Trazirat në Francë:Një histori e errët e pabarazisë në rritje dhe racizmit

The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Politikanë të së djathtës dhe të majtës, sociologë, analistë dhe komentatorë kanë nxituar të dënojnë, shpjegojnë, shfrytëzojnë dhe justifikojnë në mënyra të ndryshme zemërimin dhe dhunën që ka shpërthyer në shumë qytete franceze pas vrasjes nga policia të martën të Nahel Merzouk, adoleshentit 17-vjeçar me prejardhje nga Afrika e Veriut.

Por disa nga dëshmitë më domethënëse dhe më të detajuara erdhën nga Kendra, banore në vilën e piktori të famshëm Pablo Picasso në Nanterre, në periferi të Parisit, afër vendit ku u vra adoleshenti gjatë një postblloku policor. Që nga vitit 2010, ka pasur 21 incidente të tilla me pasoja fatale.

Shumica e viktimave ishin me origjinë afrikane ose arabe. “Për orë të tëra gjatë mbrëmjes së djeshme kishte të rinj kudo, në grupe dhe në rrugë të ndryshme. Unë mendoj se të rinjtë këtu e konsiderojnë veten në luftë. Ata e shohin si një luftë kundër sistemit.

Por zemërata nuk është vetëm kundër policisë. Ajo i ka rrënjët shumë më thellë, përndryshe nuk do ta shihnim në të gjithë Francën. Sepse nuk po sulmohet vetëm policia, por edhe godinat e bashkisë dhe ndërtesat publike… Pra protestat kanë një dimension politik, dhe nxiten nga ndjenja se sistemi aktual nuk po funksionon. Të rinjtë ndihen të diskriminuar dhe të injoruar”- i tha Kendra, 40 vjeçe, korrespondentes së The Guardian Angelique Chrisafis.

Vdekja e Merzouk dhe shfaqja e një videoje që tregon momentin kur ai u qëllua në brendësi të makinës së tij, janë jashtëzakonisht shqetësuese për nënën, familjen dhe miqtë e tij. Megjithatë, është një fakt që ky nuk ishte një incident i izoluar. Përkundrazi, ai pasqyron probleme më të gjera që ekzistojnë në policinë franceze, marrëdhëniet racore dhe shoqërinë franceze në përgjithësi, të cilat janë të dukshme për të gjithë.

Në kuptimin më të gjerë, vdekja e Merzouk ka ringjallur pikëpyetje serioze rreth këmbënguljes dogmatike të Francës për asimilimin racor, shekularizmin dhe tek një identitet i vetëm kombëtar. Një republikë gjithnjë e më e larmishme, karakteri i saj në ndryshim dhe i ndikuar fort nga e kaluara koloniale, është ende zyrtarisht i panjohur.

Metodat agresive, jo rrallëherë brutale, të përdorura nga policia franceze e armatosur rëndë, dhe e keq-disiplinuar janë një problem i vjetër. Ky problem u theksua edhe gjatë protestave në rrugë të “Jelekëverdhëve” në vitet 2018-2019, kur u plagosën mijëra demonstrues (dhe shumë oficerë policie).

Probleme të ngjashme pati gjatë protestave të këtij vitit kundër reformës së sistemit të pensioneve. Organizatat që janë në mbrojtje të lirive civile, kanë qenë shumë kritike. Mbikëqyrësi i OKB-së për të drejtat e njeriut reagoi sërish javën e kaluar, duke thënë se vrasja e Merzouk përbënte një “rast që Franca të nisë të trajtojë seriozisht problemet e thella të racizmit dhe diskriminimit racor në zbatimin e ligjit”.

Dështimi i klasës politike franceze për të trajtuar këtë çështje, është një nga arsyet pse shumë të rinj, veçanërisht njerëz me ngjyrë, besojnë se janë në luftë me “sistemin”. Përgjigja nxitëse e politikanëve të së djathtës ekstreme si Éric Zemmour, i cili foli për një “luftë civile” dhe “kryengritje”, ishte turpëruese dhe tipike raciste.

Megjithatë, as presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk po del dot nga ky qerthull. I fotografuar duke marrë pjesë në një koncert të Elton John ndërsa Parisi ishte në flakë, ai u akuzua për një sjellje të papërgjegjshme.

Duke u përpjekur të rimarrë kontrollin e situatës, ai zemëroi sindikatat e policisë me deklaratën e tij që i cilësoi të shtënat si “të pafalshme”, edhe pse u shpërfillën gjerësisht thirrjet e tij për respektimin e ligjit dhe rendit publik.

Fakti që drejtuesit e policisë ndihen të justifikuar në përshkrimin e adoleshentë rebelëve si “parazitë” dhe “hordhi të egra”, është tregues i një hendekut të rrezikshëm dhe gjithnjë në zgjerim që ndan të pasurit nga të varfrit në Francë.

Varfëria, zonat periferike të ngjashme me getot, papunësia, mundësitë e kufizuara të jetës dhe tjetërsimi social, janë probleme me të cilat përballen të rinjtë në shumë vende të zhvilluara, përfshirë ata në Britaninë e Madhe.

Kur kësaj përzierjeje të paqëndrueshme, i shtohet racizmi institucional kronik dhe i pa adresuar në sistemin e drejtësisë, strukturat e tjera shtetërore dhe shoqëria franceze në përgjithësi, nuk është çudi që të ndodhin shpërthime të pakontrolluara të zemërimit popullor. Ajo që po ndodh në Francë, është  në fakt një paralajmërim për të gjithë të tjerët. /albeu.com


Shtuar 3.07.2023 14:11

Tags: