ngjarje e spikatur për liderët aktualë revolucionarë të Iranit që synojnë shkatërrimin e Izraelit.

Vetë raketa bazohet në një variant iranian të një rakete bërthamore të Koresë së Veriut të njohur si Musudan, një kujtesë kjo e bashkëpunimit të gjatë ushtarak dhe raketor midis dy regjimeve diktatoriale. Që nga blerja e Musudan në mesin e viteve 2000, Irani e ka përsosur më tej armën, duke zhvilluar një variant me një kokë më të lehtë që mund të udhëtojë deri në 3000 kilometra.

Kjo nënkupton se ai mund të shënjestrojnë pjesë të Evropës Jugore, dhe të jetë potencialisht në gjendje të godasë pothuajse të gjithë Evropën Qendrore. Natyrisht, një zhvillim i tillë bëri që Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania ta ngrenë këtë problem në OKB në vitin 2019.

Dhe ndërsa “Khorramshahr” më i ri i përmbahet kufirit të vetë-imponuar të Teheranit për raketa me rreze deri në 2.000 kilometra, zyrtarët iranianë e paralajmërojnë këtë me kërcënime të nënkuptuara ndaj Evropës, duke theksuar se ky kufi nuk është një kufizim teknik i përhershëm.

Ndërkohë, ekziston edhe shqetësimi për raketat “Khorramshahr” që përmbajnë 1500 kilogramë eksploziv dhe që supozohet se mund të manovrojë rrugës gjatë fluturimit, duke krijuar kështu sfida për mbrojtjen raketore në Evropë të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështetur nga NATO.

Pastaj është çështja e motorit të ri të “Khorramshahr”, i cili thuhet se përdor karburant vetëndezës ose hipergolik. Kjo është dëshmi se industria e raketave të Teheranit është shumë e zhvilluar pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare. Në vitin 2022, Teherani ndërmori disa sulme me raketa në zonat ndërkufitare në Irak, duke vrarë një shtetas amerikan me një raketë balistike dhe duke zhvilluar motorin e tij më të madh me karburant të ngurtë për t’u përdorur në një mjet lëshimi në hapësirë.

Një motor, që mund të përdoret potencialisht si pjesë e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM). Madje në fund të vitit të kaluar, Irani pretendoi se ka zhvilluar një raketë hipersonike, teksa janë zbuluar testimet mbi “Fattah”, një raketë e re balistike me rreze të mesme veprimi.

Në gjendje të udhëtojë për 1.400 kilometra me shpejtësi 13-15 më të madhe se e zërit (1600-1800 km/h), “Fattah” është një variant tjetër nga familja iraniane e raketave me precizion me lëndë djegëse të ngurta, të cilat vendi i ka përdorur në operacionet ushtarake rajonale që nga viti 2017.

Po ashtu Irani ka dëshmuar se zotëron aftësinë dhe synon të zhvillojë predha më të sakta, vdekjeprurëse dhe të mbijetueshme, dhe se nuk ka plane që të ndalet. Krahas këtyre zhvillimeve, Republika Islamike nuk ka hequr dorë as nga metodat e saj të provuara dhe të vërteta, siç është blerja e paligjshme e materialeve për të mbështetur programin e saj raketor.

Në prill, “POLITICO” raportoi se Teherani po kërkonte nga Rusia dhe Kina sasi të mëdha të perkloratit të amonit, i përdorur si oksidues në karburantin e ngurtë të raketave. Në maj, Departamenti i Drejtësisë në SHBA akuzoi një shtetas kinez për shkelje të sanksioneve të saj – për pjesëmarrjen e supozuar në një rrjet prokurimesh që do të siguronte grafit izotonik për Teheranin, një element që përdoret për zhvillimin e raketave balistike ndër-kontinentale”.

Dhe në fillim të qershorit, Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi sanksione ndaj një rrjeti personash dhe kompanish në Hong Kong, Kinë dhe Iran për mbështetjen e programit të raketave balistike të Iranit. nëpërmes blerjes se paligjshme të mallrave me përdorim të dyfishtë, akselerometrave dhe xhiroskopëve të destinuar për bazën e saj të industrisë ushtarake.

Për fat të mirë, këto zhvillime duket se po nxisin një përgjigje nga Evropa. Një raport i fundit që citon burime anonime nga Brukseli pretendoi se blloku do të kërkojë për herë të parë të vendosë një mori sanksionesh kundër raketave të Iranit, të cilat kishte planifikuar t’i hiqte nga lista këtë tetor, bazuar në afatin kohor të zbatimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015.

Deri më sot, Bashkimi Evropian nuk e ka konfirmuar publikisht këtë gjë. Një vështrim më i afërt i sanksioneve të BE-së ndaj Iranit, zbulon se pavarësisht vendosjes së më shumë gjobave kundër objektivave iraniane për shkelje të të drejtave të njeriut, terrorizëm dhe përdorimin e dronëve, blloku nuk ka miratuar një listë sanksionesh specifike kundër prodhimit dhe përhapjes së raketave iraniane që nga fundi i vitit 2012.

Në vend se të lejojë humbjen e kësaj mundësie, politikë-bërësit e BE-së duhet të angazhohen në biseda dhe të ndajnë të dhënat e inteligjencës me homologët e tyre amerikanë dhe britanikë për të harmonizuar më mirë sanksionet transatlantike të Iranit dhe për të parandaluar zbehjen e kufizimeve të OKB-së ndaj Iranit këtë tetor.

Kjo mund të bëhet duke iu referuar mekanizmit “Snapback” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që do të lejonte rivendosjen e kufizimeve dhe që është i disponueshëm edhe vetëm për 2 vjet të tjerë.

Shënim:Behnam Ben Taleblu, anëtar në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai është autor i librit “Arsenali:Vlerësimi i Programit të Raketave Balistike të Republikës Islamike të Iranit”.

/albeu.com


Shtuar 6.07.2023 09:39