Gati armët, NATO po harton plane të reja për të mbrojtur Evropën

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur boksieri Mike Tyson u pyet përpara një ndeshje nëse ishte i shqetësuar për planin që kishte kundërshtari, ai dha një përgjigje të prerë:”Të gjithë e kanë një plan, derisa të godasin me grusht në gojë!”.

Me NATO-n ka qenë e kundërta.

Për 42 vjet, aleanca u përgatit në mënyrë të përpiktë për një luftë konvencionale dhe bërthamore ndaj Bashkimin Sovjetik dhe aleatëve të tij. Në vitin 1991, Pakti i Varshavës u shpërbë, dhe planet u harruan. Tani pushtimi rus i Ukrainës, ka nënvizuar nevojën për strategji të reja të mbrojtjes.

Në datat 11-12 korrik, liderët e vendeve aleate do të mblidhen në kryeqytetin e Lituanisë Vilnius për samitin vjetor të NATO-s. Pritet që ata të miratojnë planet e para mbrojtëse të aleancës që nga Lufta e Ftohtë. “Ky është ndryshimi më dramatik…që nga rënia e Murit të Berlinit”- thotë Matthew Van Wagenen, gjeneral amerikan në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

Çështja është nëse aleatët janë apo jo të aftë të përmbushin ambiciet e tyre. Në Vilnius ka shumë gjëra për t’u diskutuar. Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pritet t’i zgjatet mandati (aleatët nuk arritën të bien dakord për një kandidat që do e zëvendësonte).

Ukraina dëshiron një ftesë për t’u bashkuar me aleancën pas luftës. Deri atëherë ajo pret garanci të hollësishme dhe thelbësore për një ndihmë afatgjatë. Një çështje e nxehtë do të jetë vetoja e vazhdueshme e Turqisë kundër hyrjes së Suedisë në aleancë.

Një tjetër do të jetë marrëdhënia e NATO-s me Azinë. Aleatët bien dakord se Kina ka një ndikim gjithnjë e më të madh në sigurinë evropiane – edhe përmes thellimit të marrëdhënieve të saj me Rusinë – por mendimet e ndryshme mbi hapjen e një zyre të NATO-s në Tokio të Japonisë nxjerrin në pah ndarjet mbi mënyrën se si duhet reaguar ndaj forcimit ushtarak të Kinës.

Pavarësisht të gjithave, pika më e rëndësishme në rendin e ditës është rishikimi i planifikuar i makinerisë ushtarake të NATO. Arkitekti i reformave është Chris Cavoli, gjeneral amerikan që mban postin e Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë (SACEUR). Posti i tij u mbaj fillimisht nga Dwight Eisenhower.

Gjeneral Cavoli, është një njohës i mirë i gjuhës ruse. Ai është arsimuar në Princeton dhe Yale, dhe konsiderohet si një nga ushtarakët më të  shkëlqyer të brezit të tij. Planet e tij janë parashtruar në mbi 4000 faqe dokumente të klasifikuara.

Pjesa qendrore ka të bëjë me një trio planesh rajonale:një për veriun, që mbulon Arktikun Atlantik dhe Evropian; një për qendrën, pra Baltikun dhe Evropës Qendrore deri në Alpe; dhe plani jugor për Mesdheun dhe Detin e Zi. Pastaj ka nën-plane për hapësirën, operacionet kibernetike dhe forcat speciale.

Rusia është në fokus por jo atë kryesor. Me këmbënguljen e Turqisë, plani jugor e ndan fokusin në mënyrë të barabartë midis kërcënimit që vjen nga Rusia dhe grupeve terroriste.

Synimi i parë dhe më i rëndësishëm i dokumenteve është parandalimi.

“Çelësi për planet e luftës së NATO, ka qenë fakti që Moska e di se që ekzistojnë plane të tilla”- thotë Tim Sayle, historian i aleancës në Universitetin e Torontos, Kanada. Ndërkohë planet përmbajnë udhëzime të qarta për çdo forcë të armatosur në Evropë dhe Amerikën e Veriut se si të veprojnë nëse shpërthen konflikti.

“Kur isha një nëntoger i ri, e dija saktësisht se ku do të shkonte bateria ime e artilerisë. Shumë shpejt do të jemi në gjendje ta kemi sërish atë lloj qartësie”- thotë gjenerali Darryl Williams, komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, duke kujtuar dislokimin e tij në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1983.

Brenda këtij viti, gjenerali Cavoli do të ndajë vende të veçanta për role ose pjesë specifike të frontit. Batalionet dhe brigadat mund të njohin paraprakisht pjesën e tyre, qoftë ky një ishull norvegjez apo një pjesë e maleve Karpateve. Sigurisht, njohja e detyrës nuk është e njëjtë me aftësinë për ta kryer atë.

