Vendimi i BQE-së, pritet rritje e interesave për kreditë në euro, si preken kredimarrësit shqiptarë

Banka Qëndrore Europiane pritet të shtrëngojë sërish politikën monetare në mbledhjen që do të mbahet pas tre ditësh në përpjekje për të luftuar inflacionin e ekonomisë së Eurozonës.

Sipas raportimeve paraprake BQE do të rrisë normën bazë të depozitave me 0.25 për qind për ta ccuar në 3.5 për qind. Ky është niveli më i lartë që nga Korriku i vitit 2001.

Norma e depozitave është interesi që Banka Qendrore Europiane u paguan bankave private kur këto të fundit depozitojnë para në BQE. Përmes kësaj lëvizjes, Banka Qendrore Europiane synon të nxisë bankat private të depozitojnë më shumë para pranë saj.

Nga ana tjetër, rritja e normës bazë të depozitave nga BQE i nxit bankat private që edhe ato të rrisin më shumë interesat që u paguajnë qytetarëve për kursimet e tyre. Efekti zinxhir i kësaj mase ka për qëllim të tërheqë paranë cash nga tregu për të ulur ofertën monetare dhe rrjedhimisht edhe inflacionin.

Teorikisht shtrëngimi i politikës monetare për euron ul sasinë e monedhës europiane në treg duke e bërë këtë monedhë më të shtrenjtë. Por rritja e e normës bazë, ngre shqetësime për ngadalësimin e mëtejshëm të ekonomisë së Eurozonës.

Në tremujorin e parë të vitit, ekonomia e vendeve që përdorin euron ishte thuajse në stanjacion. Shtrëngimi i mëtejshëm i politikës monetare nga ana e BQE rrit mundësitë që eurozona të zhytet në recesion. BQE e di se rritja e normave do të ngadalësojë më tej ekonominë europiane, por sipas saj është e detyruar ta bëjë këtë për shkak se inflacioni mbetet tepër i lartë, 6.1 për qind ose 3 herë mbi objektivin ligjor 2 për qind.

Rritja e normës së interesit dhe ngadalësimi i pritshëm i ekonomisë europiane është një lajm i keq edhe për ekonominë shqiptare, pasi vendet e euros janë partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.

Sa i përket kredive, rritja e normave të interesit pritet të rrisë edhe interesat e kredive në euro edhe në vendin tonë pasi një pjesë e mirë e tyre lidhen me treguesit e Euriborit.


Shtuar 15.06.2023 12:00