Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Shefi i mercenarëve të ushtrisë mercenare ruse Wagner Group, Yevgeny Prigozhin, nuk ka treguar ndonjë mungesë guximi në shpërthimet e tij publike. Në fillim të majit, ai kërcënoi se do të tërhiqte njësitë e tij nga qyteti ukrainas Bakhmut, në shenjë proteste se kishte marrë vetëm 1/10 e predhave që kishte kërkuar.
Duke ironizuar hapur Putinin, ai deklaroi: “E si mund ta fitojmë luftën nëse gjyshi rezulton të jetë plotësisht një budalla?”. Ndërkohë në fillim të këtij muaji, Prigozhin u përplas publikisht me udhëheqësin çeçen Ramzan Kadyrov.
Këto 2 muajt e fundit, ai ka mbajtur një sërë konferencash për shtyp në qytetet kryesore ruse, gjatë të cilave ka bërë thirrje për mobilizimin e përgjithshëm, kthimin e dënimit me vdekje dhe futjen e një ekonomie të planifikuar.
Më 13 qershor, Prigozhin tha se Ministria ruse e Mbrojtjes është përpjekur 2 herë që të shkatërrojë Wagner. Ndërsa më 15 qershor refuzoi një urdhër të qeverisë për t’i detyruar luftëtarët e Wagner të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes. Portali i pavarur rus i lajmeve “Vazhnyye Istorii” bisedoi me politologen ruse Ekaterina Shulman mbi rëndësinë politike të sjelljes së Prigozhin.
Cili është synimi i vëmendjes mediatike që ka shkaktuar Prigozhin me deklaratat e tij? A është një përgatitje për diçka apo një përgjigje mbrojtëse?
Gjëja e parë që të vjen ndërmend, është se një njeri në pozicionin e tij, që jo vetëm nuk ka një status ligjor, por është kriminel në sytë e ligjeve ruse, është gjithnjë e më agresiv sa më shumë që shfaqet në publik. Është më vështirë ta vrasësh atë nëse është në qendër të vëmendjes.
Së dyti, unë kam dëgjuar shumë spekulime se ky është një akt i inskenuar nga shërbimi sekret apo administrata e presidentit Putin. Kjo qasje mund të ketë arsye të ndryshme: për të kundër-balancuar Ministrinë e Mbrojtjes, apo për t’i paraqitur popullit një Zhirinovsky të ri (një politikan rus i njohur për qëndrimet e tij agresive që vdiq në prill 2022), pra një person që do të tërheqë pas vetes të gjithë radikalët dhe do t’i bëjë të padëmshëm.
Ky ishte roli i Partisë Liberal Demokratike të Zhirinovsky gjatë dekadave. Kjo parti përdorte disa slogane nxitëse dhe tërhoqi rreth vetes të gjithë elementët politikë potencialisht të rrezikshëm, duke i bërë ata më pak kërcënues sesa nëse do të ishin të shpërndarë gjithandej.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e pëlqen Prigozhin, dhe lista e njerëzve që duan që ai të largohet është shumë e gjatë. Një burrë si ai ndeshet rrallë me një vdekje natyrale. Ne nuk e dimë se çfarë ka bërë ai në Afrikë. Nuk e dimë si e kujtojnë njerëzit në Siri. Ai ka grumbulluar borxhe, dhe shumë marrëdhënie të tensionuara mund të jenë shkaktuar për shkak të aktiviteteve të tij. Ndaj është e habitshme që ende nuk i ka ndodhur asgjë.
A ka të ngjarë që Prigozhin po e përdor imazhin e tij si një komandant i fushëbetejës për t’u bërë pjesë e një elite të re të pasluftës?
Ai zotëron një forcë të armatosur që i bindet personalisht. Ushtarët e tij e dinë se Prigozhin është i vetmi që qëndron midis tyre dhe ligjit. Por në raport me ligjin në Rusi, ata janë kriminelë. Prandaj, ushtarët do ta dëgjojnë dhe do t’i binden Prigozhin.
Së dyti, ai ka një perandori financiare me shumë restorante dhe industrinë e hotelierisë. Ai po hap qendra tregtare, ndërsa edhe djali i tij po bëhet një biznesmen i shquar. Pra ka një burim të madh parash.
Së treti, ai është pronar i një perandorie mediatike. Mund të mos jetë dhe aq e gjerë, por ekziston dhe ka të drejtë të shprehet pa u përballur me represionin e regjimit. Në përgjithësi, Kremlini ka krijuar një situatë të jashtëzakonshme, ku e vetmja kritikë e lejuar ndaj autoriteteve mund të shprehet nga një këndvështrim politik i krahut të djathtë.