Po ashtu shpresohet që planet do të nxisin reforma dhe shtojnë llogaridhënien. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHAPE kishte një staf të madh që mund të testonte vazhdimisht se sa të gatshme ishin ushtritë kombëtare për luftim. Ky ekip u reduktua, por tani po rritet sërish.

Në samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Madrid, aleatët ranë dakord të mbanin kolektivisht mbi 100.000 trupa gati për t’u vendosur në front në më pak se 10 ditë, dhe 200.000 të tjera që mund të hidhen në veprim brenda 1 muaji, një numër shumë më i madh se më parë.

Javët e fundit, Amerika, Gjermania dhe Britania janë praktikuar se si mund t’i përshpejtojnë dislokimet e tyre në Poloni, Lituani dhe Estoni në përmasat e një brigade. Italia mund të kryejë së shpejti një test të ngjashëm në Bullgari. Synimi është të sigurohen shtetet baltike dhe t’i tregohet Rusisë, se këto ushtri janë mjaftueshëm të shkathëta për ta përforcuar frontin lindor të aleancës, madje më shpejt sesa mund të mobilizohet Rusia për një sulm.

Planet e reja të NATO synojnë jo vetëm të mbajnë në gatishmëri të lartë ushtritë kombëtare, por të vendosin prioritete për blerjen e armëve dhe investimet e reja. Mbrojtja kolektive e kontinentit kërkon armatime të rënda: avionë, tanke dhe artileri.

Por për vite me radhë pas sulmeve të 11 shtatorit, aleatët janë angazhuar në luftëra guerile në Afganistan dhe Irak, të cilat kërkonin lloje disi të ndryshme pajisjesh:mjete rezistente ndaj minave, helikopterë transporti dhe të këmbësorisë së lehtë. Vetë NATO nuk imponoi asnjë lloj disipline për ato që blenë anëtarët e saj.

“Gjatë 30 viteve të fundit, nuk u kemi diktuar vendeve atë që blenin. Tani gjërat do të  ndryshojnë”- thotë gjenerali Van Wagenen. Në lidhje me këtë çështje, një zyrtar i lartë i NATO-s e vë theksin tek 5 prioritete të menjëhershme:forcat tokësore të afta për luftim, sidomos brigada të blinduara rëndë; sisteme të integruara të mbrojtjes ajrore dhe raketore të afta të mbrojnë njësitë në lëvizje; fuqi zjarri me rreze të gjatë si artileri dhe raketahedhës; rrjete dixhitale që i lejojnë të dhënat të lëvizin në fushëbetejë dhe të kthehen në seli shpejt dhe sigurt; dhe logjistikë për të ndihmuar zhvendosjen e ushtrive të mëdha në gjithë Evropën duke i mbajtur ato të furnizuara.

Një studim i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), arrin në përfundimin se numri i batalioneve luftarake në disa prej ushtrive më të mëdha të NATO-s mezi ndryshoi midis viteve 2015-2023, pavarësisht nga kërcënimi në rritje nga Rusia.

Franca dhe Gjermania kanë shtuar secila forca në vlerën e një batalioni, një ndryshim ky minimal. Madje edhe Polonia fqinje me Rusinë mezi ka shtuar 2 batalione të reja. Ndërkaq Britania ka humbur 5 të tilla gjatë kësaj periudhe. “Shumica e vendeve mund të krijojnë vetëm një brigadë të plotë, një numër që do të tmerronte çdo gjeneral të Luftës së Ftohtë”- ,” ankohet një zyrtar i lartë i NATO-s.

E njëjta gjë vlen edhe për forcat detare apo edhe sasinë e municioneve. Madje ofensiva e Ukrainës e ndërlikon problemin:çdo 10 ditë ajo harxhon po aq predha sa Amerika prodhon në 1 muaj. Llogaritje të tilla nxjerrin në pah varësinë e Evropës nga Amerika. Pentagoni i turpëron të tjerët duke pozicionuar plot 22 batalione në Evropë, kryesisht nën Korpusin V me bazë në Poloni.

Gjithsesi planet e reja e afrojnë Amerikën dhe Evropën. Me këtë plan Amerika po rikthehet në kontinent, pavarësisht shqetësimeve politike rreth rizgjedhjes së mundshme të Donald Trump vitin e ardhshëm. Reformat e reja janë diktuar shumë nga mënyra se si anëtarësimi në aleancë ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit.

Në vitin 1989, para rënies së Murit të Berlinit, kufiri i NATO-s me Paktin e Varshavës ishte në thelb kufiri i brendshëm i Gjermanisë, 1380 km i gjatë, gati i gjithi i militarizuar rëndë. Në vitin 2004, kur shtetet baltike u bashkuan me NATO-n , kufiri i saj me Rusinë ishte vetëm 800 km i gjatë. Por kur Finlanda u bashkua më 4 prill të këtij viti, ai u dyfishua.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 4.07.2023 09:36

Tags: