Olaf Scholz: BE-së i duhet një pakt i ri mbi emigracionin, s’duhet ta përjashtojmë Kinën nga tregtia globale

Nga Paolo Valentino “Corriere Della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në një intervistë ekskluzive për gazetën italiane para vizitës së tij zyrtare në Itali, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, bën apel për solidaritet me vendet si Italia për përballimin e fluksit të emigracionit të paligjshëm nga vendet jashtë BE-së

Në lidhje me çështjen e emigracionit ka disa dallime midis Italisë dhe Gjermanisë. Roma është kundër propozimit të fundit gjerman për të krijuar pika grumbullimi në kufijtë periferikë të unionit, pra edhe në Greqi dhe Itali, për menaxhimin fillestar të

mbërritjeve. A mund të ketë një konsensus mbi këtë temë?

Italia, Greqia dhe vendet e tjera të Mesdheut përballen me një sfidë të madhe, pasi numri i refugjatëve që vijnë në kufijtë e tyre sa vjen e po rritet. Ne nuk mund të lëmë vetëm Italinë dhe vendet e tjera. Duhet të adoptojmë një qasje solidariteti dhe përgjegjësie. Nga ana e saj Gjermania është veçanërisht e prekur nga migracioni dytësor.

Vitin e kaluar përveç më shumë se 1 milionë ukrainasve tek ne kanë mbërritur edhe 230 mijë refugjatë nga vende të tjera. Prandaj kemi nevojë për një shpërndarje të përbashkët të përgjegjësive dhe kompetencave ndërmjet shteteve anëtare të BE-së si dhe një përputhshmëri me standardet për kërkuesit e azilit.

Qeveria që unë drejtoj është shumë e përkushtuar ndaj një reformimi të Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit. Dhe kjo sipas mendimit tonë kërkon përpjekje të mëtejshme në nivelin e BE-së për ta bërë kontrollin dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm më efektiv, më human dhe që garanton respektimin e rregullave aktuale.

Ne jemi gati të bashkëpunojmë me vendet e origjinës dhe vendet e tranzitit për të reduktuar në mënyrë të qëndrueshme mbërritjet e parregullta, duke siguruar në vend të kësaj rrugë të ligjshme të hyrjes në vendet tona.

Edhe për sa kohë mendoni se do të vazhdojë konflikti në Ukrainë? Çfarë do të duhet për t’i hapur rrugën bisedimeve për paqe? Cili mund të jetë roli i Kinës?

Nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë. Por një gjë është e qartë: Presidenti rus Putin ka aftësinë për t’i dhënë fund menjëherë, duke ndërprerë luftimet dhe tërhequr trupat. Kjo mund të pasohet nga bisedimet për një paqe të drejtë midis Ukrainës dhe Rusisë, siç ka propozuar Kievi prej disa kohësh.

Por Rusia i qëndron kërkesave të saj maksimaliste imperialiste. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për ta ndihmuar Ukrainën për një kohë të gjatë. Dhe ne do ta mbështesim Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye jemi në një komunikim të vazhdueshëm me Ukrainën dhe me shumë vende të tjera në botë.

Cilat garanci sigurie mund dhe duhet t’i jepen Kievit pas përfundimit të luftës? A jeni dakord me Henry Kissinger, sipas të cilit Ukraina duhet të anëtarësohet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur? Dhe cili është qëndrimi i qeverisë gjermane për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian? A do të ketë ende një vend për Rusinë në arkitekturën e ardhshme të sigurisë të Evropës?

Për momentin, ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet. Synimi kryesor është arritja e një paqeje të drejtë dhe fundi i kësaj lufte të tmerrshme që po shkakton kaq shumë vuajtje dhe shkatërrime. Është e qartë se pas luftës, Ukraina do të ketë nevojë për angazhime konkrete dhe të besueshme nga partnerët dhe aleatët për të rritur sigurinë e saj. Ne po e diskutojmë që tani këtë gjë me politikë-bërësit ukrainas dhe aleatët tanë më të afërt. Ukraina i përket familjes evropiane!

Ne jemi të vendosur ta mbështesim në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Është për të gjithë e qartë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të bëhet vetëm pasi të jenë përmbushur kriteret e anëtarësimit. Nga ana tjetër edhe BE-ja duhet të bëjë detyrat e shtëpisë për të qenë në gjendje që të mirëpresë anëtarët e rinj.

Marrëdhëniet me Kinën janë në qendër të debatit në Evropë dhe Perëndim. A duhet që të kemi një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit? Si duhet të jetë ai? Çfarë mendoni për idenë që kompanitë duhet të deklarojnë zyrtarisht kur janë duke investuar në Kinë, dhe që një qeveri mund ta bllokojë këtë investim?

“Ne kemi rënë dakord brenda BE-së – së fundmi edhe brenda G7 – se synohet të reduktojmë rreziqet që rrjedhin nga varësitë e njëanshme. Prandaj nuk do të ketë një shkëputje të plotë të marrëdhënieve tona ekonomike me Kinën. Përkundrazi, është në interesin e të gjithëve ne, që edhe ekonomia kineze të vazhdojë të rritet së bashku me mirëqenien e qytetarëve të saj.

Natyrisht kjo ka të bëjë mbi të gjitha dhe në veçanti me pjesën më të varfër të popullsisë kineze. Megjithatë, dua të nënvizoj diçka që më duket shumë e rëndësishme: duhet të jemi më të kujdesshëm për të siguruar që marrëdhëniet tona të zhvillohen brenda kornizës së rendit global dhe që të gjitha shtetet të bien dakord t’u përmbahen rregullave ndërkombëtare.

Vetëm në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje të garantojmë një politikë që na çon drejt një qëndrueshmërie më të madhe ekonomike dhe sigurie në nivel ndërkombëtarë. Më konkretisht, bëhet fjalë për sigurimin e kushteve të barabarta për investime në nivel global, si për kompanitë evropiane, amerikane dhe të vendeve të tjera që operojnë në Kinë, po ashtu edhe për kompanitë kineze që janë aktive në vendet tona.

Njëkohësisht, ne duhet të sigurohemi që të diversifikojmë sa më shpejt të jetë e mundur strukturat tona ekonomike, që të reduktojmë varësitë tona nga zinxhirët e furnizimit, eksportet dhe investimet direkte. Kjo vlen sidomos për mallrat kritike si mineralet, gjysmëpërçuesit dhe bateritë. Unë mendoj që ne nuk duhet ta përjashtojmë Kinën nga tregtia botërore.


Shtuar 9.06.2023 12:40