Nga Endy Zemenides “Kathimerini”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Recep Tayyip Erdogan do të nisë së shpejti mandatin e tij të tretë si president i Turqisë.
Do të ketë shumë diskutime nëse ai fitoi sërish përmes “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme” (në fakt nuk e bëri këtë), se çfarë parashikon kjo për demokracinë në Turqi (gjëra jo të mira) dhe nëse fitorja e tij është vërtet skenari më i mirë për stabilitetin në rajon dhe sigurinë e Greqisë (nuk është).
Që nga fitorja e Erdoganit në raundin e parë më 14 maj, ka pasur disa analiza se çfarë lloji politike të jashtme do të ndjekë ai. Por pyetja ndoshta më urgjente është: “Me çfarë do t’i lejohet të ikë?”. Përgjigja për këtë pyetje varet kryesisht nga mënyra se si zhvillohen marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Ankarasë.
Emërtimi më i saktë për aleancën jofunksionale midis SHBA-së dhe Turqisë vjen nga raporti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë me titull: “As mik, as armik”. Dhe kjo ndjenjë ekziston në të dyja vendet. Nuk ka qenë ndonjë sekret fakti që administrata Biden shpresonte që Erdogan të humbiste.
Një javë para zgjedhjeve, anëtarët e Kongresit Amerikan e kritikuan ashpër Erdogan dhe thanë publikisht se shpresonin të shihnin një ndryshim në Turqi. Ndërkohë Erdogan dhe AKP bënë hapur fushatë kundër presidentit amerikan Joe Biden duke e etiketuan opozitën si palën e tij të preferuar.
Që tani e tutje, do të flitet shumë për “rivendosje marrëdhëniesh”, do të na kujtohet se Erdogan ka ndërruar kurs edhe më parë. Madje do të pretentohet se Erdogan mund të ketë një mandat shumë komod për të marrë vendime të guximshme në lidhje me politikën e jashtme.
Por këto zëra janë të pakuptimtë. Erdogan nuk do të ndryshojë sjellje. Sigurisht, ai do të pretendojë se është duke ndryshuar, pasi e di se ky truk funksionon shpeshherë tek diplomatët amerikanë që janë dritëshkurtër dhe besojnë natyrshëm se do të jenë sekretari ose ndihmës sekretari apo ambasadori që më në fund do të arrijë një përparim diplomatik.
Gjatë sundimit të Erdoganit, asnjë administratë amerikane nuk e ka kundërshtuar besimin e tij të rrënjosur se koha është në anën e tij dhe se nëse ai është mjaft kokëfortë, Amerika do të mbyllë njërin sy përballë shkeljeve.
Pavarësisht provave që presioni funksionon (rasti i pastorit Brunson; bashkëpunimi i fundit nga ana e Turqisë për kufizimin e dërgesave të caktuara në Rusi), Shtetet e Bashkuara nuk kanë ushtruar – apo edhe kërcënuar – presion në mënyrë të vazhdueshme që Erdogan ta marrë seriozisht Uashingtonin.
Në fakt ekziston mundësia për të ringjallur marrëdhëniet me Turqinë. Por kjo mundësi mund të realizohet vetëm nëse Uashingtoni heq nga vetja imazhin e “pajtuesit” kur bëhet fjalë për Turqinë. Ja cilat janë disa nga skenarët që mund të ndodhin:
Rusia
Marrëdhëniet e tensionuara me Erdoganin u shndërruar në një shkëputje reale për shkak të afrimit të tij me Rusinë. Debatet e forta mbi blerjen nga Ankaraja të sistemit anti-ajror rus S400, tronditën edhe fansat më të zjarrtë të Turqisë në SHBA. Dhe megjithëse në fillim kishte shpresë se Turqia do të ishte një aset në mbështetjen e Ukrainës, kjo nuk ka ndodhur plotësisht sepse ajo ka nevojë për Rusinë në disa fronte.
Nëse ne duam që lufta në Ukrainë të mos bëhet një tjetër “luftë e përjetshme”, Ankaraja duhet që të zgjedhë më në fund se cilën anë do të mbajë në këtë konflikt. Sidomos duke pasur parasysh krizën ekonomike me të cilën përballet Turqia, asaj i duhet bërë e qartë se shërbimi si një mekanizëm për shmangien e sanksioneve për Vladimir Putin do të ketë një kosto.
NATO
Të gjithë presin një kthesë të shpejtë të Turqisë, për të miratuar pranimin e Suedisë në NATO. Erdogani e ka zvarritur me aq mjeshtëri dhe me cinizëm këtë çështje, sa ta trajtojë si një lëshim të madh nga ana e tij. Në fakt nuk është i tillë. Ky është një hap i domosdoshëm por i pamjaftueshëm drejt tregimit të solidaritetit të Turqisë me NATO-n.
Ajo që duhet të bëjë të qartë pjesa tjetër e aleancës, veçanërisht SHBA-ja është se ata janë gati ta trajtojnë Suedinë si një aleate, pavarësisht nëse Ankaraja e miraton apo jo hyrjen e saj në aleancë dhe ndoshta të zotohen t’i dërgojnë armë që përndryshe do të ishin të destinuara për aleatët e supozuar si Turqia.
Ti jepet fund përplasjeve në Egje dhe Mesdheun Lindor
Kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO, ka shkaktuar me të drejtë zemërimin e aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Por perspektiva e një lufte greko-turke është një kërcënim shumë më serioz, madje ekzistencial për NATO-n.
Një ndërprerje e përkohshme e fluturimeve ushtarake në zonë, nuk duhet të ngatërrohet me një ndryshim të politikës turke. Dhe dështimi i SHBA-së dhe BE-së për ta detyruar Ankaranë të heqë dorë nga sjellja agresive ndaj Greqisë apo që të tërhiqet nga sfidat e saj absurde ndaj sovranitetit grek, mbështetetet mbi vetëpërmbajtjen e jashtëzakonshme greke për të parandaluar një konflikt që mund të përfshijë dhe NATO-n.
Administrata e Biden duhet të kushtëzojë hapur mbështetjen e saj për prodhimin e avionëve F-16 për Turqinë me përfundimin e kësaj mosmarrëveshje brenda NATO-s. Pa kushte të tilla, Amerika do të inkjurajojë Ankaranë të zhvillojë luftë kundër aleatëve dhe partnerëve amerikanë.
Erdogan do të ndryshojë sjellje vetëm nëse do të detyrohet ta bëjë këtë. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, ai mund të kuptojë më në fund se Ankaraja ka nevojë për Uashingtonin më shumë sesa Uashingtoni ka për Ankaranë.
Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të konsiderueshëm në këtë moment: aftësinë për të ndikuar në ndihmën që kërkon Turqia nga FMN; në prodhimin e avionëve F-16; mbi shumën e gjobës që do të paguhet për skandalin Halkbank; si dhe për diplomacinë energjitike. Në rast se administrata Biden nuk do ta përdorë këtë levë, ajo do të humbasë jo vetëm çdo mundësi për të rivendosur lidhjet dypalëshe, por marrëdhëniet Turqi-SHBA do të kalojnë nga keq në shumë më keq.
Shënim:Endy Zemenides, është drejtor ekzekutiv në Këshillin e Lidershipit Hellenik në SHBA.
/albeu.com