Udhëheqësit e vendeve të G7, SHBA, Japonia, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Kanadaja, diskutuan se si duhet të përgjigjen ndërsa konflikti, i cili filloi shkurtin e kaluar, po zvarritet.
Programet e mundshme të trajnimit të përbashkët për pilotët ukrainas në aeroplanët luftarakë F-16 të prodhimit amerikan ishin një sinjal për Rusinë se nuk duhet të presë që të ketë sukses në pushtimin e saj duke zgjatur konfliktin, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz.
Ukraina nuk mori zotimet për dorëzimin e avionëve, por presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë u thanë udhëheqësve të G7 se Uashingtoni mbështet programet e përbashkëta të aleancës për të trajnuar pilotët ukrainas F-16.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se samiti ishte një mundësi për të bindur fuqitë e mëdha në zhvillim si India dhe Brazili për të mbështetur Ukrainën.
Macron i bëri komentet para gazetarëve një ditë pasi tha se vizita e Zelensky në samit “ndryshoi lojën”.
Menjëherë pas mbërritjes së Zelensky në Hiroshima, Rusia fitoi në Bahamut. Disa orë përpara pretendimit të Moskës, Ukraina kishte hedhur poshtë një pretendim të liderit mercenar rus Yevgeny Primakov se luftëtarët nga kompania e tij, Wagner, kishin përfunduar marrjen e qytetit.
Në ditën e parë të samitit të premten, përveç mbështetjes së Biden për trajnimin e pilotëve ukrainas F-16, G7 njoftoi sanksione të reja kundër Rusisë.
Sipas një zyrtari amerikan, Biden planifikon t’i paraqesë Japonisë një paketë ndihme ushtarake prej 375 milionë dollarësh për Ukrainën.
Zyrtari, i cili kërkoi të mos përmendet emri, tha se paketa do të përfshinte artileri, municione dhe raketahedhës HIMARS. Dje liderët e G7 paraqitën gjithashtu një qasje të përbashkët ndaj Kinës, duke kërkuar të kufizojnë rreziqet e marrëdhënieve të tyre ekonomike me të, megjithatë pa u shkëputur nga një vend që konsiderohet fabrika e botës.
Zelensky bëri presion mbi vendet që të shkojnë më tej në ndihmën ekonomike dhe ushtarake për vendin e tij. Udhëheqësit thanë se bashkëpunimi me Kinën është thelbësor duke pasur parasysh rolin e saj në komunitetin ndërkombëtar dhe peshën e saj si ekonomia e dytë më e madhe në botë, si dhe në fusha me interes të përbashkët, të tilla si përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të mbrojtur biodiversitetin.
Megjithatë, ata shtuan se do të ndërmarrin hapa për të mbrojtur teknologjitë e ndjeshme që mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare, pa kufizuar tregtinë dhe investimet përtej asaj që është e nevojshme.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i tha rrjetit ZDF sot se SHBA, Gjermania dhe vendet e tjera të pasura do të sigurojnë vazhdimin e investimeve të tyre të mëdha në Kinë, si dhe zinxhirët e furnizimit dhe eksportet në Kinë, por G7 po dërgon një mesazh të qartë që kërkon të kufizojë rrezikun./Albeu.com/