Nga Simon Shkreli
Zgjedhjet mbaruan dhe opozita ndodhet në ditën e saj më të keqe, pasi mori goditjen më të rëndë në këto 32 vite pluralizem. Po dua dhe po mundohem të gjej një përgjigje të asaj çfarë ndodhi dhe si ndodhi, me gjithë këtë pushtet të jashtëzakonshëm që tashmë Kryeministri Rama dhe qeveria e tij kanë. Vëj re’ që politikanët në Shqipëri, janë të etur për të përvetësuar, pushtetin e konsiderojnë si pronësi të tyren dhe rritjen e pushteti si një arritje. Jam I qartë se sot nuk bëhet më fjalë për zgjedhje, apo votime. Shqiptarët i janë dorëzuar me vetëdije të plotë, përvetësimit të të gjitha pushteteve që ata do duhej t’i gëzonin, e arritur kjo përmes votës. Por nuk ndodhi kështu!
Ajo që më shqetëson më së shumti është forcimi edhe më i madh i partisë në pushtet duke u shtrirë edhe në pushtetin lokal. Madje ky përvetësim i të gjitha pushteteve, dhe kthimin e vendit në një pronë të tyre, të cilën vetëm ata e kontrollojnë, të ngjall frikë, pasi opozita që do duhej të ishte oponentja e saj është totalisht e pafuqishme që të luajë rol balancues dhe frenues që pushteti i pakufishëm të mos kalojë në përvetësim, apo në kënaqësinë që i jep kjo arritje.
Emanuel Munier do thoshte se: “Përvetësimi karakterizohet nga goditjet e forcës dhe metodat e dhunës. Pronësia e sendeve të përvetësuara ushqehet me të gjitha vlerat që shoqërojnë dhunën. Kënaqësi shumë më e përgjithshme se fitorja ose suksesi që rrezikon të jetë plotësimi i një dëshire në vend të një zhvillimi. Kënaqësia e zotërimit pas fitores, që është tashmë e prirur drejt ngurtësimit vdekjeprurës dhe të rehatshëm të autoritetit pas shtypjes së qëndresave. Kënaqësi që e ruan me xhelozi fitoren duke përjashtuar të tjerët: pushtuesi i kulluar dëshiron të jetë vegla tërësore e arritjes së vet dhe kur e ka përvetësuar nuk lejon asnjë tjetër që të jetë pjesëmarrës, e izolon në një vetmi të përkryer sovraniteti dhe nderi, duke pretenduar se kjo gjë është në të mirë të izolimit.”
Situata nuk është aq rozë sa duket, e aq më pak blu, grija ka filluar të nxihet, ndërsa e ardhmja nuk parashikohet të jetë e ndritshme. Nuk flas për një qytet që pas 32 vitesh e ndryshoi ngjyrën e flamurit partiak, por për një vend të tërë i cili kërkoi që të ketë ndryshime e t’i shërbejë atij, ku pasuria e tij kryesore që është vota të mos përvetësohet nga ata që vazhdojnë e janë “lider”. Kjo lloj pronësie e cila sot është më e frikshme se asnjëherë, ku votuesi është transformuar nga një qënie njerëzore me botën e tij emocionale ka shkuar në një botë inerte, pa shpirt, pa qiell, pa të kaluar dhe pa të ardhme, pa asnjë prani paraprirëse për t’a nxjerrë njeriu në plan të parë.
Kjo lloj situate nuk është për t’u gëzuar, por për të reflektuar thellë, dhe madje për të punuar fort që të gjënden zgjidhje të menjëhershme në mënyrë që pushteti të ketë balancë dhe respekt reciprok. Të ruhet dinjiteti i njeriut dhe jo të përvetësohet. Pushteti pa kufi dhe forca që i jep vetes duke lejuar që edhe atë që njeriu ka më të shtrenjtë, dinjitetin, t’a përvetësojë është rrezik i madh për lirinë, se demokracia duket se në Shqipëri nuk ka ardhur kurrë por ka ikur, siç iku Zoja e Shkodrës që të mos dhunohej nga pushtuesit. Demokracia nuk lejon që të pushtohet dhe të përvetësohet.