Pse duhet ndryshuar sa më parë politika e azilit në Evropë

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në rast se ka ndonjë gjë që evropianët e pëlqejnë më shumë sesa pushimet e gushtit dhe qeveritë e koalicionit, ato janë projektet gjysmake të BE-së. Euro e futi pjesën më të madhe të kontinentit në një bashkim valutor, por që më pas shkaktoi përçarje të pafundme.

Tregu i përbashkët është sot një triumf për mallrat si makinat dhe pajisjet e teknologjisë, por ai funksionon keq për shërbimet që tani po e dominojnë ekonominë evropiane. Migrimi ka qenë prej kohësh një tjetër dështim politik i plotë. Kufijtë e brendshëm u ravijëzuan brenda pjesës më të madhe të bllokut gati 30 vjet më parë.

Por u mendua shumë pak mbi çështjen se si duhej menaxhuar kufiri i jashtëm, dhe qindra mijëra njerëz që e kalojnë atë ilegalisht vit pas viti. Dhe rezultati ka qenë një sistem kaotik i azilit, duke shkaktuar mijëra të vdekur në Mesdhe çdo vit, dhe duke nxitur rritje në sondazhet e politikanëve populistë.

Më 14 qershor të paktën 78 emigrantë vdiqën kur një anije peshkimi e mbipopulluar u përmbys në ujërat greke. Qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Evropa është një magnet për emigrantët, duke qenë e pasur dhe e lehtë për t’u arritur nga shumë njerëz nga vendet e shkatërruara nga lufta (ose të varfra) në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Disa emigrantë që vijnë me varka të vogla ose në rrugë tokësore kanë të drejtën e azilit sepse po ikin nga persekutimi. Por më shumë se gjysma e të ardhurve nuk janë në këtë situatë. Shumë prej këtyre shoqërive që kanë bërë një punë të keqe për të integruar valët e mëparshme të të huajve, shpeshherë nga kolonitë e kaluara.

Sistemi mund të jetë i sjellshëm: një fluks prej rreth 4 milionë ukrainasish hynë pa probleme në vendet e BE-së. Ai është me shpesh jofunksional, duke e kthyer një segment të politikave emocionale në një fushë ku të gjithë ia hedhin fajin të tjerëve dhe vetë nuk pranojnë asgjë.

Siç ndodh shpesh, rrëmuja e rregullave të BE-së dhe atyre kombëtare ka lënë një kaos.

Pasojat e kufijve të brendshëm që u hoqën në vitin 1995 si pjesë e marrëveshjes së Shengenit, ishin dështimet e migracionit në një vend – për shembull një kufi i jashtëm që kalohet shpeshherë në mënyrë të paligjshme – do të ndikonte tek të tjerët në zonën pa pasaporta. Për t’u siguruar që qeveritë të ruanin siç duhet kufijtë e tyre me vendet jashtë BE-së, emigrantët që kalonin ilegalisht në bllok do të përpunoheshin nga vendi në të cilin kishin shkelur për herë të parë.

Ajo që u njoh si Konventa e Dublinit, përcaktonte që barra kryesore t’i përkasë vendeve të vijës së parë si Greqia dhe Italia. Vende të tilla si Suedia ose Gjermania – ku shumica e emigrantëve kishin shpresuar të vendoseshin – ishin në gjendje t’i kthenin emigrantët atje ku ata shkelën fillimisht.

Kjo gjë ishte e menaxhueshme kur ardhjet ishin të pakta. Por në vitet 2010 shifrat u rritën si rezultat i Pranverës Arabe, luftës në Siri dhe kaosit në Afganistan. Vendet mesdhetare kërkuan ndihmë nga fqinjët e tyre të BE-së. Por nuk pati asnjë të tillë, veçanërisht sepse ajo që duhej realisht ishte që vendet t’i pranonin vetë emigrantët. Përveç atyre, më shumë se 1 milionë u vendosën në Gjermani gjatë valës së madhe të mbërritjeve në vitet 2015-2016.

Më pas, një përpjekje për arritjen e një marrëveshje të re mbi emigracionin u fut në një ngërç që vazhdon ende sot. Disa vende anëtarë të Evropës Qendrore refuzuan të pranonin azilkërkues, duke i denoncuar planet e BE-së për të nxitur emigracionin masiv tek një popullsi që nuk ka vullnet t’i pranojë ato.