Pra nuk mund të kundërshtohet lufta duke thënë se ajo është në thelb e gabuar dhe e dënueshme penalisht. Ndërkohë pranohet nëse thua që Rusia nuk po e zhvillon atë akoma më me forcë. Ndaj është e lejueshme të kritikohet presidenti Putin se nuk është edhe aq vendimtar, se është i dobët, i moshuar apo që jeton në një botë iluzionesh.
Nga ana tjetër, sulmi ndaj presidentit si një diktator dhe agresor gjakatar, nuk lejohet edhe pse në realitet, kritika e fundit përbën një kërcënim shumë më të madh për ruajtjen e pushtetit autoritar sesa i pari.
Tani, le të shohim se çfarë nuk ka Prigozhin. Ai nuk ka aleatë. Është e qartë se cilët janë armiqtë e tij publikë: e gjithë Ministria e Mbrojtjes, i gjithë Shtabi i Përgjithshëm, Beglov dhe elita. Por kush është miku i Prigozhinit? Narrativa e tij si një luftëtar i vetmuar që lufton kundër “shtetit të thellë” rus, elitave të vjetra dhe që thotë të vërtetën e hidhur mund të jetë vërtet efektive.
Por ajo nuk do të ndërtojë një karrierë politike. Sepse Prigozhin nuk ka aleatë dhe as një status ligjor, pasi kompanitë private ushtarake nuk duhet të ekzistojnë sipas ligjit rus.
Sistemi politik rus është i strukturuar në mënyrë burokratike. Për sa kohë do të funksionojë, ai do të përbëhet nga individë të respektuar që mbajnë poste zyrtare. Prigozhin jo vetëm që i mungon një pozicion i tillë, por statusi i tij aktual ka një konotacion negativ.
Por ndërkohë ekziston edhe një mit i kahershëm se ai është “kuzhinieri i Putinit”, dhe se është i afërt me presidentin Putin. Po, ai nuk ka një qëndrim zyrtar pasi nuk lejohet “në tavolinë”. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai nuk është i përzënë fare nga skena dhe kryen vazhdimisht detyra delikate…
Politologu Mark Galeotti i quan “lojtarë të përkohshëm” individë të tillë. Ata nuk janë vartës të cilët mund t’i drejtosh. Ata janë individë pro-aktivë që dalin përpara dhe të thonë “Unë e di çfarë problemi keni dhe do ta zgjidh atë për ju”. Unë dyshoj nëse ngritja e fundit e Prigozhin ishte pikërisht e lidhur me këtë.
Kur udhëheqja jonë ushtarake dhe politike ishte në kaos, ai shkoi tek ata dhe u tha: “Më jepni çelësat e burgjeve dhe unë do të grumbulloj një ushtri të Ferrit në emër të zotit tim Lucifer. Unë do t’ju mbroj nga armiku juaj”.
A mund të jetë e dobishme për Putinin në zgjedhjet e 2024-ës narrativa e Prigozhin, që i fajëson për gjithçka elitat?
A mund të shkojë presidenti në zgjedhje me një program anti-elitë? Edhe pse e mundshme, është politikisht e vështirë të imagjinohet, sidomos duke pasur parasysh natyrën e udhëheqësit tonë dhe zakonet e tij. Nëse ai armiqësohet me njerëzit e rrethit të tij, atëherë tek kush do të mbështetet? Tek Wagner? A do t’i ftojë mercenarët në Kremlin për ta mbrojtur nga opozita?
Unë nuk mendoj se Prigozhin është njeriu i duhur për këtë rol. Sepse narrativa anti-elitë përfshin vetë presidentin Vladimir Putin. Igor Strelkovm, kreu i separatistëve pro-rusë në Ukrainën Lindore po e kritikon Putinin prej kohësh dhe Prigozhin iu bashkua sulmeve vetëm muajt e fundit.
Deklaratat e tij ironike për “gjyshin” nuk janë dhe aq të fshehta. Nëse fillojmë të flasim për elita të pabesa, dembele, të mësuar me luksin dhe që jetojnë në kurriz të njerëzve të thjeshtë, është presidenti ai që bie në sy si figura kryesore. Ai nuk mund të ndahet nga ky lloj ligjërimi.
Në përgjithësi, ndjenja anti-elitë shitet më mirë kur paraqitet si thirrje për drejtësi. Por unë nuk mendoj se Prigozhin është personi i duhur për këtë rol. Ai është i aftë në fillimin e bisedës, por i mungon aftësia për të shfrytëzuar popullaritetin e diskursit anti-elitë në gjenerimin e një ndikimi politik. Megjithatë, vetë qasja premton dhe mund të kapitalizohet nga shumë njerëz. /albeu.com