Nga Gavin Mortimer “The Spectator”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Trazirat që kanë shkatërruar Francën ditët e fundit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes drejtuesin e së djathtës ekstreme Eric Zemmour. Kreu i partisë Reconquest (Ripushtimi) është shfaqur këtu ditë në shumë gazeta, televizione dhe emisione radiofonike duke u shprehur se kjo që po ndodh është diçka që është paralajmëruar prej kohësh prej tij.
Në një intervistë televizive të shtunën e kaluar, Zemmour shpjegoi se arsyeja pse hyri në politikë në fund të vitit 2021 ishte për shkak të asaj që ai e përshkroi si politikën 20-vjeçare të “emigrimit masiv me ritme të çmendura” në Francë.
Ajo ishte edhe çështja kryesore mbi të cilën e bazoi fushatën e tij gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar. Në dallim nga Marine Le Pen dhe partia e saj Tubimi Kombëtar, Zemmour mezi përmendi krizën e kostos së jetesës.
Axhenda e tij krysore ishin emigracioni dhe islami. Por ajo nuk i siguroi suksesin. Zemmour mori vetëm 2.4 milionë vota në raundin e parë të fushatës presidenciale, shumë larg pritshmërive të tij. Asnjë nga 500 kandidatët e Reconquest nuk u zgjodh në parlament në zgjedhjet legjislative.
Zemmour dhe zyrtarët e partisë së tij e kaluan verën e kaluar duke reflektuar. A duhet të zgjeronin shënjestrën e tyre apo të ruanin fokusin e tyre te emigracioni dhe Islami? Shtimi i numrit të emigrantëve që kaluan Mesdheun në Evropë verën e kaluar, dhe një seri sulmesh të dhunshme të kryera në Francë nga të huajt, bëri që ata që vendosnin t’i përmbaheshin strategjisë ekzistuese.
“Ne po zhvillojmë një luftë qytetëruese për të ruajtur identitetin tonë shekullor, i cili sot kërcënohet nga efekti i kombinuar i emigrimit të pakontrolluar dhe një Islami që kërkon ta pushtojë vendin tonë”-deklaroi në shtator 2022 Nicolas Bay, nënkryetar i parisë Reconquest.
Një muaj më vonë, Franca u trondit nga vrasja e 12-vjeçares Lola, e përdhunuar dhe e vrarë nga një grua algjeriane, e cila duhej të ishte deportuar me kohë nga vendi. Më pas, në janar të këtij viti, një burrë algjerian goditi me thikë 6 persona në Gare du Nord.
Ndërkohë muajin e kaluar një azilkërkues sirian vrapoi me thikë në një shesh lojërash në Annecy, duke plagosur 4 foshnja dhe 2 të rritur. Këto akte mizore, së bashku me krizën evropiane të emigrantëve, e cila nuk tregon asnjë shenjë se është vënë nën kontroll, e kishin rigjallëruar tashmë Zemmour dhe partinë e tij.
Ngjarjet e javës së kaluar – të cilat Zemmour i përshkroi si diçka midis “trazirave dhe luftës civile” – janë për politikanin radikal një dëshmi se ai ka pasur të drejtë gjatë gjithë kohës. Ndërsa Kombet e Bashkuara dhe sindikata e magjistratëve të Francës fajësojnë për trazirat “racizmin” e policisë franceze, Zemmour thotë se ka vetëm një fajtor: emigracioni.
“Gjatë 20 apo 30 viteve të fundit, ne kemi vazhduar të pranojmë qindra mijëra njerëz nga Afrika e Veriut dhe Afrika nën-Sahariane”- thekson ai. Zemmour përsëriti atë që kishte thënë gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar: se gjëja e parë që do të bëjë si president është “të ndalë fluksin e emigrantëve”.
President aktual Emmanuel Macron, duhet ta diskutonte krizën e emigrantëve në një samit të BE-së që u mbajt të premten e shkuar. Por ai u detyrua të ndërpresë udhëtimin e tij në Bruksel për të marrë pjesë në një takim në Paris mbi trazirat që kanë përfshirë vendin dhe që këtë herë u përshkallëzuan në mënyrë të frikshme.
Samiti përfundoi ashtu siç përfundojnë gjithmonë shumica e samiteve të BE-së për emigracionin: në një ngërç. “Unë jam realisht shumë i pakënaqur në situatën”- deklaroi kryeministri sllovak Ludovít Ódor.
Nuk pati asnjë deklaratë të përbashkët të lëshuar nga vendet anëtare. Madje dështoi edhe një përpjekje e kryeministres italiane Giorgia Meloni për të ndërmjetësuar një marrëveshje. Mosmarrëveshja u nxit nga Hungaria dhe Polonia, të cilat kundërshtojnë skemën e zhvendosjes, sipas së cilës vendet e tjera duhet të pranojnë një numër të caktuar emigrantësh, përndryshe do të përballen me një gjobë prej 20.000 eurosh për secilin emigrant që refuzojnë të pranojnë.
Është një skemë e keq-konceptuar , e cila nuk do të bëjë asgjë për të zvogëluar numrin e emigrantëve që vijnë në Evropë nga vendet e Botës së Tretë. Frontex, agjencia e mbrojtjes së kufirit të BE-së, beson se e vetmja përgjigje përballë kësaj situate është parandalimi i emigrantëve që të arrijnë në Evropë.
Këtë kërkon edhe Eric Zemmour. Vitin e kaluar ai përfitoi shumë terren duke shfrytëzuar këtë çështje. Por muajt e fundit si Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen po ashtu edhe Republikanët e qendrës së djathtë kanë ashpërsuar pozicionin e tyre për këtë çështje.
Të shtunën që shkoi Jordan Bardella, kreu i ri i Tubimit Kombëtar, bëri thirrje për “ndalimin e emigracionit dhe për dëbimin e kriminelëve të huaj”. Në një intervistë televizive të dielën, Eric Ciotti, lideri i Republikanëve, pohoi se “emigracioni mban një përgjegjësi të rëndë për këtë kaos”, pasi shumë prej të arrestuarve “janë të huaj në origjinë”.
Zemmour është shndërruar në një ndikues me peshë në lidhje me çështjen e emigracionit në Francë, dhe mund të mos kalojë shumë kohë përpara se politika e tij “zero emigracionit” të adoptohet edhe nga parti të tjera të krahut të djathtë në Evropë.
Matteo Salvini, zëvendëskryeministri aktual i Italisë, nxitoi t’ia atribuojë kaosin në Francë, ndër të tjera “viteve të gabimeve dhe marrëzive ideologjike në aspektin e emigracionit, veçanërisht atij islamik”.
Alice Weidel, bashkë-udhëheqësja e AfD-së në Gjermani, është shprehur se dhuna në Francë është një “shembull paralajmërues mbi atë që e pret në të ardhmen Gjermaninë, që ashtu si Macron, refuzon çdo shqyrtim të atyre që hyjnë në vend”. Ajo që po ndodh këto ditë në Francë, nënkupton se kriza e emigrantëve në Evropë është kthyer në një çështje më përçarëse se kurrë më parë. Ndaj ajo ka akoma më pak gjasa që të zgjidhet së shpejti. /albeu.com