Krahasimi i numrit të votuesve në zgjedhjet e vitit 2023 me ato të vitit 2015 nxjerr në pah një realitet të dhimbshëm. Shpopullimin masiv të Shqipërisë.
Oligarkia.al krahasoi numrin e votave të vlefshme në 14 bashkitë më të mëdha të vendit. Rezultatet konfirmojnë atë, që tashmë duket si një trend i pandalshëm tragjik. Rrudhjen e bazës së votuesve.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, në zgjedhjet e vitit 2023 në 14 bashkitë më të mëdha të vendit votuan në total 820 mijë e 206 persona. Krahasuar me vitin 2015, ku në të njëjtat bashki votuan 927 mijë e 377 vetë, numri i votuesve ka rënë me mbi 107 mijë vetë. Pra 11.6 për qind më pak. Ky krahasim është vetëm për numrin e votave të vlefshme.
Një pjesë e analistëve po e asociojnë rënien e numrit të votuesve me zhgënjimin e shqiptarëve me klasën politike. Por shifrat e detajuara, sinjalizojnë se indiferenca ndaj klasës politike mund të mos jetë arsyeja kryesore se pse po bie numri i votuesve.
Krahasimi i të dhënave tregon se rënia më e madhe në numrin e votuesve ka ndodhur pikërisht në bashkitë më të varfra të vendit. Në Fier, Lushnje, Berat, Dibër dhe Gjirokastër, rënia e numrit të votuesve krahasuar me vitin 2015, luhatet nga 20 deri në 25 për qind.
Me pak fjalë, në vetëm 8 vjet këto bashki kanë humbur 1 në ccdo 4 votues, një trend dramatik, që thuajse po i shuan qytetet shqiptare. Në 14 bashki më të mëdha të vendit, vetëm njëra ka regjistruar rritje të votuesve krahasuar me vitin 2015. Ajo është bashkia e Kamzës, ku numri i votuesve është rritur pak më shumë se me 300 vetë ose 0.7 për qind, krahasuar me 8 vjet më parë. Në të gjitha bashkitë e tjera votuesit janë rrudhur me ritme të frikshme.
Tirana është bashkia me rënien më të vogël të numrit të votuesve me 9 mijë vetë ose më pak se 3 për qind. Në fakt, Tirana është nga të paktat qytete të vendit, ku numri i popullsisë rritet dhe rënia e votuesve në këtë bashki mund të sinjalizojë zhgënjimin e qytetarëve me klaën politike. Por në qytetet e varfra të vendit, më shumë se zhgënjim tkurrja e votuesve duket e lidhur me shpopullimin masiv të vendit. Me pak fjalë, në Shqipëri nuk kanë mbetur më votues për të mbrojtur pluralizmin përballë armatës së njerëzve që janë të lidhur me buxhetin, pensionistët dhe administrata.