Në këtë mënyrë u shkatërrua sistemi. Vendet jugore bënë pak për të kapur emigrantët, ose i trajtuan ata aq keq, saqë autoritetet në vendet veriore refuzuan që t’i kthenin mbrapsht. Shengen, një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian mund të quhet praktikisht i rënë.

Sepse 6 vende, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e kanë kufizuar tashmë udhëtimin pa pasaportë. Por tani gjërat mund të ndryshojnë si rezultat i një marrëveshjeje të papritur të arritur midis qeverive të vendeve të BE-së më 8 qershor.

Për herë të parë do të zbatohet një element i “solidaritetit të detyrueshëm”. Sipas draftit, vendet që janë përtej vijës së parë të mbërritjes së emigrantëve do të duhet të pranojnë të paktën 30.000 azilkërkues në vit. Ata që do të refuzojnë do të duhet të paguajnë 20.000 euro për emigrant në një fond të përbashkët të BE-së.

Kjo gjë do të lehtësojë barrën mbi Italinë dhe vendet e tjera të vijës së parë. Në këmbim, vendet e vijës së parë duhet të strehojnë emigrantët në kampe, ku do të përpunohen disa nga kërkesat e tyre për azil, duke konfirmuar kështu statusin e tyre si roje kufitare për të gjithë BE-në, një rol që në fakt ata nuk e duan.

Evropa do të investojë para për të adresuar shkaqet kryesore të migrimit. Një delegacion i liderëve të BE-së, në përbërje të të cilit ishte edhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni vizitoi pak ditë më parë Tunizisë, duke premtuar ndihmë financiare për këtë vend, me shpresën e frenimit të emigracionin nëse vendi i brishtë shembet.

Por si ka mundësi që pas kaq shumë vitesh acarim, u bë papritur e mundur arritja e një marrëveshje? Vit Novotny i Qendrës Wilfried Martens, një think-tank me seli në Bruksel, thotë se kjo u arrit sepse BE-ja ka fituar goxha përvojë në menaxhimin e krizave të mëdha si pandemia, lufta në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.

Janë nxjerrë pjesërisht mësime nga dështimet e së kaluarës, si dhe për t’i dhënë një rrugëdalje vendeve që refuzojnë të marrin emigrantë. Por ka ndryshuar edhe qëndrimi ndaj migrimit. Një treg pune dinamik nënkupton se duhen emigrantët, legalë ose jo për të punuar në fabrika apo për të shpërndarë picat.

Duke treguar bujari ndaj ukrainasve, evropianët ndihen komodë që t’u japin shanse edhe atyre nga pjesa tjetër e botës. Marrëveshja e shumëdiskutuar e emigracionit, ishte e mundur edhe sepse Evropa është më e lumtur se më parë të jetë e ashpër ndaj atyre që arrijnë në brigjet e saj.

Për shembull disa emigrantë, vendet e të cilëve nuk janë veçanërisht të rrezikshme për të jetuar, do të rikthehen pas një kontrolli të përciptë të kërkesave të tyre për azil, dhe mund të përfundojnë të depërtuar në vende që ndodhen larg vendlindjes së tyre.

Grupimet e të drejtave të njeriut janë të pakënaqura me situatën. Tani BE-ja po flet hapur për ndalimin e ndihmës apo për prishjen e marrëveshjeve tregtare me vendet e varfra në rast se ato nuk ndihmojnë me emigracionin, për shembull duke pranuar azilkërkuesit që u është refuzuar kërkesa (aktualisht, më pak se 1 në 5 nga këta deportohen me sukses).

Migrimi është “Thembra e Akilit” për Evropën. Një vend që e sheh veten si një forcë për të mirën në botë, i vjen keq që i duhet të luajë rolin e një “polici të keq” kur bëhet fjalë për t’i mbajtur njerëzit jashtë kufijve të tij.

Por refuzimi për t’u përballur me mosfunksionimin e sistemit të vjetër, nuk i ka shërbyer askujt. Marrëveshja ndërmjet qeverive e arritur pak ditë më parë, ka ende një rrugë për të bërë përpara se të shndërrohet në një ligj të BE-së. Shpresohet që kjo gjë të ndodhë deri në fund të këtij viti. Një sistem i papërsosur që funksionon, do të jetë gjithsesi më i mirë sesa një sistem i keq që nuk funksionon. /albeu.com


Shtuar 16.06.2023 16:57