Opozita, veçanërisht ajo e përfaqësuar nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, refuzon pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 Majit 2023. Sali Berisha duke akuzuar për blerje votash aleatin e socialistëve, PSD, llogarit një rritje me 240% të votave, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Faktoje verifikoi se rritja me 2.4 herë e votave të PSD-së është e vërtetë, ndërsa studiuesi Afrim Krasniqi shpjegon skemën se si është arritur ky rezultat.
Nga foltorja e Parlamentit, drejtuesi i Komisionit të Rithemelimit, Sali Berisha duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit 2023 e quajti procesin zgjedhor një “farsë elektorale”. Ish-kryeministri Berisha akuzoi Partinë Social Demokrate se ka blerë vota dhe për rrjedhojë rriti numrin e mbështetësve në zgjedhje me 240% krahasuar me një vit më parë.
Llogari elektorale
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të krahasojë rezultatin e 14 majit me atë të vitit 2021, për të verifikuar vërtetësinë e shifrës së artikuluar prej 240% rrije.
Për të kryer këtë verifikim, fillimisht kontrolluam në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kategorinë e rezultateve zgjedhore. Të dhënat për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021tregojnë se nw atw kohw partia e Tom Doshit mori 35 475 vota në total, ose 2.25% të totalit të votave për vitin 2021.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, PSD kandidoi vetëm për Këshilla Bashkiakë, ndaj mjafton të mblidhet numri i votave që PSD ka marrë në secilën bashki, për të gjetur numrin total të votuesve pro kësaj partie në gjithë Shqipërinë.
Votat që PSD ka marrë për çdo bashki në zgjedhjet e 14 Majit, që gjenden në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Faktoje i përpunoi për të kuptuar nëse deklarata e Berishës për rritje me 240% është e vërtetë.
Duke mbledhur votat e marra nga PSD në çdo bashki, totali i tyre rezulton të jetë 88 270 vota.
Për të llogaritur përqindjen e rritjes së votave nga 2021 në 2023, përdorim rregullën e treshit. Rezultati tregon se 88 270 votat e vitit 2023 janë sa 249% e 35 475 votave të vitit 2021.
Ekspertizë
Për të kuptuar shkaqet apo edhe rastet e mëparshme të një rezultati të tillë, Faktoje u konsultua me studiuesin Afrim Krasniqi:
“Ka dy mënyra për të siguruar vota në një demokraci të brishtë si Shqipëria. E para është të kesh një program dhe udhëheqës i cili arrin të ketë një vizion të qartë për vendin dhe të bindë votuesit që ai është zgjedhja më e mirë për vendin. Mënyra e dytë është mënyra klienteliste. Sigurimi përmes rrugëve informale, ndikimeve lokale, elementëve të tjerë informalë që përmed raporti i OSBE-ODIHR dhe për të cilin është kritikuar Shqipëria në dy-tri zgjedhjet e fundit.
Mendoj që rasti i PSD-së është tipik rasti i dytë, sepse nuk kemi të bëjmë me një parti që ka program, një lidership që diskuton apo ka një strategji për vendin. Kemi të bëjmë me një parti tipike klienteliste që në kulmin e dëshpërimit dhe varfërisë në disa zona të Shqipërisë arrin të ketë sukses.
Nëse ju shikoni hartën elektorale, në pjesën më të varfër të Shqipërisë ajo ka suksesin më të madh, çka bie në kontrast të thellë edhe me mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet dhe mënyrën sesi kjo parti operon. Unë nuk mendoj që është një parti politike që ka kontribut në politikë, ka përfaqësim parlamentar, por nuk ka asnjëherë diskutime, propozime, debate apo elementë të tjerë. Është një parti që ka arritur të kopjojë modelin e ish-LSI-së ose partive të tjera klienteliste duke siguruar baza fisnore, krahinore, personale, lobingu apo biznesi, të cilat në thelb janë deformim i sistemit të zgjedhjes, konkurrencës dhe cilësisë së procesit zgjedhor. Më shumë e shoh PSD-në si aksident historik, sesa risi apo prurje historike.
Rezultati aktual ndërlidhet edhe me zgjedhjet e kaluara vendore, sepse PSD pati mbi 200% rritje në vitin 2019, për shkak të bojkotit të opozitës në zgjedhje. Të njëjtat struktura si duket arritën të zgjerojnë nivelin e ndikimit të tyre lokal, ndaj rritja më shumë i dedikohet kësaj, sesa rritjes vetë së kësaj partie. Së dyti, tradicionalisht në zgjedhjet vendore në Shqipëri partitë e vogla kanë pasur më shumë sukses, sepse vota lokale fisnore ka pasur shumë më tepër vlerë sesa votat e partive të mëdha. Madje në këto zgjedhje, vota e partive të mëdha kishte rritje të dukshme krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve vendore të mëparshme, çka përbën deformim.
Ndaj ky suskes i PSD është rasti i një suksesi klientelist të përkohshëm, tregues i dobësisë së sitemit tonë politik dhe marrëdhënies që shqiptarët kanë me votën.” /Faktoje.al